
Sulmi ndaj Familjes Jashari, Prokuroria Speciale: Millorad Ulemek ishte urdhërdhënësi
Paramilitari serb Millorad Ulemek, i njohur si “Legija” është identifikuar si urdhërdhënësi për sulmin ndaj Familjes Jashari.
Ai është në mes të 35 personave, të cilët Prokuroria Speciale i ngarkon me krime lufte për vrasjen e 26 civilëve shqiptar në Lagjen e Jasharajve në Prekaz të Skënderajt.
Njësia e operacioneve speciale që mori pjesë në sulmin ndaj familjes Jashari në Prekaz është udhëhequr nga Milorad Ulemek, i njohur me nofkën “Legija”.
Sipas të dhënave të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Ulemek kishte për detyrë, me kërkesë të posaçme, të drejtonte sulmin e drejtpërdrejtë ndaj shtëpisë së Shaban Jasharit.
Milorad Ulemek është dënuar në vitin 2007 për përfshirjen në vrasjen e kryeministrit serb Zoran Gjingjiq. Ai është dënuar gjithashtu për vrasjen e ish-presidentit serb Ivan Stamboliq dhe për tentativën e vrasjes së opozitarit Vuk Drashkoviq.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë të ditur se provat e siguruara gjatë hetimit kanë vërtetuar se, gjatë datave 5, 6 dhe 7 mars, në kuadër të rrethimit dhe sulmit ndaj familjes Jashari, janë vrarë 26 civilë shqiptarë.
Mes viktimave kishte edhe fëmijë, më i vogli vetëm pesë vjeç, si dhe gra dhe persona të moshuar.
© Top Channel 2001 – 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i
përmbajtjes së kësaj faqeje.
