Punë në Gjermani

Ekzekutohet me armë zjarri 35-vjeçari shqiptar në Itali, autoritetet dyshojnë për “larje hesapesh” nga trafiku i drogës

Një 35-vjeçar shqiptar është gjetur i pajetë në një makinë të fundosur në Padova, Itali. Sipas Prokurorisë së Padovës, viktima është vrarë me armë zjarri.

Sipas mediave italiane, trupi u zbulua mëngjesin e 9 shtatorit, brenda një automjeti tip Fiat Bravo, në Via del Santo.

Hetimet e para mjeko-ligjore kanë evidentuar përdorimin e një arme zjarri. Për momentin, një nga pistat kryesore të hetimit është ajo e një larjeje hesapesh në ambientet kriminale të lidhura me trafikun e drogës, por kjo mbetet një hipotezë që po verifikohet nga hetuesit.

Karabinierët analizuan pamjet e kamerave të sigurisë së një punishteje zdrukthëtarie që ndodhet përballë vendit ku u gjet automjeti.

Njëra prej kamerave, e vendosur në pjesën e jashtme të magazinës, mbulon pjesërisht edhe rrugën. Hetuesit kanë marrë dhe shqyrtuar pamjet, duke u kthyer edhe në ditët e mëparshme, por deri tani ato nuk kanë dhënë elemente të mjaftueshme për të përcaktuar autorët apo dinamikën e ngjarjes.

Në fokus të hetimit është edhe vetë automjeti. Ekspertët do të analizojnë çdo gjurmë biologjike, përfshirë gjurmët e mundshme të gjakut në pjesën e pasagjerëve.

Këto prova mund të ndihmojnë hetuesit të përcaktojnë se ku dhe kur është vrarë 35-vjeçari, si dhe nëse trupi është transportuar më pas në automjet.

Një tjetër element që po shqyrtohet është fakti se sediljet e pasme të makinës ishin të palosura, ndërsa duart e viktimës ishin të lidhura.

Hetimet vijojnë për të rindërtuar lëvizjet e viktimës, për të përcaktuar vendin e krimit dhe për të identifikuar personat përgjegjës për vrasjen.

© Top Channel 2001 – 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i
përmbajtjes së kësaj faqeje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *