Lajme Video

Pas betimit si ministre, Spahiu ndan detyrat te Shëndetësia: Që nga nesër në orën 08:00 do hapet një zyrë për problemet e qytetarëve

Pas betimit në prani të Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, Klodiana Spahiu mori zyrtarisht detyrën e ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale. Në mesazhin e saj të parë si ministres, gjatë takimit prezantues, Spahiu tha se në qendër të punës së saj do të jetë qytetari.

“Duke filluar që nesër do të kemi një zyrë të hapur që në orën 08:00 të mëngjesit, për të adresuar dhe dëgjuar një problematikë që nuk është zgjidhur diku tjetër. Për këtë qëllim do të angazhohemi të gjithë ne. Të njëjtën gjë do ta bëjnë të gjitha institucionet shëndetësore terciare që janë këtu. Që nga ky moment, kjo do të jetë prania jonë besnike dhe insistoj në çdo moment që, në rastet kur do të kemi problematika apo mungesa, ato të vijnë duke u pakësuar dhe duke u përmirësuar, sepse ky është një proces në evoluim”.

Ministrja Spahiu falënderoi stafet e sistemit shëndetësor për punën dhe kontributin e tyre, ndërsa prezantoi vizionin e saj për drejtimin e sektorit dhe vijimin e objektivave për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore.

“Unë kam 13 vite që e zhvilloj me ju betejën e shëndetësisë. Sfida është e shumëfishtë. Sfida e parë është për besimin dhe këtë mos e harroni, sepse secili nga ne duhet ta ketë këtë si qëllimin kryesor. Dhe unë, të paktën, këtij parimi nuk i ndahem. Dua që ne të shohim përpara dhe objektivat që do t’i vendosim vetes, afatshkurtra dhe afatmesme, të kenë një deadline”.

Klodiana Spahiu, mjeke kardiologë dhe që mban titullin “Doktor i Shkencave Mjekësore”, zëvendësoi në postin e ministres së Shëndetësisë Evis Salën, që dha dorëheqjen pak ditë më parë.

© Top Channel 2001 – 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i
përmbajtjes së kësaj faqeje.


Lexo edhe këto artikuj të ngjashëm:

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *