
Egnatia nuk di të ndalet, mposht Skënderbeun dhe merr fitoren e tretë radhazi
Egnatia vijon serinë e fitoreve në kampionat. Kampionët në fuqi mposhtën 2-1 Skënderbeun në Rrogozhinë, duke regjistruar fitoren e tretë radhazi dhe duke ruajtur kreun e renditjes.
Rrogozhinasit e nisën ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme, teksa në minutën e 14-të Albanese zhbllokoi sfidën dhe kaloi Egnatian në avantazh.
Skënderbeu reagoi dhe arriti të barazojë në minutën e 34-t. Korçarët fituan një tjetër penallti pas ndërhyrjes së VAR-it dhe Nasr u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke e çuar rezultatin në 1-1.
Pjesa e dytë ishte e luftuar, me të dyja skuadrat që kërkuan golin e avantazhit. Egnatia pati disa tentativa për të fituar një tjetër penallti, ndërsa Skënderbeu rrezikoi portën e Dajsinanit.
Në minutën e 84-t, vendasit gjetën golin e fitores. Albanese shërbeu për Loukili, i cili me kokë dërgoi topin në rrjetë dhe riktheu Egnatian në avantazh. Goli u verifikua nga VAR për një pozicion të mundshëm jashtë loje, por në fund u konfirmua.
Në minutat e mbetura, Skënderbeu nuk arriti të reagojë dhe Egnatia siguroi tri pikët.
Me këtë sukses, skuadra e Nevil Dedes regjistron fitoren e tretë radhazi në kampionat dhe konsolidon pozitat në krye të renditjes, duke dhënë një tjetër sinjal të fortë në mbrojtje të titullit kampion.
Egnatia-Skënderbeu 2-1Albanese 14’, Loukili 85’/ Nasr 34’
© Top Channel 2001 – 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i
përmbajtjes së kësaj faqeje.
