
Pagat rrisin koston e ndërtimit, por jo të materialit, banesat vijojnë të mbeten të shtrenjta
Ndërtimi i një banese po kushton më shumë, por këtë herë nuk janë tullat, çimentoja apo hekuri që po e shtrenjtojnë faturën, janë pagat.
Fuqia punëtore po i kushton gjithnjë e më shumë këtij sektori.
Në tremujorin e dytë të këtij viti, kostot e ndërtimit të banesave janë rritur me 1.1% krahasuar me një vit më parë.Rritja më e fortë ka ardhur nga shpenzimet për fuqinë punëtore, të cilat janë rritur me 4.3%.
Ndërkohë materialet nuk kanë kushtuar më shtrenjtë se më parë. Shpenzimet për materiale kanë rënë me 0.6%, ndërsa materialet e ndërtimit me 0.9%. Në një treg ku për vite me radhë shtrenjtimi i materialeve ishte arsyeja kryesore për rritjen e kostove sot presioni më i madh po vjen nga mungesa dhe shtrenjtimi i fuqisë punëtore.
Në total krahasuar me tre muajt e parë të vitit, kostot e ndërtimit u rritën me 0.3%, ndërsa edhe në këtë periudhë krahasimore pagat dhanë ndikimin më të madh.
Por teksa fuqia punëtore po u kushton më shumë ndërtuesve ndërsa çmimet e materialeve në rënie po I favorizojnë, kjo ecuri nuk shihet të reflektohet në çmimin final të një banese. Blerja e një apartamenti po i kushton gjithnjë e më shumë qytetarëve sidomos në kryeqytet.
Ndërsa sipas Bankës së Shqipërisë Indeksi Fischer tregon se çmimi mesatar i banesave të shitura u rrit me 11.7% në fund të 2025.
Në Tiranë çmimi mesatar për metër katror ka kaluar tashmë 2 mijë euro ndërsa edhe në qytetet bregdetare çmimet mbeten edhe më të shtrenjta. Edhe kur çmimet e materialeve ulen kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se apartamentet do të bëhen më të lira.
© Top Channel 2001 – 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i
përmbajtjes së kësaj faqeje.
