Lajme Video

Problemi me pagat e magjistratëve/ Administrata e Gjykatës së Tiranës ankesë te Avokati i Popullit: Të verifikohet kush po bllokon pagesat

Administrata gjyqësore e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i është drejtuar me një ankesë kolektive Avokatit të Popullit, duke kërkuar ndërhyrje institucionale për mosekzekutimin e pagave të muajit gusht 2026.

Nëpunësit civilë gjyqësorë dhe personeli mbështetës deklarojnë se gjatë muajit gusht kanë ushtruar rregullisht detyrat dhe kanë garantuar vijimësinë e veprimtarisë së gjykatës, por paga nuk është ekzekutuar brenda afatit ligjor.

Sipas ankesës, deri në momentin e paraqitjes së saj, punonjësve nuk u është komunikuar zyrtarisht dhe në mënyrë të qartë një bazë ligjore që justifikon mosekzekutimin e pagës për punën e kryer.

Administrata e lidh situatën e krijuar me problematikën që ka lindur pas vendimit nr. 15, datë 17 shkurt 2026, të Gjykatës Kushtetuese për pagat e magjistratëve, por thekson se statusi, pozicioni dhe paga e punonjësve të administratës gjyqësore janë juridikisht të dallueshme nga ato të magjistratëve.

Në dokument evidentohet edhe qëndrimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor. Sipas ankesës, KLGJ, me një shkresë të datës 3 shtator drejtuar Ministrisë së Financave, ka bërë të qartë se pagat e administratës gjyqësore dhe stafit mbështetës nuk preken nga vendimi nr. 15/2026 i Gjykatës Kushtetuese dhe as nga vendimi nr. 435/2026 i KLGJ-së, duke kërkuar ekzekutimin e menjëhershëm të pagave të gushtit.

Punonjësit thonë se edhe ata i janë drejtuar Ministrisë së Financave më 9 shtator 2026, duke kërkuar informacion për arsyet e moskalimit të pagave, por deri në hartimin e ankesës nuk kishin marrë përgjigje.

Në ankesë, administrata e Gjykatës së Tiranës ngre shqetësimin se ngërçi i krijuar për pagat e magjistratëve ka prekur edhe punonjësit e administratës gjyqësore, ndonëse pagat e tyre nuk janë pjesë e kësaj mosmarrëveshjeje.

“E konsiderojmë veçanërisht problematike që një kategori punonjësish (administrata gjyqësore), të cilët kemi ofruar shërbimin tonë dhe kemi garantuar funksionimin e gjykatave, të mbetemi pa pagë për shkak të një mosmarrëveshjeje tjetër që lidhet me një kategori tjetër pagash (ajo e magjistratëve)”, thuhet në dokument.

Administrata argumenton se moskryerja e pagesës për një muaj pune të kryer përbën cenim të të drejtave dhe interesave të ligjshme të punonjësve, duke iu referuar edhe nenit 110 të Kodit të Punës për detyrimin e punëdhënësit për pagimin e pagës.

Për këtë arsye, Avokatit të Popullit i kërkohet të marrë informacion zyrtar nga KLGJ, Ministria e Financave dhe strukturat përgjegjëse të Thesarit, për të verifikuar nëse pagesat janë bllokuar apo pezulluar për shkak të procedurave që lidhen me pagat e magjistratëve.

Nëse konstatohet një pengesë administrative, kërkohet të identifikohet institucioni përgjegjës, akti mbi të cilin është bazuar veprimi ose mosveprimi dhe baza ligjore e tij.

Në rast se Avokati i Popullit konstaton cenim të të drejtave të administratës, punonjësit kërkojnë që institucioneve përgjegjëse t’u rekomandohet marrja e masave të menjëhershme për ekzekutimin e pagave të gushtit, si dhe masa për të parandaluar përsëritjen e një situate të tillë.

Administrata paralajmëron gjithashtu se çështja nuk prek vetëm interesat financiare të punonjësve, por mund të ndikojë edhe në funksionimin normal dhe efektiv të gjykatave, ndaj kërkon që ankesa të trajtohet me prioritet.

© Top Channel 2001 – 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i
përmbajtjes së kësaj faqeje.


Lexo edhe këto artikuj të ngjashëm:

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *