Punë në Gjermani

“Do doja që Dhimitrin ta kisha në krah”/ Festivali i 14-të i Filmit, përlotet Roza Anagnosti: Ky çmim është dhe për të

Festivali i 14-të i Filmit nisi me shpërndarjen e disa çmimeve për karrierën, të ndara për aktorë, regjisorë dhe kinaistë të mirënjohur shqiptarë.

Një prej tyre e mori dhe aktroja e njohur Roza Anagnosti, e cila u përlot gjatë fjalimit të saj, kur kujtoi bashkëshortin e saj, Dhimitër Anagnostin.

Në fjalën e saj, Anagnosti tha se do të dëshironte ta kishte në krah në këtë moment, duke theksuar se çmimi është një vlerësim edhe për të.

“Zonja dhe zotërinj, kolegë, artistë dhe gjithë publiku, mbrëmë. Jam shumë e emocionuar në këtë hapje të Festivalit të 14-të të Filmit Shqiptar. Festival i këtij arti të mrekullueshëm, që gjithmonë ka qenë pjesë shpirtërore e publikut tonë.

Unë jam pioniere e artit që filloi në vitin 1952 dhe jam krenare për këtë. Xhirimet e para i kam pasur në një kronikë nga teatri “Migjeni” i Shkodrës, që nga viti 1958. Një rrugë e gjatë artistike, me punë, emocione, sakrifica, por edhe kënaqësi të madhe. Falënderoj Qendrën Kombëtare të Kinematografisë, z. Jorgji dhe organizatorët e Festivalit për këtë vlerësim.

Është moment i vështirë për mua dhe fjalët mund të duken të varfra për atë që dua të shpreh dhe e ndjej këtë moment. Doja që Dhimitrin ta kisha në krah këtë moment. Ky çmim është vlerësim jo vetëm për mua, por edhe për të. Për bashkëshortin tim, për bashkëpunëtorin tim, në një jetë të gjatë në të gjithë rrugëtimin tonë të ngushtë të jetës dhe të veprimtarisë tonë artistike, i cili më ka mbështetur, më ka ndihmuar dhe ka sakrifikuar bashkë me mua që të krijojmë artin e bukur dhe të mrekullueshëm të kinematografisë.

Anagnosti ka një vit që është në përjetësi, por la veprën si shkollë dhe përkushtimet e tij si pjesë të kinematografisë shqiptare, edukimin qytetar dhe mbështetjen e gjithanshme për këtë brez dhe për brezat e rinj.

Në karrierën time kam pasur fatin të punoj pothuaj me të gjithë regjisorët e Kinostudios. T’i kujtojmë me duartrokitje ata që nuk janë më. Falënderoj njëkohësisht të gjithë kolegët dhe bashkëpunëtorët që më kanë ndihmuar dhe më kanë shoqëruar në rrugën e gjatë të krijimtarisë time artistike.

Falënderim të veçantë publikut tim që më ka dhënë dhe më jep aq shumë dashuri dhe më ka mbështetur në momentet e vështira”,u shpreh Anagnosti.

© Top Channel 2001 – 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i
përmbajtjes së kësaj faqeje.


Lexo edhe këto artikuj të ngjashëm:

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *