Punë në Gjermani

Dita e dytë e bojkotit në Gjykatën e Tiranës, administrata vijon protestën për pagat. Avokatët nuk paraqiten në GJKKO

Duke braktisur gjyqet në Gjykatën e Posaçme, si të avokatëve të tjerë, mbrojtësi Alban Qafa nisi protestën ndaj shkallës së parë, por jo ndaj Apelit.

Megjithëse ndajnë të njëjtën godinë, të dyja gjykatat kanë rregullore të ndryshme. Siç raporton gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, Apeli i Posaçëm i lejon telefonat për avokatët dhe nuk kërkon akreditim për gazetarët, ndërsa Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur bllokimin e tyre.

Përmes bojkotit të çdo gjykimi në themel dhe pa afat, avokatët kërkojnë rishikimin e rregullores. Ndërkohë, në ditën e parë të braktisjes së GJKKO-së, u shtynë 7 seanca. Në Apel, gjyqi ndaj ish-ministrit Lefter Koka u zhvillua.

Kur prej të enjtes nisin procese të rëndësishme, si ai ndaj ish-presidentit Ilir Meta, Erion Veliajt dhe Sali Berishës, është vendosur që edhe këto gjykime të braktisen.

Edhe gazetarët e drejtësisë, nga ana e tyre, nuk kanë pranuar të akreditohen pranë GJKKO-së, pasi në formular kërkohen të dhëna personale.

Bojkoti ishte kryefjalë e ditës edhe për administratën gjyqësore, e cila kërkoi sërish të zhbllokohen pagat e tyre.

Përmes këtij peticioni, të nisur Ministrisë së Financave dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor, administrata kujton se nuk është palë e konfliktit institucional mes palëve dhe se ky konflikt nuk i përket asaj.

“Ne kushtet kur në listëpagesa janë identifikuar zërat që kanë problem pagat e magjistratëve, kërkojmë që Ministria e Financave të ndërhyjë dhe të marrë masat për administratën. Në të kundërt, thuhet në shkresë, do të detyrohemi të marrim masa, deri në mosparaqitjen në vendin e punës.”

Dhe ndërsa nuk ka asgjë të re nga fronti i pagave, të enjten të gjithë gjyqtarët do të mblidhen në Polin e Drejtësisë, ku do të dalin me një vendim të përbashkët.

© Top Channel 2001 – 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i
përmbajtjes së kësaj faqeje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *