Lajme Video

Lajme Video

I mori jetën 13-vjeçares shqiptare duke e hedhur nga ballkoni, gjykata jep vendimin e papritur për vrasësin e Aurora Tilës

Gjykata e Apelit në Bolonjë ka ulur nga 17 në 15 vite burg dënimin për të riun që ishte 15 vjeç në momentin e ngjarjes, i dënuar për vdekjen e 13-vjeçares Aurora Tila.

Aurora humbi jetën më 25 tetor 2024 në Piacenza, pasi u hodh nga një ballkon. Çështja ka shkaktuar reagime të forta në Itali, ndërsa familja e vajzës ka shprehur hapur pakënaqësinë për vendimin e Apelit, shkruajnëmediat.

Avokati Emilio Malaspina, që përfaqëson nënën e viktimës, deklaroi se familja është veçanërisht e zhgënjyer nga kërkesa e Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm për uljen e dënimit.

“Aurora ishte 13 vjeçe, viktima më e re e femicidit në Evropë”, u shpreh avokati.

Nëna e vajzës, Morena Corbellini, reagoi ashpër pas vendimit, duke kritikuar sistemin e drejtësisë dhe mënyrën se si trajtohen raste të tilla.

“Presim atëherë që numri i femicideve të ulet? Ato vetëm do të rriten. Edhe të miturit do të vrasin gjithnjë e më shumë, derisa vendi të ndërhyjë me forcë dhe në mënyrën e duhur”, deklaroi ajo.

Corbellini shtoi se situata, sipas saj, vetëm sa do të përkeqësohet dhe se dënimet po jepen shumë lehtë.

© Top Channel 2001 – 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i
përmbajtjes së kësaj faqeje.

Read More
Lajme Video

“Ngushticës së Hormuzit do t’i vë emrin tim”/ Premtimi i ri i Trumpit: Pesë mijë dollarë për çdo amerikan të rritur nëse fitojmë zgjedhjet e mesmandatit

Presidenti amerikan Donald Trump ka bërë një premtim të bujshëm gjatë konventës së republikanëve në Dallas, në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet e mesmandatit.

Trump deklaroi se, nëse republikanët fitojnë Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin, çdo i rritur amerikan do të përfitojë një “dividend” prej 5 mijë dollarësh. Sipas tij, paratë duhet të shpenzohen brenda Shteteve të Bashkuara.

Trump u bëri thirrje amerikanëve të votojnë për republikanët, duke e paraqitur garën si vendimtare për të ardhmen e vendit. Ai paralajmëroi se një fitore e demokratëve do të rrezikonte politikat e tij për kufijtë, taksat, sigurinë dhe ekonominë.

Gjatë fjalimit, presidenti amerikan foli edhe për luftën në Iran, duke mbrojtur sulmet amerikane ndaj objektivave iraniane. Ai tha se pa ndërhyrjen e SHBA-së, Irani mund të kishte siguruar armë bërthamore, ndërsa la të hapur mundësinë për goditje të tjera.

Trump iu rikthye edhe deklaratave të tij të pazakonta për emrat gjeografikë. Ai tha me humor se Ngushtica e Hormuzit mund të quhej “Ngushtica e Trumpit” dhe sugjeroi që New Mexico të riemërtohej “New America”.

Një tjetër temë e rëndësishme ishin tarifat doganore. Trump i cilësoi ato si një prej mjeteve kryesore për pasurimin e Shteteve të Bashkuara dhe tha se vendi po arkëton miliarda dollarë falë tyre. Ai tregoi gjithashtu me humor se e kishte ulur fjalën “tarifa” nga vendi i parë në të pestin në listën e fjalëve të tij të preferuara, pas reagimeve të mediave.

Fjalimi i Trump zgjati rreth dy orë dhe u mbyll me këngën “Y.M.C.A.”, në një atmosferë festive mes delegatëve republikanë.

© Top Channel 2001 – 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i
përmbajtjes së kësaj faqeje.

Read More
Lajme Video

“Pesë mijë dollarë për çdo amerikan të rritur nëse fitojmë zgjedhjet e mesmandatit”/ Vance: Tarifat nuk mjaftojnë për premtimin e Presidentit

Zv.presidenti amerikan JD Vance ka përmendur të ardhurat nga tarifat si një prej mënyrave për të financuar premtimin e Donald Trump për një pagesë prej 5,000 dollarësh për amerikanët.

Duke folur për Fox News, Vance tha se qytetarët do të mund të përfitonin nga “pasuria e jashtëzakonshme” që, sipas tij, po krijohet nga politikat e administratës Trump.

Por shifrat tregojnë një tjetër realitet. Sipas korrespondentit të NBC News, Garett Haake, të ardhurat nga tarifat nuk janë pranë nivelit që do të nevojitej për të mbuluar koston e këtij premtimi, e cila vlerësohet në rreth 1.35 trilionë dollarë.

Qendra e Politikave Tatimore në SHBA parashikon se tarifat mund të sjellin rreth 1.7 trilionë dollarë gjatë periudhës 2026-2036. Megjithatë, kjo shumë nuk mblidhet menjëherë.

Sipas vlerësimit, rreth 177 miliardë dollarë do të mblidheshin vetëm gjatë vitit fiskal 2026. Të ardhurat pritet të bien me kalimin e viteve, pasi konsumatorët dhe bizneset amerikane mund të reduktojnë importet nga vendet dhe produktet e prekura nga tarifat.

Kjo do të thotë se, edhe pse tarifat mund të sjellin të ardhura të konsiderueshme për qeverinë amerikane, ato nuk ofrojnë një burim të drejtpërdrejtë dhe të mjaftueshëm për të mbuluar koston e premtimit prej 5,000 dollarësh.

© Top Channel 2001 – 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i
përmbajtjes së kësaj faqeje.

Read More
Lajme Video

Muzikë popullore në Elbasan, edicioni i XIX-të i Festivalit Folklorik Tipologjik Kombëtar të Këngës Popullore Qytetare

Elbasani është shndërruar në kryeqendrën e traditës me çeljen e edicionit të XIX-të të Festivalit Folklorik Tipologjik Kombëtar të Këngës Popullore Qytetare.

Për dy net me radhë, qyteti do të vibrojë nën tingujt e trashëgimisë sonë kulturore, me pjesëmarrjen e 12 grupeve artistike nga visa të ndryshme të vendit që sjellin veçantitë e repertorit dhe veshjeve të tyre karakteristike.

Sipari i natës së parë u hap me interpretime nga grupet folklorike të Elbasanit, Fierit, Pogradecit dhe Këlcyrës. Për pjesëmarrësit dhe drejtuesit artistikë, ruajtja e kësaj muzike mbetet një shtyllë kryesore e identitetit kombëtar.

Gjatë dy netëve festive, performancat e artistëve do të vlerësohen nga një juri profesionale, e cila në përfundim do të shpallë edhe grupin fitues. Festivali mblodhi në sheshin kryesor të Elbasanit qindra qytetarë, të cilët shoqëruan me duartrokitje dhe kërcime çdo interpretim.

© Top Channel 2001 – 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i
përmbajtjes së kësaj faqeje.

Read More
Lajme Video

Alarm në Mallakastër, rindizet zjarri në Çerrilë/ Flakët përfshijnë sipërfaqe me pisha

Rindizet vatra e zjarrit në Çerrilë të Mallakastrës, ku zjarrfikësit po punojnë për vënien nën kontroll të flakëve.

Sipas informacioneve nga terreni, zjarri ka përfshirë një sipërfaqe pyjore me pisha, ndërsa ndërhyrja po kryhet në një terren të thepisur dhe me bimësi të dendur, duke e vështirësuar operacionin.

Kjo është vatra e tretë e zjarrit e shfaqur në Çerrilë brenda pesë ditëve, duke rritur shqetësimin për përhapjen e flakëve në zonën pyjore.

© Top Channel 2001 – 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i
përmbajtjes së kësaj faqeje.

Read More
Lajme Video

Gjyqi në Hagë, Prokuroria kërkon dënim me 6 vjet burgim për Thaçin, zbardhet akuza

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka kërkuar që ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të shpallet fajtor dhe të dënohet me gjashtë vjet burgim në rastin për pengim të drejtësisë pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Mbrojtja e Thaçit, në anën tjetër, ka argumentuar se ZPS-ja nuk ka sjellë prova që arsyetojnë dënimin e kërkuar ndaj tij dhe ka thënë se ai duhet të lirohet nga të gjitha akuzat.

Prokurori i specializuar, Joshua Hafetz, tha gjatë shpalosjes së deklaratave përmbyllëse se “akuzat që ZPS-ja ka ngritur dhe që ka vërtetuar janë krime”.

“Përpjekja për të ndërhyrë dhe penguar procesin gjyqësor në këtë gjykatë, paraqet kërcënim për adresimin e drejtë të drejtësisë”, tha prokurori Hafetz.

Por, avokatja mbrojtëse e Thaçit, Sophie Menegon, kundërshtoi pretendimet e Hafetz, duke thënë se ZPS-ja po kërkon dënim për Thaçin “sepse i duhet t’i mbulojë dhe arsyetojë masat tejet ndërhyrëse që janë marrë ndaj zotit Thaci për muaj të tërë”.

“Pra incizimi i fshehtë i të gjitha bisedave të tij dhe bisedave telefonike dhe bisedave jo të privilegjuara, përfshirë me bashkëshorten dhe djalin e tij”.

Ajo theksoi se “provat janë të dobëta, akuzat e tyre janë të dobëta, qoftë nga ana ligjore apo faktike, dhe këto e arsyetojnë lirimin e Thaçit nga të gjitha akuzat e ngritura”.

Në seancën e parë të shpalosjes së deklaratave përmbyllëse vetëm Thaçi është i pranishëm në gjykatore, ndërkaq të akuzuarit e tjerë janë duke e ndjekur seancën përmes video-lidhjes.

Mbrojtja dhe prokurorët do t’i kenë tri ditë kohë për t’i dhënë argumentet e tyre përmbyllëse në këtë rast që ndërlidhet me çështjen gjyqësore kundër Thaçit dhe tre ish-krerëve të tjerë të UÇK-së.

Prokuroria tha se nëse Thaçi shpallet fajtor, dënimi për këtë rast do ta vuante “në vijim të ndonjë dënimi tjetër që do të jepet në rastin 6, nëse do të jepet”.

Për të akuzuarit e tjerë në këtë rast, Prokuroria kërkoi që të gjithë të shpallen fajtor dhe të dënohen me burgim.

Prokuroria kërkoi që Hajredin Kuçi të dënohet me nëntë muaj burgim, ndërkaq, Fadil Fazliu, Isni Kilaj dhe Bashkim Smakaj të dënohen me nga tre vjet burgim secili.

Deklaratat përmbyllëse do të mbahen sot, nesër dhe të hënën e 14 shtatorit. Dy ditë pas përfundimit të deklaratave përmbyllëse, Thaçi së bashku me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin do të dalin para trupit gjykues për t’u përballur me aktgjykimin për krime lufte gjatë luftës së viteve 1998-‘99 në Kosovë. Për secilin nga ta, Prokuroria ka kërkuar 45 vjet burgim. Të katërtit i kanë mohuar të gjitha akuzat.

Prokuroria: Incizimet dhe dokumentet konfirmojnë përpjekjet për ndikim ndaj dëshmitarëveProkurorja e specializuar, Kimberly West, në nisje të fjalës përmbyllëse të ZPS-së tha se Thaçi dhe të bashkakuzuarit e tjerë për muaj të tërë tentuan të ndikonin në dëshmitë e dëshmitarëve për rastin gjyqësor për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

“Bashkë me bashkëpunëtorët e tij në këtë proces ai tentoi ta pengonte këtë proces duke ndërhyrë në dëshmitë e këtyre dëshmitarëve dhe u kap. U kap me shumë orë incizime dhe dokumente që konfirmojnë incizimet në fjalë”, tha ajo.

West i cilësoi të bashkakuzuarit e tjerë të Thaçit, si bashkëpunëtorë të tij, shokë të devotshëm, lojalistë, dhe ish-vartës, të cilët, sipas saj, Thaçi i udhëzoi “që të shënjestronin dëshmitarët, dëshmia e të cilët, sipas tij, ishin vendimtare për procesin për krime lufte”.

West pretendoi se udhëzimet ishin të ndryshme, nga kërkesa për ndryshimin e dëshmive, apo që Thaçi të vihej apo të mos vihej në ndonjë vend ku pretendohet se janë kryer krime.

Sipas saj, duke krijuar grupe të vogla, Thaçi udhëzoi të bashkakuzuarit se si dëshmitë e dëshmitarëve t’i përshtateshin “narrativit të tij”.

Prokurorja tha se dëshmitë u printuan në qendrën e paraburgimit dhe u diskutuan gjatë vizitave po në këtë qendër.

Ajo po ashtu pretendoi se Thaçi kishte biseduar me të akuzuarit e tjerë edhe për hierarkinë e UÇK-së dhe si dëshmitarët, me dëshminë e tyre, siç tha ajo, të zbehnin rolin komandues të tij.

Prokuroria risjell pjesë të incizimeveMë pas prokurori i specializuar, Joshua Hafetz, paraqiti edhe pjesë të incizimeve mes Thaçit dhe të bashkakuzuarve të tjerë, duke e akuzuar mbrojtjen se po tenton “t’i bishtnojë” provat, që sipas tij, kanë peshë të madhe.

Hafetz tha se pjesët që nuk janë dëgjuar mirë, Prokuroria nuk i ka përdorur, teksa shtoi se Thaçi gjatë udhëzimeve ka pëshpëritur.

Në gjykatore u shfaqën pjesë të bisedave të Thaçit me Fazliut lidhur me dëshminë e Rrustem Mustafës – Remit. Prokuroria pretendon se Thaçi, përmes Faziut dhe të birit të tij, e udhëzoi Mustafën se si të dëshmonte disa ditë më vonë në Hagë për rastin numër 6 – për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Prokuroria po ashtu tha se vetëm një ditë pas udhëzimit të Thaçit, Fazliu u kthye në Kosovë dhe kontaktoi Mustafën, përmes të birit të tij Fahri Fazliut, dhe disa ditë më vonë e njoftoi Thaçin për bisedën dhe Thaçi e udhëzoi sërish rreth dëshmisë së Mustafës.

“Dymdhëdhjetë orë pa rrëshqitur diku, s’mundet. Thuaj shkurt, ‘po’, ‘jo’. Ai i ka mirë deklaratat, por mund të rrëshqasë, se gjatë. Thuaji t’i shkurtoj”, dëgjohet Thaçi duke i thënë Fazliut në incizimin e lëshuar në gjykatë.

Prokurori Hafetz pretendoi se gjatë vizitave të Fazliut në qendrën e paraburgimit në Hagë, Thaçi zbuloi edhe informacione konfidenciale, përkatësisht identifikoi një provë për të cilën Mustafa do të pyetej gjatë dëshmisë dhe një libër për të cilën prokurorët do ta pyesnin. Sipas prokurorit, Thaçi dha udhëzime se si Mustafa do të duhej të dëshmonte.

Prokurori po ashtu përmendi një vizitë të Hajredin Kuçit me Thaçin në Hagë, në kohën kur Kuçi ishte pjesë e mbrojtjes së Veselit. Ai tha se Kuçi e kontaktoi Mustafën përmes mesazhit, duke e ditur se është e ndaluar që të kontaktohen dëshmitarë pa një autorizim paraprak të gjykatës.

Prokuroria, tha se me këtë, Kuçi nuk iu bind gjykatës.

Madje, për të përshkruar raportin e ngushtë, që sipas Prokurorisë ekziston mes Thaçit dhe Kuçit, gjatë vizitës në Hagë, Prokuroria tha se Kuçi iu referua 90 Thaçit me fjalën “boss [shef]”, ndërkaq Thaçi e quajti mbi 50 herë atë “Hajro”.

Prokuroria pretendon se Thaçi shënjestroi tre dëshmitarë përmes Kuçit, dy ish-pjesëtarë të UÇK-së dhe një viktimë e pretenduar e pjesëtarëve të UÇK-së.

“Shënjestrimi i dëshmitarëve ishte që ai [Thaçi] të përgatiste narrativin e tij të preferuar se ai nuk kishte përgjegjësi penale për veprat e paraqitura në çështjen 6”, tha prokurori Hafetz.

Hafetz tha se njëri nga dëshmitarët e shënjestruar ishte Sylejman Selimi, apo i njohur si dëshmitari numër 5.

Sipas prokurorit, gjatë takimit të 3 shtatorit 2023, Thaçi e udhëzoi Kuçin që Selimi të thoshte se komandantët e zonave të UÇK-së kishin fuqinë e vetme.

“Thuaj që telefonin satelitor ja ka sjellë diaspora… [Adem] Demaçi ka bërë disa rregullore”, dëgjohet duke përshpëritur Thaçi në incizimin e lëshuar në gjykatore.

Me Kuçin u diskutua edhe libri për të cilin do të pyetej Mustafa dhe, sipas Prokurorisë, përmes Kuçit, Thaçi dërgoi udhëzime se si Selimi të dëshmonte.

Dëshmitari tjetër, që sipas Prokurorisë, Thaçi e udhëzoi Kuçin se si të dëshmonte ishte Bislim Zyrapi, i njohur si dëshmitari numër 2.

Sipas organit ndjekës, në incizime, Thaçi kërkonte që Zyrapi të ndryshonte dëshminë e tij – pasi paraprakisht e kishte paraqitur atë si autoritet mbi Shtabin e Përgjithshëm – dhe të thoshte se ai, Thaçi dhe persona të tjerë, përfshirë Veselin u bënë anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së në nëntor të vitit 1998.

“Thaçit i nevojitet të japë përgjigje të sakta për strukturën e Shtabit të Përgjithshëm, që të minimizonin përgjegjësinë penale të tij para nëntorit ’98”, tha prokurori.

Sa i përket dëshmitarit të tretë, ai u identifikua vetëm si dëshmitari 6, pasi është dëshmitar i mbrojtur. Prokurori tha nuk mund të japë publikisht detaje për të, por udhëzimet e Thaçit, sipas tij, ishin që ai të mos implikohej drejtpërdrejt nga ky dëshmitar në ndonjë krim.

Prokuroria më pas vazhdoi me përfshirjen e Kilajt në këtë rast. Prokurori tha se Kilaj e vizitoi fillimisht Thaçin në shkurt të vitit 2023 – disa ditë pasi Thaçi kishte pranuar identitetet e dëshmitarëve të mbrojtur.

Në vizitë ishin të pranishëm edhe persona të tjerë. Prokuroria pretendon se në atë takim Thaçi udhëzoi Kilajn se si dëshmitarët të dëshmonin. Përkatësisht, bëhet fjalë për dëshmitarin e mbrojtur me numër 4.

Më pas Kilaj e vizitoi Thaçin sërish në tetor, kur sipas Prokurorisë, Thaçi i dha dëshminë e dëshmitarit dhe i kërkoi saktësisht se çfarë të ndryshonte.

Në incizime, sipas Prokurorisë, Thaçi kërkon që duhet korrigjuar pjesa gjashtë, faqja shtatë dhe rreshti 9.

Dëshmitari, sipas Prokurorisë, e kishte implikuar Thaçin në keqtrajtim të pretenduar.

Materiale të dëshmisë së dëshmitarit dhe materiale konfidenciale, Prokuroria tha se iu gjetën në zotërim Kilajt si dhe udhëzime se si duhej të dëshmonte.

Në fund të fjalës përmbyllëse, Prokuroria foli për përfshirjen e Bashkim Smakajt në këtë rast.

Sipas Prokurorisë, ai ishte udhëzuar nga Thaçi se si duhej të dëshmonte Bislim Zyrapi. P

rokuroria tha se Smakajt i është gjetur në makinën personale edhe një dokument konfidencial, të cilën pretendoi se e mori nga qendra e paraburgimit në Hagë nga Thaçi.

Po ashtu, ZPS tha se Smakaj ishte takuar dhe kishte komunikuar me Zyrapin pas vizitës në Hagë.

Prokurori tha se incizimet tregojnë modelin e ndjekur nga Thaçi, duke kërkuar që Zyrapit t’i kërkohej të dëshmonte shkurt dhe të përgjigjej “nuk më kujtohet” apo “nuk e di” për tema të caktuara.

Akuzat për pengim të drejtësisëThaçi, si dhe Smakaj, Kilaj, Fazliu dhe Kuçi, akuzohen se, mes prillit dhe nëntorit 2023, kishin ndikuar te dëshmitë e dëshmitarëve të thirrur nga prokurorët për çështjen gjyqësore për krime lufte kundër vetë Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së.

Thaçi përballet me tri akuza për tentim për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe tetë akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës.

Smakaj, Kilaj dhe Fazliu përballen, secili, me nga një akuzë për tentim për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe një akuzë për mosbindje ndaj gjykatës.

Ndërsa, Kuçi përballet dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Që të pestit janë vetëdeklaruar të pafajshëm.

Gjykimi ndaj tyre filloi më 27 shkurt, ndërsa më 13 mars, Prokuroria përfundoi paraqitjen e provave.

Nëse Thaçi shpallet i pafajshëm për krime lufte, a lirohet menjëherë?Në Kosovë janë ngritur pyetje nëse ish-presidenti mund të kthehet menjëherë në vend, në rast se gjykata e liron nga akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Në bazë të Rregullores së Procedurës dhe Provave të Gjykatës Speciale, “kur një i akuzuar i paraburgosur shpallet i pafajshëm, ai lirohet menjëherë, përveçse kur mbahet në paraburgim në mënyrë të ligjshme, ose vuan një dënim për vepra penale të ndryshme nga ato në lidhje me të cilat është shpallur i pafajshëm”.

“Në rastin e zotit Thaçi, paraburgimi është urdhëruar nga trupi gjykues në procesin ndaj tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, si dhe nga gjyqtari i vetëm në procesin e veçantë ndaj tij për pengim të drejtësisë. Prandaj, nëse zoti Thaçi shpallet i pafajshëm në procesin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, çështja nëse ai do të vazhdojë të mbahet në paraburgim do të vendoset nga gjyqtari i vetëm që po shqyrton rastin për pengim të drejtësisë”, kishte thënë në gusht për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Dhomave të Specializuara, Michael Doyle.

Gjykatësi i vetëm duhet të rishikojë çdo dy muaj nëse paraburgimi vazhdon të jetë i arsyeshëm.

“Ai mund ta shqyrtojë këtë çështje edhe me kërkesë të të akuzuarit, nëse ka pasur ndryshim të rrethanave”, shtoi Doyle.

Vendimin e fundit, të dhjetin me radhë për vazhdimin e paraburgimit, gjykatësi i vetëm e lëshoi më 31 korrik, duke vlerësuar se ende ekziston rreziku që Thaçi të pengojë procedurat ose të kryejë vepra të tjera penale.

Në të njëjtin vendim, gjykatësi caktoi edhe afatet për rishikimin e radhës të paraburgimit: Thaçi mund të paraqesë parashtresat e tij deri më 7 shtator. Nëse ai nuk e bën këtë, Prokuroria duhet të paraqesë qëndrimin e saj deri më 14 shtator, ndërsa Thaçi mund të përgjigjet deri më 21 shtator.

Thaçi ndodhet në qendrën e paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, kur u arrestua nën akuza për krime lufte.

Që atëherë, mbrojtjes së Thaçit i janë hedhur poshtë të gjitha parashtresat për lirim nga paraburgimi. Madje, atij nuk iu pranua as një dorëzani prej 50 mijë eurosh, së bashku me disa kushte që Thaçi u zotua t’u përmbahej, në këmbim të lirimit nga paraburgimi.

Akuzat për krime lufteThaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi, akuzohen për vepra si vrasje, torturim dhe përndjekje, gjoja të kryera gjatë viteve 1998-’99 gjatë luftës për pavarësimin e Kosovës nga Serbia.

Që të katërtit i kanë mohuar këto akuza dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që përfshijnë rreth 155 viktima.

Prokurorët kanë kërkuar që ata të shpallen fajtorë dhe secili të dënohet me nga 45 vjet burgim për krimet e pretenduara.

Mbi 130 dëshmitarë dëshmuan, ndërsa u pranuam me shkrim 160 deklarata të dëshmitarëve të tjerë në këtë gjyq gjatë tri vjetëve seanca.

Gjyqi ndaj tyre përfundoi në shkurt.

Gjykata Speciale është formalisht pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës por përbëhet nga gjyqtarë dhe prokurorë ndërkombëtarë.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka hasur në kundërshtime të shumta në Kosovë, pasi është parë si e njëanshme, duke qenë se në të nuk përfshihen krimet e kryera nga serbët në territorin e Kosovës.

Prej atëherë, nëpër Kosovë janë vendosur pankarte e pllakate të mëdha me mesazhin “Liria ka emër” dhe fotografi të ish-krerëve të UÇK-së.

Gjithashtu ka pasur protesta kundër këtij procesi në Hagë, në Prishtinë dhe në qytete të tjera.

Mijëra qytetarë morën pjesë në protestën “Drejtësi, jo politikë” në Ditën e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt këtë vit në Prishtinë, në përkrahje të Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit./REL

© Top Channel 2001 – 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i
përmbajtjes së kësaj faqeje.

Read More
Lajme Video

Transferimi më i shtrenjtë në historinë e Real Madridit, por Diomande ende nuk ka debutuar si titullar

Diomande, vetëm 19 vjeç, është transferimi më i shtrenjtë në historinë e Real Madridit.

Klubi madrilen ka paguar 125 milionë euro për mbrojtësin nga Leipzig, ndërsa shuma totale mund të arrijë deri në 140 milionë euro, në varësi të objektivave që do të përmbushë lojtari.

Pavarësisht investimit të madh, është disi befasuese që futbollisti nga Bregu i Fildishtë ende nuk ka nisur asnjë ndeshje si titullar me Real Madridin.

Diomande ka marrë minuta në fushë, por deri tani ka hyrë gjithmonë në pjesën e fundit të takimeve, duke u aktivizuar kryesisht në rrethin e fundit të ndeshjeve.

Transferimi rekord ka ngritur pikëpyetje mbi arsyet përse 19-vjeçari ende nuk është preferuar në formacionin titullar të skuadrës madrilene.

© Top Channel 2001 – 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i
përmbajtjes së kësaj faqeje.

Read More
Lajme Video

“Ndryshimi i ligjeve nuk mjafton”/ Ambasadori gjerman në Shqipëri për DW: Reforma në drejtësi dhe goditja e korrupsionit, faktorë kyç për në BE

Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Karl Bergner, ka përcjellë një mesazh të qartë për rrugëtimin evropian të Shqipërisë, duke theksuar se pavarësia e gjyqësorit dhe lufta e pakompromis ndaj korrupsionit, veçanërisht në nivelet e larta, mbeten kushte të panegociueshme për avancimin drejt Bashkimit Evropian.

Në një intervistë për Deutshce Welle, Bergner vlerëson progresin e bërë nga Shqipëria në procesin e integrimit, por nënvizon se reformat duhet të sjellin rezultate konkrete dhe të prekshme në praktikë.

DW: Zoti Ambasador, si do t’i përshkruanit marrëdhëniet dypalëshe mes Shqipërisë dhe Gjermanisë?

Karl Bergner:Shqipëria dhe Gjermania bashkëpunojnë ngushtë në fusha të ndryshme politike, përfshirë politikën e jashtme dhe sigurinë. Si vende evropiane dhe partnere në NATO, përballemi me të njëjtat sfida që burojnë nga ndryshimet në rendin botëror dhe nga kërcënimi që paraqet lufta e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës.

Një peshë të konsiderueshme ka edhe bashkëpunimi ekonomik. Gjermania është donatori më i madh dypalësh i Shqipërisë dhe synon të përmirësojë jetën e përditshme të qytetarëve shqiptarë përmes forcimit të infrastrukturës (furnizimit me ujë dhe energji, trajtimit të ujërave të ndotura dhe menaxhimit të mbetjeve) si dhe përmes mbështetjes së zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik në qytete dhe, në një masë edhe më të madhe, në zonat rurale. Gjithashtu, në kuadër të bashkëpunimit tonë dypalësh, punojmë për të luftuar ndryshimet klimatike përmes gjelbërimit të ekonomisë, si dhe për të mbështetur vendin në përshtatjen ndaj kushteve gjithnjë e më ekstreme të motit të shkaktuara nga ndryshimet klimatike.

Në Gjermani po rritet interesi për Shqipërinë, veçanërisht si destinacion turistik. Në të njëjtën kohë, diaspora shqiptare në Gjermani po merr një rëndësi gjithnjë e më të madhe. Mes saj ka një numër sipërmarrësish krijues dhe të suksesshëm, të cilët po ndërtojnë ura të reja mes Gjermanisë dhe Shqipërisë. Të dyja këto prirje forcojnë lidhjet mes qytetarëve të dy vendeve tona dhe i japin një shtysë marrëdhënieve tona ekonomike dhe kulturore.

DW: A i mbështet Gjermania ambiciet e Shqipërisë dhe vendeve fqinje për t’u anëtarësuar në BE? Sa realist e konsideroni synimin e Shqipërisë për të përfunduar negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2027?

Karl Bergner:Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor janë pjesë e familjes evropiane. Për këtë arsye, ne e mbështesim fuqimisht anëtarësimin e tyre në Bashkimin Evropian.

Qëndrimi i kahershëm i Gjermanisë është se anëtarësimi në BE i të gjitha vendeve kandidate duhet të bazohet në meritë. Për rrjedhojë, afatet varen nga shpejtësia dhe tërësia e reformave të tyre. Në këtë kontekst, ne e njohim ambicien e Shqipërisë për të përfunduar negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2027. Në rrugën drejt anëtarësimit të plotë, vendi ka bërë përparim të prekshëm, ndërkohë që mbeten ende detyra të rëndësishme.

Përveç përmirësimit të jetës së përditshme të shumë shqiptarëve, asistenca e gjerë teknike dhe financiare e përmendur më sipër synon gjithmonë të mbështesë edhe anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Kjo shtrihet nga financimi i ndërtimit të impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura në një sërë qytetesh shqiptare (si parakusht për kapitujt që lidhen me mjedisin) deri te mbështetja e ministrive të ndryshme për përafrimin e legjislacionit me standardet e BE-së. Por, në fund, vendimtare është vendosmëria e Shqipërisë për t’i ndërmarrë dhe zbatuar këto reforma, edhe kur ato janë të vështira apo prekin interesa të rëndësishme ekonomike.

Një shembull është miratimi i një ligji të unifikuar për investimet, në vend të ligjit aktual për investimet strategjike. Shqipëria është zotuar në Agjendën e saj të Reformave që ta bëjë këtë deri në fund të këtij viti, ndërsa Parlamenti Evropian, në rezolutën e tij të fundit, ka përsëritur kërkesat e mëparshme të BE-së. Sipas meje, ky do të ishte një hap shumë i rëndësishëm për të garantuar transparencën dhe kushte të barabarta konkurrence për të gjitha bizneset.

Arritja e objektivit të anëtarësimit në BE varet gjithashtu nga aftësia e administratës publike, por edhe e komunitetit të biznesit, për të përvetësuar standardet e BE-së. Fakti që Gjermania është donatori më i madh dypalësh i Shqipërisë tregon edhe njëherë për angazhimin tonë të fuqishëm për të ndihmuar Shqipërinë në çdo hap të rrugëtimit.

DW: Reforma në drejtësi ka hyrë në një fazë vendimtare. Cilat janë pritshmëritë konkrete të Gjermanisë nga institucionet e drejtësisë në Shqipëri për dy vitet e ardhshme?

Karl Bergner:Një shtet i fortë i së drejtës, mbrojtja e të drejtave themelore dhe një demokraci pluraliste janë në themel të vlerave evropiane. Respektimi i pavarësisë së gjyqësorit dhe përpjekjet e papenguara kundër korrupsionit, përfshirë rastet e korrupsionit në nivele të larta, janë parakushte të panegociueshme për përparimin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE.

Në këtë drejtim, reforma në drejtësi ka qenë një faktor kyç që ka mundësuar avancimin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Për të ardhmen, Shqipëria është zotuar për reforma të mëtejshme që lidhen me shtetin e së drejtës. Ky ka qenë fokusi kryesor i Gjermanisë në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE prej shumë vitesh dhe i tillë do të mbetet. Ne besojmë se Shqipëria do të vazhdojë dhe do të shtojë përpjekjet për të forcuar shtetin e së drejtës dhe pavarësinë e gjyqësorit, si dhe për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, për të përmendur disa nga fushat më të rëndësishme. Ndryshimi i ligjeve nuk mjafton: si BE-ja, ashtu edhe qytetarët shqiptarë presin të shohin ndryshime reale dhe të prekshme në praktikë, si dhe krijimin e kapaciteteve të nevojshme në administratën publike dhe institucionet e pavarura.

© Top Channel 2001 – 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i
përmbajtjes së kësaj faqeje.

Read More
Lajme Video

Kontrolle në Lezhë, bllokohet ‘bisha’ “Rolls-Royce”, nis hetimi pasuror për pronarin

Strukturat e Policisë së Lezhës kanë intensifikuar kontrollet ndaj automjeteve luksoze, me qëllim evidentimin dhe verifikimin e mjeteve që dyshohet se mund të jenë përfituar nga veprimtaritë kriminale, si dhe parandalimin e trafikimit të tyre.

Në kuadër të këtyre kontrolleve, strukturat për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale dhe të Policisë Rrugore, kanë kryer kontrollin e një automjeti luksoz që kanë konstatuar në qytetin e Lezhës.

Nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare janë kryer verifikime lidhur origjinën, historikun e blerjes, shitjes dhe posedimit të automjetit, mbi pronësinë dhe burimin e të ardhurave me të cilat është blerë automjeti.

Në përfundim të verifikimeve, është kryer bllokimi administrativ i automjetit “Rolls-Royce” per mungese dokumentacioni dhe ka nisur hetimi pasuror për pronarin e automjetit, shtetasin F. M., banues në Mbretërinë e Bashkuar.

Policia e Lezhës do të vijojë kontrollet e përbashkëta dhe verifikimet ndaj automjeteve luksoze, me qëllim evidentimin e pasurive me burim kriminal dhe goditjen e pastrimit të produkteve të veprimtarive kriminale.

© Top Channel 2001 – 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i
përmbajtjes së kësaj faqeje.

Read More
Lajme Video

Zbehet “ëndrra europiane”/ Kontinenti i vjetër nuk është më i lakmueshëm, bien me 17% kërkesat për azil në BE

Rreth 332 mijë kërkesa për mbrojtje ndërkombëtare janë paraqitur në vendet e Bashkimit Evropian dhe në katër vendet e asociuara të zonës Shengen gjatë gjysmës së parë të vitit 2026. Shifra shënon një rënie prej 17% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Të dhënat publikohen në raportin e fundit të Agjencisë së Bashkimit Evropian për Azilin (EUAA), “Latest Asylum Trends: Mid-Year Revieë 2026”.

Ky është niveli më i ulët i kërkesave për azil i regjistruar në një gjashtëmujor të parë që nga viti 2021 dhe, duke përjashtuar vitet e pandemisë, niveli më i ulët që nga viti 2019.

Sipas EUAA-së, rënia lidhet pjesërisht me ndryshimin e përbërjes së kombësive të aplikantëve, veçanërisht pas zhvillimeve politike në Siri, si dhe me përpjekjet e vendeve të BE-së për forcimin e bashkëpunimit me vendet e origjinës dhe të tranzitit të migrantëve.

Italia, vendi i dytë për numrin e kërkesave

Franca ishte destinacioni kryesor për aplikantët për azil gjatë gjysmës së parë të vitit, me rreth 69 mijë kërkesa, ose afërsisht një të pestën e totalit.

Në vendin e dytë renditet Italia, me rreth 66 mijë kërkesa. Pas saj vijnë Spanja dhe Gjermania, me rreth 55 mijë kërkesa secila.

Në total, këto katër vende pritën rreth 75% të të gjitha kërkesave për azil të paraqitura në hapësirën BE+, një përqindje pak më e ulët krahasuar me periudhat e mëparshme, kur këto vende përballonin rreth katër të pestat e kërkesave.

Italia mbi mesataren evropiane për numrin e kërkesave për banor

Kur të dhënat llogariten në raport me popullsinë, Italia regjistroi 1.127 kërkesa për azil për çdo milion banorë, ndërsa mesatarja për hapësirën BE+ ishte 710 kërkesa për milion banorë.

Italia renditet pranë Spanjës, Francës, Belgjikës dhe Irlandës për këtë tregues. Niveli më i lartë u regjistrua në Greqi, me 2.254 kërkesa për milion banorë.

Bangladeshasit kryesojnë në Itali

Në Itali, shtetasit e Bangladeshit vijojnë të përbëjnë grupin më të madh të aplikantëve, me rreth 28 mijë kërkesa, një shifër pothuajse e pandryshuar krahasuar me periudhën e mëparshme, me një rënie prej vetëm 3%.

Ndërkohë, kërkesat e shtetasve egjiptianë u rritën me 50%, duke arritur në rreth 15 mijë. Rritje të ndjeshme u regjistruan edhe te aplikantët nga Afganistani (+77%), Kina (+43%) dhe Sri Lanka (+23%). Në të kundërt, kërkesat nga shtetasit e Marokut ranë me 22%, ndërsa ato nga Peruja me 12%.

Të dhënat e EUAA tregojnë kështu një ndryshim të rëndësishëm në dinamikën e azilit në Evropë gjatë vitit 2026, me një rënie të përgjithshme të numrit të aplikimeve, por me ndryshime të dukshme në origjinën e aplikantëve dhe në shpërndarjen e tyre mes vendeve pritëse.

© Top Channel 2001 – 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i
përmbajtjes së kësaj faqeje.

Read More