
Zgjedhja e Presidentit të Kosovës, Kurti: Marrëveshja politike nuk mjafton, na duhen edhe numrat
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se marrëveshja politike e arritur mes partive nuk është e mjaftueshme për të shmangur zgjedhjet e reja.
Para nisjes së seancës konstituive të Kuvendit, Kurti tha se marrëveshja duhet të sigurojë edhe numrat e nevojshëm për funksionalizimin e institucioneve dhe, veçanërisht, për zgjedhjen e presidentit.
Sipas tij, për zgjedhjen e presidentit kërkohet prania e dy të tretave të deputetëve në Kuvend. Kurti tha se marrëveshja e deritanishme nuk duket se garanton këtë kuorum. “Për ta zgjedhur presidentin ose presidenten, na duhet që dy të tretat e deputetëve të jenë të pranishëm në Kuvend. Por marrëveshja politike duket se nuk ka qenë e mjaftueshme”, deklaroi Kurti.
Ai tha se për këtë arsye duhet të sigurohet pjesëmarrja e të gjithë deputetëve që mbështesin kandidatin e përbashkët për president, profesor Bekim Sejdiu, ose të sigurohen vota shtesë nga deputetë të tjerë.
Kurti theksoi se synimi i marrëveshjes politike ka qenë pikërisht sigurimi i votave të nevojshme për funksionalizimin e institucioneve dhe shmangien e një procesi të ri zgjedhor.
Megjithatë, ai konfirmoi se deputetët e subjektit të tij do të marrin pjesë në seancën konstituive të Kuvendit, të thirrur nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari. “Meqë kemi marrëveshje politike dhe kryesuesi i seancës, deputeti më i vjetër Avni Dehari, e ka thirrur seancën konstituive, ne i përgjigjemi pozitivisht”, tha Kurti.
© Top Channel 2001 – 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i
përmbajtjes së kësaj faqeje.
