Lajme Video

Lajme Video

“Shko dhe përballu me drejtësinë”, sekuestrimi i vilës në Palasë, Kapri në ‘Shqipëria Live’: Nëse SPAK na kërkon heqjen e imunitetit për Ballukun, ne e japim votën pro

Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, u shpreh në “Shqipëria Live” se, nëse SPAK do të vijë me një tjetër kërkesë në Kuvend për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, ai dhe Agron Shehaj do të votonin pro.

“Po presim atë dosjen e Ballukut se po bëhet viti, e kemi çuar në Gjykatë Kushtetuese. Ne duhet ta lexojmë dosjen. Shpresojmë të marrim dhe dosjen e re. S’mund të na e ndalojnë diçka që është e drejtë kushtetuese. Nëse vjen kërkesa sërish në Kuvend, do vendosim që t’ia heqim imunitetin”, tha Kapri.

Duke komentuar njoftimin zyrtar të bërë nga SPAK një ditë më parë për sekuestrimin e një vile në Palasë, që dyshohet se në mënyrë indirekte i përket ish-zv.kryeministres, tha se ajo duhet të shkojë dhe të përballet me drejtësinë, pa imunitetin e deputetes.

“Shko dhe përballu me drejtësinë, jo të jesh edhe deputet, edhe drejtuese qarku”, tha ai.

© Top Channel 2001 – 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i
përmbajtjes së kësaj faqeje.

Read More
Lajme Video

Apple debuton në tregun e telefonave të palosshëm, prezanton iPhone Duo

Apple ka prezantuar iPhone-in e saj të shumëpritur të palosshëm, duke hyrë në një treg ku rivalët kanë qenë të pranishëm prej më shumë se shtatë vitesh.

Modeli i ri, i quajtur Duo, do të jetë i disponueshëm për porosi paraprake nga 16 tetori dhe do të dalë në shitje më 23 tetor. Çmimi fillestar është 1,999 dollarë për versionin me 256 GB hapësirë ruajtëse, ndërsa kapaciteti mund të shkojë deri në 2 TB.

Me këtë çmim, Duo kushton 100 dollarë më shumë se Galaxy Z Fold 8 i Samsung, por 100 dollarë më pak se modeli Z Fold 8 Ultra.

Kur është i mbyllur, telefoni ka përmasa të ngjashme me një pasaportë dhe përmban një ekran 5.4-inç. Kur hapet, shndërrohet në një pajisje me ekran 7.6-inç, më i madhi i përdorur ndonjëherë në një iPhone.

Të dy ekranet kanë teknologjinë ProMotion, ekranin gjithmonë aktiv dhe ndriçimin maksimal deri në 3,000 nit. Apple ka njoftuar gjithashtu se mbështetja për Apple Pencil do të vijë më vonë gjatë këtij viti.

Një nga sfidat kryesore për Apple ka qenë reduktimi i dukshmërisë së palosjes në mes të ekranit. Kompania ka përdorur një material të personalizuar me nano-teksturë, ndërsa shtresat e ekranit janë projektuar të rrëshqasin mbi njëra-tjetrën gjatë hapjes dhe mbylljes, për të reduktuar deformimin me kalimin e kohës.

Duo do të ofrohet në dy ngjyra: të bardhë “Star White” dhe blu të errët “Night Sky”.

Në pjesën e pasme ndodhet një sistem me dy kamera 48 megapiksel. Kamera ultra e gjerë është e njëjta që përdoret edhe në iPhone 18 Pro. Në pjesën e përparme ndodhet një kamerë selfie me mbështetje për Center Stage.

Ndryshe nga modelet iPhone 18 Pro, Duo nuk ka kamerat e Face ID. Në vend të saj, Apple ka rikthyer Touch ID, të integruar në një prej butonave anësorë. Ekrani i brendshëm përdor një kamerë selfie të vendosur nën ekran.

Sa i përket performancës, Duo përdor të njëjtin procesor A20 Pro dhe modemin C2 si iPhone 18 Pro dhe Pro Max. Pajisja ka edhe një sistem të ri ftohjeje me dhomë avulli, tre herë më të madhe se ajo e gjeneratës së mëparshme.

Pajisja shoqërohet me përditësime të reja në iOS 27, të dizajnuara për të shfrytëzuar ekranin e palosshëm dhe për të kombinuar elemente të përvojës së iPhone-it dhe iPad-it. Aplikacionet dhe përmbajtja do të përshtaten ndërsa ekrani hapet ose mbyllet.

Thashethemet për një iPhone të palosshëm qarkullojnë që prej vitit 2017. Në vitet që pasuan, kompani si Samsung, Google, Huawei, Oppo dhe Honor kanë nxjerrë modele të ndryshme të palosshme.

Megjithatë, tregu mbetet relativisht i vogël. Në vitin 2025, telefonat e palosshëm përbënin vetëm rreth 1.6% të shitjeve globale të smartfonëve.

Gjatë dy viteve të fundit, vëmendja është përqendruar te një iPhone i palosshëm me formë të shkurtër dhe të gjerë, afërsisht sa një pasaportë kur është i mbyllur. Forma e zgjedhur nga Apple duket se ka ndikuar edhe te rivalët, me Huawei, Samsung dhe Xiaomi që kanë prezantuar këtë vit modele me dizajn të ngjashëm.

© Top Channel 2001 – 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i
përmbajtjes së kësaj faqeje.

Read More
Lajme Video

Bllokimi i pagave të Drejtësisë, kryetarët e gjykatave kallëzojnë në SPAK ministrin e Financave, Petrit Malaj dhe 16 drejtues të Thesarit. Rama: Më shtoni dhe mua!

Njëzet nëpunës autorizues të gjykatave të vendit, bashkë me kryetarët e Unionit të Gjyqtarëve, Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve dhe Shoqatës së Prokurorëve, i kanë paraqitur më 8 shtator një kallëzim penal Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ndaj ministrit të Financave, Petrit Malaj, sekretarit të përgjithshëm të kësaj ministrie, Gentian Këri, dhe përgjegjësve të 16 degëve të Thesarit në rrethe.

Sipas dokumentit të siguruar nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, i kërkohet SPAK që të kallëzuarit të hetohen për veprat “shpërdorim detyre”, “pengim për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës” dhe “mosekzekutim pa shkaqe të përligjura i vendimit të gjykatës”.

Kallëzimi lidhet me bllokimin e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve për muajin gusht 2026. Sipas rrethanave të përshkruara në dokument, Gjykata Kushtetuese kishte vendosur më 17 shkurt 2026 shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2023 në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke konstatuar se ato kishin sjellë një ulje “të fshehtë” të pagës së magjistratëve. Gjykata i kishte dhënë Kuvendit afat deri më 31 korrik 2026 për të miratuar ndryshimet ligjore të nevojshme, afat që Kuvendi nuk e respektoi.

Në këto kushte, Këshilli i Lartë Gjyqësor urdhëruan zbatimin e pagës referuese bazë sipas parametrave të VKM-së nr. 325/2023, me efekt nga 1 gushti 2026. Sipas kallëzimit, degët e Thesarit në pothuajse të gjithë vendin, me përjashtim të Kukësit dhe Dibrës, refuzuan të zbatonin urdhërpagesat me formulën e re, bazuar në një mesazh elektronik të përcjellë nga sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Financave.

Ministri Malaj, në një shkresë të datës 2 shtator drejtuar të dy këshillave, e arsyetoi bllokimin me nevojën për verifikime mbi bazën ligjore të listëpagesave dhe premtoi pagesë të shpejtë pas miratimit të ndryshimeve nga Kuvendi. Kallëzuesit e kundërshtojnë këtë arsyetim, duke argumentuar se as Ministria e Financave, as Thesari nuk kanë kompetencë ligjore të bllokojnë në mënyrë të njëanshme ekzekutimin e një vendimi gjyqësor, edhe kur ka mospajtime administrative, dhe se rruga e vetme ligjore për shtetin do të ishte padia në gjykatë.

Në kallëzim kërkohet kryerja e një sërë veprimesh hetimore, ndër to administrimi i dokumentacionit të lidhur me vendimet e Gjykatës Kushtetuese, të KLGJ-së dhe të KLP-së, i korrespondencës mes Ministrisë së Financave dhe degëve të Thesarit, i gjurmëve elektronike të veprimeve në sistemin e Thesarit, si dhe verifikimi nëse fondet buxhetore për pagat e gushtit 2026 kanë qenë të disponueshme.

Kallëzimin e kanë firmosur, ndër të tjerë, zv.kryetari Erjon Bani, Gerd Hoxha, Ilirjan Hysa, Fjorald Behari, Gezim Spahiu, Lirim Bulica, Entiljano Spahiu, Orald Hoxha, Enri Rista, Ardian Dvorani, Ervin Sulaj, Mirjan Mustafaj dhe Elis Dine.

© Top Channel 2001 – 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i
përmbajtjes së kësaj faqeje.

Read More
Lajme Video

“Ishte tekanjoz, kërkonte shumë”/ Grimieri i George Mazonakis tregon detaje nga bashkëpunimi me këngëtarin grek: Ishte besimtar, para çdo koncerti…

Grimieri Olti Shulla ka treguar ditën e sotme detaje nga bashkëpunimi i tij me këngëtarin e ndjerë George Mazonakis.

I ftuar në ‘Breaking me Fiori Dardha’, Shulla tregoi se Mazonakis ishte një artist pak tekanjoz, por gjithmonë kujdesej dhe mirëmbahej për paraqitjen e tij.

“Ishte tipi që kurohej shumë, mirëmbahej shumë. Shihej që ishte nga artistët më të mirë dhe i veshur më i bukur nga të tjerët. Mua më morën në telefon për të dhe më thanë që kemi sjellë Mazonakin në Shqipëri dhe ne vendosëm t’i flasim për ty. Ai kishte thënë po, më sillni Oltin. Unë shkoj e rregulloj dhe më pas mendova që do ikja, por ai u thotë organizatorëve se unë do këndoj, do rikthehem dhe do rregullohem prapë.

Në fakt me çfarë unë e kuptova, ishte tekanjoz. E kanë artistët këtë gjë dhe normalisht kërkojnë më shumë. I thotë motrës ose mbesës që i pëlqeu energjia ime dhe grimi im. Folëm pak, vendosëm se çfarë mund të bënim. Më ftoi edhe në Greqi për bashkëpunime të tjera”,tha Shulla.

Shulla, si një nga grimierët e fundit të Mazonakis para se të ndërronte jetë, ka treguar se ai ishte edhe shumë besimtar, madje lutej para se të dilte në skenë për të performuar.

“Ajo që mua më ra në sy më tepër ishte që ai ishte shumë besimtar. Në një moment na nxori të gjithëve nga dhoma dhe më tha kam 5 minuta punë, kishte një kryq në tavolinë, do lutej para se të hynte në koncert”,përfundoi ai.

© Top Channel 2001 – 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i
përmbajtjes së kësaj faqeje.

Read More
Lajme Video

Sot gjyqi në Hagë, Prokuroria: Thaçi tentoi ta pengonte procesin gjyqësor duke ndikuar te dëshmitarët

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë po jepen deklaratat përmbyllëse në gjyqin kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit – të cilët akuzohen për pengim të drejtësisë.

Vetëm Thaçi është i pranishëm në gjykatore, ndërkaq të akuzuarit e tjerë janë duke e ndjekur seancën përmes video-lidhjes.

Prokuroria: Incizimet dhe dokumentet konfirmojnë përpjekjet për ndikim ndaj dëshmitarëveProkurorja e specializuar, Kimberly West, në fjalën përmbyllëse tha se Thaçi dhe të bashkëakuzuarit e tjerë për muaj të tërë tentuan të ndikonin në dëshmitë e dëshmitarëve për rastin gjyqësor për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

“Bashkë me bashkëpunëtorët e tij në këtë proces ai tentoi ta pengonte këtë proces duke ndërhyrë në dëshmitë e këtyre dëshmitarëve dhe u kap. U kap me shumë orë incizime dhe dokumente që konfirmojnë incizimet në fjalë”, tha ajo.

West i cilësoi të bashkakuzuarit e tjerë të Thaçit, si bashkëpunëtorë të tij, shokë të devotshëm, lojaistë, dhe ish-vartës, të cilët, sipas saj, Thaçi i udhëzoi “që të shënjestronin dëshmitarët, dëshmia e të cilët, sipas tij, ishin vendimtare për procesin për krime lufte”.

West pretendoi se udhëzimet ishin të ndryshme, nga kërkesa për ndryshimin e dëshmive, apo që Thaçi të vihej apo të mos vihej në ndonjë vend ku pretendohet se janë kryer krime.

Sipas saj, duke krijuar grupe të vogla, Thaçi udhëzoi të bashkëakuzuarit se si dëshmitë e dëshmitarëve t’i përshtateshin “narrativit të tij”.

Prokurorja tha se dëshmitë u printuan në qendrën e paraburgimit dhe u diskutuan gjatë vizitave po në këtë qendër.

Ajo po ashtu pretendoi se Thaçi kishte biseduar me të akuzuarit e tjerë edhe për hierarkinë e UÇK-së dhe si dëshmitarët, me dëshminë e tyre, siç tha ajo, të zbehnin rolin komandues të tij.

Mbrojtja dhe prokurorët do t’i kenë tri ditë kohë për t’i dhënë argumentet e tyre përmbyllëse në këtë rast që ndërlidhet me çështjen gjyqësore kundër Thaçit dhe tre ish-krerëve të tjerë të UÇK-së.

Prokuroria ka kërkuar tri orë për fjalën e saj përmbyllëse.

Dy ditë pas përfundimit të deklaratave përmbyllëse, Thaçi së bashku me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin do të dalin para trupit gjykues për t’u përballur me aktgjykimin për krime lufte gjatë luftës së viteve 1998-‘99 në Kosovë. Për secilin nga ta, Prokuroria ka kërkuar 45 vjet burgim. Të katërtit i kanë mohuar të gjitha akuzat.

Akuzat për pengim të drejtësisëThaçi, si dhe Smakaj, Kilaj, Fazliu dhe Kuçi, akuzohen se, mes prillit dhe nëntorit 2023, kishin ndikuar te dëshmitë e dëshmitarëve të thirrur nga prokurorët për çështjen gjyqësore për krime lufte kundër vetë Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së.

Thaçi përballet me tri akuza për tentim për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe tetë akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës.

Smakaj, Kilaj dhe Fazliu përballen, secili, me nga një akuzë për tentim për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe një akuzë për mosbindje ndaj gjykatës.

Ndërsa, Kuçi përballet dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Që të pestit janë vetëdeklaruar të pafajshëm.

Gjykimi ndaj tyre filloi më 27 shkurt, ndërsa më 13 mars, Prokuroria përfundoi paraqitjen e provave.

Nëse Thaçi shpallet i pafajshëm për krime lufte, a lirohet menjëherë?Në Kosovë janë ngritur pyetje nëse ish-presidenti mund të kthehet menjëherë në vend, në rast se gjykata e liron nga akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Në bazë të Rregullores së Procedurës dhe Provave të Gjykatës Speciale, “kur një i akuzuar i paraburgosur shpallet i pafajshëm, ai lirohet menjëherë, përveçse kur mbahet në paraburgim në mënyrë të ligjshme, ose vuan një dënim për vepra penale të ndryshme nga ato në lidhje me të cilat është shpallur i pafajshëm”.

“Në rastin e zotit Thaçi, paraburgimi është urdhëruar nga trupi gjykues në procesin ndaj tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, si dhe nga gjyqtari i vetëm në procesin e veçantë ndaj tij për pengim të drejtësisë. Prandaj, nëse zoti Thaçi shpallet i pafajshëm në procesin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, çështja nëse ai do të vazhdojë të mbahet në paraburgim do të vendoset nga gjyqtari i vetëm që po shqyrton rastin për pengim të drejtësisë”, kishte thënë në gusht për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Dhomave të Specializuara, Michael Doyle.

Gjykatësi i vetëm duhet të rishikojë çdo dy muaj nëse paraburgimi vazhdon të jetë i arsyeshëm.

“Ai mund ta shqyrtojë këtë çështje edhe me kërkesë të të akuzuarit, nëse ka pasur ndryshim të rrethanave”, shtoi Doyle.

Vendimin e fundit, të dhjetin me radhë për vazhdimin e paraburgimit, gjykatësi i vetëm e lëshoi më 31 korrik, duke vlerësuar se ende ekziston rreziku që Thaçi të pengojë procedurat ose të kryejë vepra të tjera penale.

Në të njëjtin vendim, gjykatësi caktoi edhe afatet për rishikimin e radhës të paraburgimit: Thaçi mund të paraqesë parashtresat e tij deri më 7 shtator. Nëse ai nuk e bën këtë, Prokuroria duhet të paraqesë qëndrimin e saj deri më 14 shtator, ndërsa Thaçi mund të përgjigjet deri më 21 shtator.

Thaçi ndodhet në qendrën e paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, kur u arrestua nën akuza për krime lufte.

Që atëherë, mbrojtjes së Thaçit i janë hedhur poshtë të gjitha parashtresat për lirim nga paraburgimi. Madje, atij nuk iu pranua as një dorëzani prej 50 mijë eurosh, së bashku me disa kushte që Thaçi u zotua t’u përmbahej, në këmbim të lirimit nga paraburgimi.

Akuzat për krime lufteThaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi, akuzohen për vepra si vrasje, torturim dhe përndjekje, gjoja të kryera gjatë viteve 1998-’99 gjatë luftës për pavarësimin e Kosovës nga Serbia.

Që të katërtit i kanë mohuar këto akuza dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që përfshijnë rreth 155 viktima.

Prokurorët kanë kërkuar që ata të shpallen fajtorë dhe secili të dënohet me nga 45 vjet burgim për krimet e pretenduara.

Mbi 130 dëshmitarë dëshmuan, ndërsa u pranuam me shkrim 160 deklarata të dëshmitarëve të tjerë në këtë gjyq gjatë tri vjetëve seanca.

Gjyqi ndaj tyre përfundoi në shkurt.

Gjykata Speciale është formalisht pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës por përbëhet nga gjyqtarë dhe prokurorë ndërkombëtarë.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka hasur në kundërshtime të shumta në Kosovë, pasi është parë si e njëanshme, duke qenë se në të nuk përfshihen krimet e kryera nga serbët në territorin e Kosovës.

Prej atëherë, nëpër Kosovë janë vendosur pankarte e pllakate të mëdha me mesazhin “Liria ka emër” dhe fotografi të ish-krerëve të UÇK-së.

Gjithashtu ka pasur protesta kundër këtij procesi në Hagë, në Prishtinë dhe në qytete të tjera.

Mijëra qytetarë morën pjesë në protestën “Drejtësi, jo politikë” në Ditën e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt këtë vit në Prishtinë, në përkrahje të Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit./REL

© Top Channel 2001 – 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i
përmbajtjes së kësaj faqeje.

Read More
Lajme Video

Foto/ Vizita e Berishës në Teksas, lideri i PD-së ndan momentet e takimit me disa figura politike në SHBA

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është nderuar me “Çelësin e Qytetit” të Mesquite, në Teksas, gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Vlerësimi iu dorëzua Berishës nga kryebashkiaku i Mesquite, Daniel Aleman Jr., i cili gjatë ceremonisë e cilësoi “Çelësin e Qytetit” si nderimin më të lartë qytetar që bashkia mund t’i akordojë një personi.

Sipas kryebashkiakut Aleman, ky vlerësim shpreh respektin dhe besimin ndaj Berishës, si dhe marrëdhëniet e veçanta mes komunitetit të Mesquite dhe shqiptarëve.

Në kuadër të vizitës në SHBA, Berisha ka publikuar në rrjetet sociale edhe disa fotografi nga takimet e zhvilluara me figura të njohura të politikës amerikane.

Në një prej fotove, Berisha shfaqet së bashku me Ed Martin, përfaqësues i Departamentit të Drejtësisë të SHBA-së, i ngarkuar nga administrata Trump me çështje që lidhen me luftën kundër përdorimit të drejtësisë si armë politike. Në takim ishte edhe Fatmir Mediu, kryetar i Partisë Republikane të Shqipërisë.

Berisha ka publikuar gjithashtu një fotografi me Ken Paxton, Prokurorin e Përgjithshëm të Teksasit dhe kandidat republikan për Senatin e Shteteve të Bashkuara.

Një tjetër takim i publikuar është ai me kongresmenin amerikan Pete Sessions, ku Berisha shfaqet sërish së bashku me Ed Martin.

Kryedemokrati ka ndarë me ndjekësit edhe një fotografi me Joe Gruters, kryetarin e Komitetit Kombëtar Republikan të SHBA-së (RNC).

Berisha ka theksuar vazhdimisht rëndësinë e marrëdhënieve strategjike Shqipëri-SHBA, ndërsa gjatë kësaj vizite ka zhvilluar një sërë takimesh me figura politike amerikane dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar në SHBA.

© Top Channel 2001 – 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i
përmbajtjes së kësaj faqeje.

Read More
Lajme Video

Skandal spiunazhi në Britani/ Arrestohen dy persona, dyshohet se po shpërndanin informacion për inteligjencën iraniane

Dy persona janë arrestuar në Londër në lidhje me një hetim për spiunazh në llogari të Iranit, sipas policisë britanike.

Policia Metropolitane tha se një grua 42-vjeçare dhe një burrë 60-vjeçar u arrestuan të mërkurën me dyshimin për dhënie ndihme një shërbimi të huaj të inteligjencës.

Të dy janë liruar me kusht deri në një datë të caktuar në fund të tetorit.

Policia tha se hetimi “nuk është i lidhur me asnjë nga incidentet ose sulmet që ndodhën më parë këtë vit që synonin vende dhe ndërtesa të ndryshme të lidhura me komunitetet hebraike dhe iraniane në të gjithë Londrën”.

Midis marsit dhe majit, pati një seri incidentesh që synonin komunitetin hebraik të Londrës ose vendet e lidhura me Iranin, të cilat filluan me një sulm zjarrvënës ndaj ambulancave të komunitetit hebraik në Londër.

Më pas, një sinagogë dhe një ish-sinagogë u vunë në shënjestër, si dhe organizata e lajmeve në gjuhën persiane “Iran International” dhe një mur përkujtimor i dedikuar njerëzve që humbën jetën në Iran.

© Top Channel 2001 – 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i
përmbajtjes së kësaj faqeje.

Read More
Lajme Video

Europa synon hapësirën, Macron kërkon program europian për fluturime me ekuipazh brenda dhjetë vitesh

Presidenti francez Emmanuel Macron i kërkoi Europës të zhvillojë aftësinë e saj për fluturime hapësinore me ekuipazh brenda dhjetë vjetësh.

Në samitin ndërkombëtar të hapësirës në Paris, Macron deklaroi se kontinenti duhet të forcojë autonominë në këtë sektor strategjik. Europa synon të mos mbetet më vetëm pasagjere në hapësirë.

Presidenti francez Emmanuel Macron bëri thirrje për krijimin e një programi europian të fluturimeve me ekuipazh brenda një dekade. Duke folur në samitin ndërkombëtar të hapësirës në Paris, Macron pranoi se programi europian mbetet i brishtë dhe kërkon më shumë investime.

Ai përcaktoi edhe objektivat: brenda dy vjetësh, kapsula europiane e transportit “Nyx” duhet të lidhet me Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor. Pas pesë vjetësh, moduli “Argonaut” synohet të ulet në Hënë, ndërsa brenda dhjetë vjetësh një kapsulë europiane me astronautë duhet të niset nga baza e Kourou-s në Guajanën Franceze. Drejtori i Agjencisë Europiane të Hapësirës, Josef Aschbacher, vlerëson se projekti kërkon rreth një miliard euro investime çdo vit.

Sipas tij, blerja e fluturimeve nga operatorë të huaj do t’i kushtonte Europës pesë miliardë euro gjatë dekadës së ardhshme. Vendet anëtare të agjencisë pritet të vendosin për hapat e mëtejshëm në takimin ministror të dhjetorit.

© Top Channel 2001 – 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i
përmbajtjes së kësaj faqeje.

Read More
Lajme Video

Studentët e huaj në auditore, Universiteti i Gjirokastrës përgatit programe në anglisht për studentët aziatikë

Nuk mjaftojnë më punëtorët nga vendet e treta.

Tashmë, Shqipëria po përgatitet të presë edhe studentë nga Bangladeshi, Filipinet, Pakistani dhe vende të tjera të largëta. Lajmi vjen nga Gjirokastra, ku rektori i Universitetit “Eqrem Çabej”, Jaho Canaj, bën të ditur se kërkesat e studentëve të huaj për të studiuar në Shqipëri janë në rritje. Për këtë vit nuk janë parashikuar ende kuota për studentë nga vendet e treta, por universiteti po përgatitet për vitin e ardhshëm, ndërsa programet e studimit pritet të ofrohen edhe në gjuhën angleze kete vit akademik

Ndërkohë, universiteti ka shënuar rritje të regjistrimeve vendase. Në fazën e parë janë regjistruar rreth 300 studentë, nga rreth 250 një vit më parë. Interesi më i lartë është për programet dyvjeçare profesionale, Infermierinë dhe Ekonomikun. Por krejt ndryshe paraqitet situata në degët e mësuesisë, ku interesi mbetet i ulët.

Dhe nëse kërkesat konkretizohen, auditorët e universiteteve shqiptare mund të shohin shumë shpejt një realitet të ri: studentë nga vende të largëta, që zgjedhin Shqipërinë jo vetëm për të punuar, por për të studiuar.

© Top Channel 2001 – 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i
përmbajtjes së kësaj faqeje.

Read More
Lajme Video

Trump premtoi 5 mijë dollarë për çdo amerikan nëse republikanët fitojnë zgjedhjet e nëntorit, sa i ligjshëm është shpërblimi që garanton presidenti nëse triumfon?

Presidenti Donald Trump ka hyrë në fazën e fundit të fushatës për zgjedhjet e mesmandatit në SHBA me një premtim të pazakontë: 5 mijë dollarë për çdo qytetar amerikan të rritur, nëse republikanët mbajnë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit.

Presidenti amerikan e ka quajtur këtë skemë “Trump Dividend” dhe e ka lidhur drejtpërdrejt me fitoren e republikanëve në zgjedhje. Kushti i tij është që paratë të shpenzohen brenda Shteteve të Bashkuara.

Premtimi u bë në Dallas, gjatë një konference të Partisë Republikane, ku Trump e paraqiti garën e nëntorit si një referendum për presidencën e tij.

“Nëse republikanët fitojnë Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin, unë do t’i jap një dividend prej 5 mijë dollarësh çdo qytetari të rritur të Shteteve të Bashkuara”, deklaroi Trump.

SHBA ka rreth 270 milionë të rritur, ndaj një pagesë universale prej 5 mijë dollarësh do ta çonte koston e programit në rreth 1.3 trilionë dollarë, në varësi të kritereve të përfitimit.

Trump nuk ka shpjeguar se si do të financohej një program i tillë. Zv. presidenti J.D. Vance e ka lidhur “dividendin” me të ardhurat nga tarifat doganore, duke argumentuar se bëhet fjalë për kthimin e një pjese të parave të mbledhura nga qeveria amerikane.

Vance ka lënë të hapur edhe mundësinë që qytetarët me të ardhura të larta të përjashtohen nga skema.

Megjithatë, të ardhurat nga tarifat doganore janë shumë më të ulëta se shuma e nevojshme për një pagesë të tillë. Kjo do të kërkonte burime të tjera financimi ose rritje të huamarrjes federale.

Lidhja e një shume konkrete parash me fitoren e një partie ka ngritur edhe pikëpyetje ligjore.

Ligjet amerikane ndalojnë blerjen e votës, por premtimi i Trump nuk e lidh pagesën me votën individuale të qytetarëve.

Presidenti nuk ka thënë se 5 mijë dollarët do t’i marrin vetëm ata që votojnë republikanët. Premtimi vlen për të gjithë qytetarët amerikanë, nëse republikanët fitojnë të dyja dhomat e Kongresit.

Kjo e bën propozimin më të ngjashëm me një premtim elektoral për përfitime ekonomike sesa me një pagesë në këmbim të një vote të caktuar.

Trump nuk mund të vendosë i vetëm shpërndarjen e rreth 1.3 trilionë dollarëve.

Sipas Kushtetutës amerikane, Kongresi kontrollon shpenzimet federale. Për këtë arsye, programi do të kërkonte një ligj të miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati, si dhe një mekanizëm të qartë financimi.

Edhe nëse do të përdoren të ardhurat nga tarifat doganore, presidenti nuk mund t’i rishpërndajë ato në mënyrë të njëanshme përmes një dekreti.

Pra, premtimi mund të jetë i ligjshëm si deklaratë elektorale, por zbatimi i tij kërkon miratimin e Kongresit.

Premtimi vjen në një kohë kur lufta me Iranin ka ndikuar në koston e jetesës në SHBA.

Sulmet ndaj bazave amerikane dhe aleatëve në Gjirin Persik, si dhe ndërprerjet e transportit në ngushticën e Hormuzit, kanë ndikuar në tregjet ndërkombëtare të energjisë.

Rritja e çmimeve të energjisë është reflektuar në karburante, transport dhe produkte të tjera, duke shtuar presionin ekonomik mbi amerikanët.

Trump ka paralajmëruar se konflikti nuk pritet të përfundojë para zgjedhjeve të mesmandatit dhe se çmimet e naftës nuk do të bien së shpejti. Ai e ka mbrojtur këtë kosto si të nevojshme për të parandaluar Iranin të sigurojë një armë bërthamore.

Në këtë klimë, premtimi për 5 mijë dollarë merr një peshë të veçantë politike: Trump u kërkon amerikanëve të përballojnë kostot ekonomike të konfliktit, ndërsa premton rritje të fuqisë së tyre blerëse nëse republikanët ruajnë Kongresin.

Demokratët e kanë cilësuar planin si një “premtim bosh”, ndërsa pikëpyetjet lidhen edhe me ndikimin që një injektim prej më shumë se 1 trilion dollarësh mund të ketë mbi inflacionin.

Trump ka propozuar edhe më herët pagesa prej 2 mijë dollarësh të financuara nga të ardhurat doganore, por ajo nismë nuk u zbatua.

Këtë herë, shuma është rritur në 5 mijë dollarë dhe është lidhur drejtpërdrejt me mbajtjen e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit nën kontrollin republikan.

Për Trump, humbja e njërës prej dy dhomave të Kongresit do ta kufizonte ndjeshëm axhendën e tij legjislative gjatë dy viteve të fundit të mandatit.

Mesazhi në Dallas ishte i drejtpërdrejtë: nëse republikanët mbajnë Kongresin, amerikanët mund të marrin 5 mijë dollarë.

Por që ky premtim të shndërrohet në një pagesë reale, Trump do të ketë nevojë për votat e Kongresit.

© Top Channel 2001 – 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i
përmbajtjes së kësaj faqeje.

Read More