Punë në Gjermani

“Po më merr Putini në telefon”, Rama batuta dhe mesazhe nga Italia: BE-ja duhet të ndryshojë mënyrën e funksionimit, integrimi i Shqipërisë s’mjaftohet me veton tonë

Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Cernobbio të Italisë, ku ka marrë pjesë në forumin “Intelligence on the World, Europe and Italy”, në panelin “Agjenda për Europën”.

Diskutimi u përqendrua te roli i Mesdheut, si dhe sfidat e reja me të cilat përballet Europa dhe bota.

Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal te nevoja që Europa të forcojë autonominë e saj në sektorët strategjikë, veçanërisht sa i përket lëndëve të para kritike. Sipas tij, përfshirja e Ballkanit Perëndimor në këtë proces mund të ndryshojë ndjeshëm situatën.

“Europa nuk arrin autonominë e vet në lëndët e para kritike brenda kufijve të vet dhe në kuadrin kohor. Nëse Ballkani Perëndimor nuk do të përfshihet për të na futur brenda, situata mund të ndryshojë”, u shpreh Rama.

Kryeministri përmendi edhe potencialin e Shqipërisë për sa i përket burimeve natyrore, duke theksuar rezervat e bakrit dhe duke bërë thirrje për më shumë investime europiane në vend.

“Shqipëria ka një rezervë të madhe bakri dhe po zbrazim Kinën që Europa të vijë”, tha Rama, duke shtuar me humor se shqiptarët janë “talebanët perëndimorë”, pasi vendi nuk ka marrëdhënie me Rusinë.

“Jemi i vetmi vend në botë që nuk kemi pasur asnjë autoritet rus të na vizitojë dhe as nuk na merr malli. Jemi i vetmi vend në Europë që nuk ka një investim të mirëfilltë dhe nuk na mungon”, deklaroi ai, duke e shoqëruar këtë pjesë me batutën: “Po merr Putini në telefon”.

Rama foli gjithashtu për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke shprehur bindjen se vetë BE-ja duhet të ndryshojë mënyrën e funksionimit të saj.

“Unë nuk besoj se do të ketë ndonjëherë vend për ne në BE nëse diçka nuk do të ndryshojë në BE. Nuk besoj se 2027 do të na presë lumturisht me kompetencën e vetos, me kompetencën tonë”, tha kryeministri.

Sipas Ramës, integrimi gradual është rruga më e përshtatshme për afrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE-në, duke nisur nga aspektet konkrete të bashkëpunimit.

“Integrimi gradual është mënyra e vetme për të na futur brenda në BE dhe për ta nisur nga pjesa reale, që është tregu i përbashkët”, përfundoi Rama.

© Top Channel 2001 – 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i
përmbajtjes së kësaj faqeje.


Lexo edhe këto artikuj të ngjashëm:

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *