
Mbi 80 mijë tonë karburant të zhdoganuar në gusht, të ardhurat doganore arrijnë 22.8 miliardë lekë
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave vijon të konsolidojë performancën e saj pozitive në mbledhjen e të ardhurave doganore, duke shënuar rezultate të rëndësishme edhe gjatë muajit gusht 2026.
Gjatë muajit gusht, të ardhurat doganore arritën në 22.8 miliardë lekë, rreth 1.7 miliardë lekë më shumë krahasuar me gushtin e vitit 2025, ose rreth 18 milionë euro më shumë.
Një nga treguesit më të rëndësishëm të muajit është rekordi historik në zhdoganimin e karburantit. Në gusht 2026, konsumi mujor i karburantit kaloi 80 mijë tonë, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në performancën e të ardhurave doganore.
Rritja e të ardhurave është mbështetur nga performanca pozitive e disa zërave kryesorë:
Akciza neto: +502 milionë lekë, e ndikuar veçanërisht nga karburantet (+264 milionë lekë) dhe cigaret (+187 milionë lekë);
TVSH në import: +1.1 miliardë lekë, ku kontributin kryesor e kanë dhënë karburantet e importit (+741 milionë lekë), produktet e tjera (+161 milionë lekë) dhe autoveturat e përdorura (+146 milionë lekë);
Taksa doganore: +85 milionë lekë, me rritje të ndikuar ndër të tjera nga importet e veshjeve, mishit dhe konstruksioneve metalike;
Renta minerare: +8 milionë lekë, e ndikuar kryesisht nga rritja e sasive të eksportit të mineraleve të tjera.
© Top Channel 2001 – 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i
përmbajtjes së kësaj faqeje.
