
“AGIA”, filmi shqiptar përzgjidhet në Festivalin e Varshavës
Filmi shqiptar “AGIA”, me skenar dhe regji të Lorin Terezit, është përzgjedhur në kategorinë 1–2 të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Varshavës, ku do të ketë premierën botërore në edicionin e 42-të të festivalit, që zhvillohet nga 9 deri më 18 tetor 2026.
“AGIA”, i mbështetur financiarisht nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë (QKK) dhe Qendra e Filmit të Malit të Zi (Filmski centar Crne Gore), shënon debutimin e regjisorit të ri Lorin Terezi në filmin artistik me metrazh të gjatë.
Filmi është një bashkëprodhim mes Shqipërisë, Malit të Zi dhe Austrisë, i prodhuar nga Tunnel Film, me producent Florenc Papas, dhe OnFilm Production, me producent Dritan Huqi, në bashkëpunim me Ivan Djurovic, Elly Senger-Weiss dhe Besnik Krapi. Projekti ka marrë gjithashtu mbështetje për zhvillim nga SEE Cinema Network.
I vendosur në Shqipërinë e viteve ’90, në periudhën e rënies së regjimit komunist, filmi ndjek historinë e një gruaje të re që përballet me normat e ngurta të një komuniteti të izoluar dhe kërkon të fitojë hapësirë për jetën, dëshirat dhe zgjedhjet e saj.
Në kastin e “AGIA” janë Luiza Xhuvani, Lulzim Zeqja, Kosovare Krasniqi, Lurni Krasniqi, Afrim Muçaj dhe Luan Jahja.
I themeluar në vitin 1985, Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Varshavës është një festival ndërkombëtar konkurrues, i akredituar nga FIAPF – International Federation of Film Producers Associations.
© Top Channel 2001 – 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i
përmbajtjes së kësaj faqeje.
Lexo edhe këto artikuj të ngjashëm:
- Problemet me filmin shqiptar, situata me kinemanë pas 14 vitesh, Butka: Mungojnë fondet, promovimi dhe sallat
- Ekzekutohet me armë zjarri 35-vjeçari shqiptar në Itali, autoritetet dyshojnë për “larje hesapesh” nga trafiku i drogës
- I lidhën duart, e futën në makinë me qese të zezë dhe e hodhën në lumë, detaje nga ekzekutimi i 35-vjeçarit shqiptar në Itali. Zbulohet identiteti
- Sa të interesuar janë adoleshentët shqiptarë për politikën?
- “Ky është palo festival”, regjisori Shanaj kundër ligjit të ri për kinematografinë, flet për Top Channel: Synon zhdukjen e prodhimit dhe kineastëve shqiptarë
