Lajme Video

Dyshimet për rrëmbim dhe tetë vite pa përgjigje, Elvis Troqe shpallet zyrtarisht i zhdukur

Tetë vite pas zhdukjes së 24-vjeçarit Elvis Troqe, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë e ka shpallur zyrtarisht të zhdukur të riun.

Vendimi është marrë më 15 qershor 2026 dhe tashmë është publikuar në Fletoren Zyrtare. Në bazë të tij, nëna e Elvisit, Marsela Troqe, është caktuar kujdestare për administrimin e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme të djalit të saj.

Elvis Troqe u zhduk tetë vite më parë dhe që prej asaj kohe nuk ka pasur më asnjë gjurmë të tij. Sipas të dhënave të bëra publike gjatë hetimeve, i riu ndodhej në rrugën kryesore kur u afrua një automjet tip “Mercedes-Benz”, me ngjyrë gri.

Troqe është parë duke përshëndetur drejtuesin e automjetit dhe më pas është futur brenda tij. Sipas të dhënave të hetimit, në makinë ndodheshin edhe dy persona të tjerë. Pas këtij momenti, 24-vjeçari nuk është parë më.

Rasti ka ngritur prej kohësh dyshime se zhdukja nuk ka qenë një largim i zakonshëm. Në kuadër të hetimeve, Prokuroria e Vlorës kishte evidentuar elementë që mund të lidhen me veprën penale të “rrëmbimit të personit”.

Për zbardhjen e ngjarjes janë kryer një sërë veprimesh hetimore, përfshirë edhe kontrolle në banesën e Inez Hajrullës. Ky i fundit ka deklaruar gjatë hetimeve se ditën e zhdukjes së Troqes kishte dalë për të kryer fizioterapi dhe se nuk kishte pasur njohje me 24-vjeçarin.

Pavarësisht hetimeve dhe veprimeve të kryera ndër vite, fati i Elvis Troqes vijon të mbetet i paqartë. Vendimi i gjykatës për shpalljen e tij të zhdukur vjen pas tetë vitesh pa asnjë informacion të konfirmuar për vendndodhjen e të riut.

© Top Channel 2001 – 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i
përmbajtjes së kësaj faqeje.


Lexo edhe këto artikuj të ngjashëm:

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *