
AfD-ja kërcënim për Kosovën/ Partia gjermane kërkon anulimin e njohjes, largimin nga KFOR-i dhe fundin e zgjerimit të BE
AfD kërkon anulimin e njohjes së Kosovës. Qëndrimi më i drejtpërdrejtë u shpreh në janar 2023 nga grupi parlamentar i partisë.
Petr Bystron, atëherë zëdhënës për politikën e jashtme, e cilësoi njohjen e Kosovës nga Gjermania si një “gabim”.
AfD i konsideron të paligjshme ndërhyrjen e NATO-s më 1999 dhe shkëputjen e Kosovës nga Jugosllavia. Ajo kërkon që Berlini t’i kërkojë falje Serbisë për bombardimet dhe të anulojë njohjen e Kosovës. Në një dokument parlamentar të qershorit 2023, të firmosur nga Alice Weidel dhe Tino Chrupalla, AfD e quan Kosovën “shtet të rremë”.
Pavarësia paraqitet si produkt i një lufte të paligjshme, ndërsa qeveria e Albin Kurtit lidhet me pretendimet për “Shqipërinë e Madhe”. Dokumenti kërkon kompetenca ekzekutive për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe një administrim jashtëterritorial për kishat e manastiret serbe, të garantuar nga OKB-ja.
Gjithashtu kërkohet që Serbia të mos vihet nën presion për Kosovën apo sanksionet europiane kundër Rusisë. Nisma u rrëzua në Bundestag në shtator 2024.
Në maj 2023, deputeti Markus Frohnmaier deklaroi se “projekti Kosovë ka dështuar” dhe kërkoi largimin e Gjermanisë nga KFOR-i, tërheqjen e ushtarëve dhe ndërprerjen e ndihmës gjermane.
Ai e përshkroi Kosovën si një vend të korruptuar, kriminal dhe të paaftë të mbijetojë pa mbështetje të jashtme.
Gjermania është një nga mbështetëset kryesore të shtetësisë, sigurisë dhe integrimit europian të Kosovës. Një qeveri e drejtuar nga AfD-ja do ta afronte Berlinin shumë më tepër me pozicionin e Beogradit.
AfD kundërshton edhe anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në BE. Në një dokument të vitit 2019, ajo argumentonte se hyrja e Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Bosnjë-Hercegovinës nuk sillte “vlerë të shtuar europiane”.
Si alternativë propozonte marrëdhënie sipas modelit të Zvicrës ose Norvegjisë, pa anëtarësim të plotë.
Në vitin 2023, qëndrimi u ashpërsua: zgjerimi drejt Ballkanit Perëndimor u cilësua “jorealist” dhe u kërkua një partneritet i privilegjuar në vend të zgjerimit. Në shtator 2019, shumica e deputetëve të AfD-së votuan kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë.
Për Tiranën, një qeveri e AfD-së do të rrezikonte mbështetjen e një prej vendeve më të fuqishme të BE-së. Për Prishtinën, goditja do të ishte më e rëndë: kundërshtim i shtetësisë, dobësim i KFOR-it, ndërprerje e ndihmës dhe afrim i Berlinit me Beogradin.
© Top Channel 2001 – 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i
përmbajtjes së kësaj faqeje.
