Lajme Video

Lajme Video

“Kam bashkëpunuar në koncerte me të”/ Vdekja Giorgos Mazonakis, këngëtari shqiptar: Ka qenë një hap para të tjerëve, eksperimentues në çdo lloj gjëje

Këngëtari shqiptar Arjan Dredhasi ka folur për vdekjen e Giorgos Mazonakis, këngëtari grek i cili ndërroi jetë një ditë më parë pas një arresti kardiak.

Ai ka treguar në “Shqipëria Live” se e njihte personalisht këngëtarin dhe se para shumë vitesh kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin.

Po ashtu ai ka treguar edhe disa detaje rreth karrierës së këngëtarit Mazonakis.

“Para shumë vitesh kam punuar me Giorgion. Siç e dinë shumica e miqve të mi, unë kam punuar për rreth 25 vite në Greqi. Giorgo ka qenë një super njeri, super këngëtar. Unë jam i shokuar me humbjen e këtij këngetari, gjithmonë ka qenë avangard. Eksperimentues në çdo lloj gjëje, më duket e pabesueshme kjo që po dëgjoj.

Unë për veten time, në dy tre herë që kemi bashkëpunuar në koncerte nuk kam parë që të merrte substanca, nuk e di për më vonë. Ishte një ikje shumë e shpejtë nga jeta, ai ka qenë një hap para të tjerëve. Një humbje e mahde për pentagramin grek.

Jetën e shijonte pafund, nuk ka pasur kurrësesi presion nga audienca. Flas për vitet 2005 kur kemi bahkëpunuar në koncerte. Në veshje po e po, sidomos në këtë kohë që jetojmë ne ka qenë gjithmonë i të resë. Ka qenë nga këngëtarët më në zë”, u shpreh ai.

© Top Channel 2001 – 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i
përmbajtjes së kësaj faqeje.

Read More
Lajme Video

Shqipëria e para në rajon për shkencë dhe matematikë, ana tjetër e rezultateve të PISA-s: Gjysma e 15-vjeçarëve nuk arrijnë nivelin bazë

Rezultatet e Pisa 2025 tregojnë një përmirësim të Shqipërisë në testin ndërkombëtar për 15-vjeçarët.

Krahasuar me të dhënat e 2022 në lëndën e matematikës rritja është me 65 pikë, në shkencë me 59 pikë ndërsa në lexim me 50 pikë.

Në rajon Shqipëria renditet e para në shkencë dhe matematikë duke lënë pas Serbinë, Maqedoninë e Veriut, Kosovën por edhe Greqinë. Lajmi mori dhe vëmendjen e kryeministrit Edi Rama i cili përgëzoi arritjen e nxënësve.

“Të parët në rajon, duke zënë vendin që kemi ambicie të zëmë në çdo drejtim dhe në çdo sektor, por që në këtë rast i bën një nder shumë të madh, një nder shumë të madh jo qeverisë thjesht, por i bën një nder shumë të madh në radhë të parë të gjithë atyre që kanë në duar fëmijët tanë. I bën një nder shumë të madh edhe drejtuesve të shkollave, natyrisht gjithmonë pas mësuesve”, tha Rama.

Megjithatë në analizën e PISA, Shqipëria ka mangësi pasi rezulton nën mesataren e vendeve të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim.

Të dhënat tregojnë se 61% e nxënësve shqiptarë arritën nivelin minimal të aftësive në shkencë, 55% në matematikë dhe më shqetësuese paraqitet gjendja në lexim, ku rreth gjysma e 15-vjeçarëve nuk arritën nivelin bazë të aftësive të përcaktuar nga PISA.

Vlerësimi ndërkombëtar rendit Shqipërinë në vendin e katërt nga fundi në lexim, ku përparon në këtë fushë Rumania, Mal i Zi apo Serbia.

Të dhënat zbulojnë se në performancë absolute Shqipëria nuk ka asnjë 15-vjeçarë në lexim, teksa në shkencë janë vetëm 1% në top rezultate dhe në matematikë 2%. Në vlerësim morën pjesë 5 959 nxënës nga 160 shkolla shqiptare, teksa PISA zhvillohet si një test në 90 vende të botës.

© Top Channel 2001 – 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i
përmbajtjes së kësaj faqeje.

Read More
Lajme Video

Mpiksja e gjakut në krah, gjithçka që duhet të dini mbi rrezikun dhe jo vetëm

Gjaku mund të mpikset në vena në zona të ndryshme të trupit, përfshirë në krah. Qëllimi primar i mpiksjes është që të parandalojë gjakderdhjen e tepruar pas një lëndimi ose aksidenti.

Megjithatë, ka raste kur gjaku mpikset në brendësi të venave të zonave të ndryshme të trupit dhe shkëputet duke lëvizur drejt organeve të tjera. Gjaku, mpikset në tre forma të ndryshme. Forma e parë është ajo sipërfaqësore sepse gjaku mpikset në një venë shumë pranë sipërfaqes së lëkurës.

Forma e dytë është tromboza e thellë venoze dhe e treta është embolia pulmonare. Zona e krahut është më e prirur të formojë trombozë të thellë venoze. Të dhënat e ekspertëve tregojnë se kjo trombozë prek 1000 njerëz në vit dhe në 10% të rasteve ajo formohet në krahë. Simptomat e mpiksjes së gjakut në krahë përfshijnë ngrohje të lëkurës, dhimbje të krahut, enjtje të zonës, skuqje të lëkurës.

Nevoja për të shkuar tek mjeku pas shfaqjes së këtyre simptomave është e menjëhershme sepse tromboza në krahë mund të jetë shumë e rrezikshme. Një nga rreziqet më të mëdha është se kjo masë gjaku mund të shkëputet dhe të përfundojë në mushkëri. Ajo mund të pengojë furnizimin e mushkërive me gjak dhe një gjë e tillë është e rrezikshme për jetën.

Sëmundjet kancerogjene janë një faktor i rëndësishëm rreziku për mpiksjen e gjakut në zonën e krahëve. Kryerja e një ndërhyrjeje kirurgjikale përbën gjithashtu rrezik për mpiksjen e gjakut. Faktorë të tjerë janë: duhanpirja, mosha e thyer, mungesa e lëvizjes, mbipesha, diabeti, tensioni i lartë i gjakut dhe përdorimi i kontraceptivëve. Mënyrat më të mira për të parandaluar mpiksjen e rrezikshme të gjakut është që të ruani një peshë të shëndetshme dhe të jeni aktivë. Ekspertët gjithashtu rekomandojnë që herë pas here të merrni një dozë të vogël aspirine, por vetëm nëse e kushillon mjeku./TAR

© Top Channel 2001 – 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i
përmbajtjes së kësaj faqeje.

Read More
Lajme Video

Protesta në fushën naftëmbajtëse Patos-Marinëz nis me tensione, banorët hyjnë në ambientet e Bankers Petroleum

Ka nisur me tensione protesta e paralajmëruar prej dy ditësh nga banorët e zonës naftëmbajtëse Patos-Marinëz.

Protestuesit kanë hapur me forcë portën e një prej sektorëve të kompanisë Bankers Petroleum dhe janë futur në ambientet e saj. Banorët kanë kërkuar largimin e punonjësve nga zona, ndërsa situata është tensionuar.

Protesta zhvillohet në vijim të kërkesave të banorëve për respektimin e kontratave dhe pagesat për tokat e dhëna me qira kompanisë.

“Është prona ime, jo e jotja. Kemi bërë një kontratë bashkë, por nuk po e zbaton, nuk po më jep lekët”, shprehet një nga banorët.

© Top Channel 2001 – 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i
përmbajtjes së kësaj faqeje.

Read More
Lajme Video

Shtyu Hamiltonin jashtë piste, Leclerc kërkon falje publikisht: Gabova…

Charles Leclerc ka kërkuar publikisht falje për incidentin me Lewis Hamilton në nisjen e Çmimit të Madh të Italisë në Monza, ku piloti britanik përfundoi në zhavorr dhe humbi katër pozicione.

Në prag të Çmimit të Madh të Spanjës, në Madrid, Leclerc pranoi se mund ta kishte shmangur situatën. “Incidenti në kthesën e dytë të Monzas është diçka që nuk do të donim ta shihnim më kurrë. Pasi i rishikova pamjet, është e qartë se mund ta kisha menaxhuar më mirë situatën, thjesht duke ngadalësuar makinën dhe duke shmangur vendosjen e Lewis në një situatë të vështirë”, deklaroi piloti i Ferrarit.

Leclerc tregoi gjithashtu se ka folur me shokun e skuadrës pas incidentit. “Është një eksperiencë nga e cila mund të mësoj dhe tashmë kam folur me të”, shtoi ai. Piloti monegask foli edhe për gjendjen e tij fizike pas incidentit të pësuar vetëm pak xhiro pas nisjes së garës në Monza. Leclerc sqaroi se nuk ka më shqetësime dhe se është gati për fundjavën e garës në Spanjë.

“Do të jem 100% mirë. Vetëm menjëherë pas incidentit u ndjeva pak çuditshëm dhe pata një marramendje të lehtë. Por shumë shpejt, që të hënën pasdite, u ndjeva më mirë”, tha Leclerc.

Monegasku shtoi se ka kryer disa trajtime për qafën, aty ku u përqendrua pjesa më e madhe e goditjes. “Kam bërë disa kontrolle dhe të gjitha kanë rezultuar negative. Pra, nuk ka asnjë shqetësim për këtë fundjavë. Jam gati”, përfundoi Leclerc.

© Top Channel 2001 – 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i
përmbajtjes së kësaj faqeje.

Read More
Lajme Video

“Rama më shkruan edhe në 12 apo 1 të natës”/ Dashnor Sula në “Shqipëria Live”: Nga skema me mishin te kontrollet e karburanteve

Kryeinspektori i Shtetit, Dashnor Sula, foli në studion e “Shqipëria Live” për sigurinë ushqimore, kontrollet ndaj karburanteve, problematikat me inspektorët dhe komunikimet me kryeministrin Edi Rama.

Duke u ndalur te mishi i importuar, Sula tha se është konstatuar një fenomen ku mishi nga vendet e Amerikës Latine kalonte drejt Kosovës dhe më pas rikthehej në Shqipëri.

“Mishi që vjen nga vendet e Amerikës Latine në Shqipëri e ka taksën 15%, ndërsa Kosova e ka pasur 0. Shkonte në drejtim të Kosovës dhe kthehej si mish nga Kosova, ndërkohë që shitej në tregun shqiptar”, tha Sula.

Ai deklaroi se për këtë çështje janë shtuar kontrollet në pikat doganore dhe janë larguar inspektorë që, sipas tij, bashkëpunonin apo kishin marrëdhënie me subjekte të caktuara. Sula bëri të ditur gjithashtu se më 3 shtator është ndaluar mish i ardhur nga Brazili për shkak të riskut.

Kryeinspektori foli edhe për misrin me aflatoksinë, duke deklaruar se janë larguar nëntë inspektorë pas rasteve të konstatuara në pikën doganore të Hanit të Hotit.

Për karburantet, Sula tha se qëllimi i inspektimeve nuk është ndëshkimi i biznesit për shkelje të vogla, por se masat duhet të jenë të menjëhershme kur preket interesi publik.

“Menjëherë reagohet: bllokimi i pikës së karburantit, marrja e mostrave, pezullimi i aktivitetit, deri në heqjen e licencës”, deklaroi ai.

Sula pranoi gjithashtu se integriteti i trupës së inspektimit nuk është në nivelin e duhur, duke thënë se ka inspektorë që favorizojnë subjekte të caktuara. Ai njoftoi se deri në mars 2027 synohet dixhitalizimi i sistemit, ku subjektet do të përzgjidhen për kontroll sipas nivelit të riskut.

Në studio, Sula foli edhe për marrëdhënien me kryeministrin Edi Rama, duke deklaruar se në gjashtë muaj në detyrë ka pasur “zero ndërhyrje” prej tij për favorizimin e ndonjë subjekti. Ai tha se komunikimi mes tyre është thuajse i përditshëm dhe se Rama i përcjell edhe gjatë natës problematikat që merr nga qytetarët. Fati im si kryeinspektor është që kam një mbështetje të jashtëzakonshme nga Kryeministri Edi Rama.

Dashnor Sula:Dihet si funksionojnë gjërat në Shqipëri, presione etj. Para 1 jave kemi pasur një takim me Kryeministrin e Shqipërisë dhe ai ka qenë konkret. I jam drejtuar drejtpërdrejt: 6 muaj në detyrë e kam pasur 0 ndërhyrjen nga Kryeministri i Shqipërisë për të favorizuar ndonjë subjekt, 0. Të njëjtën gjë e kam bërë me kryeinspektorët rajonalë poshtë.

Pra, ky është standardi që duhet të vendoset, se në momentin që fillon ndërhyn Kryeministri te Inspektori i Përgjithshëm, Inspektori i Përgjithshëm ndërhyn te kryeinspektori qendror, kryeinspektori qendror te kryeinspektorët rajonalë, kryeinspektorët rajonalë tek inspektorët, u prish sistemi, u shkatërrua.

Sidorela Gjoni:Më përpara mendonit që Rama kontrollonte çdo gjë?

Dashnor Sula:Jo, nuk e thashë atë, nuk e them dhe nuk e di.

Sidorela Gjoni:Më përpara, më përpara.

Dashnor Sula:Nuk e di absolutisht dhe kam bindjen. Pse? Pse nuk e bën me mua?

Sidorela Gjoni:Të habit kjo gjë?

Dashnor Sula:Jo, nuk më habit. Ka qenë një ndër arsyet pse unë pranova sfidën që më drejtoi Kryeministri i Shqipërisë, që lashë kostumin e politikanit dhe vesha kostumin e nëpunësit të shtetit. Ia kam bërë të qartë Kryeministrit që unë me bashkëpunëtorët e mi do të duhet të punoj ashtu siç duhet, në respektim të ligjit dhe të jem korrekt, do të duhet të kem pavarësinë sipas ligjit. Dhe po ju them që kam komunikim thuajse të përditshëm dhe nuk është se jam nga ata që të bëj me dije mesazhet e Kryeministrit, por mbështetjen që më ka dhënë. Po ju them edhe rastet që Kryeministrit të Shqipërisë i ankohen, normalisht se ka informacion për të gjitha gjërat. Ai menjëherë, nuk kalon gjysmë ore, një orë, reagon dhe pret përgjigje si është zgjidhur problemi dhe kjo është shumë pozitive.

Sidorela Gjoni:Është investuar, do të thuash?

Dashnor Sula:Totalisht, po të them pra. E beson që nuk është turp me ta thënë që më është bërë telefoni duke e mbajtur te veshi. Ai në 12 të natës, 1 të natës, të shkruan për problemet që i çojnë qytetarët dhe unë e vlerësoj maksimalisht. Edhe unë reagimin ndaj qytetarëve e kam të menjëhershëm dhe i japim një zgjidhje çdo problematike që ka qytetari. Pra, është shumë e rëndësishme transparenca.

Sidorela Gjoni:Ke nostalgji për kohën si politikan, si deputet?

Dashnor Sula: Tani, 20 vite në politikë, isha 2005-2025 dhe nuk pretendoj që unë kam bërë “uau” në politikë, por mendoj që kam vendosur 2 tulla, duke filluar nga personaliteti im, integriteti im. Nuk është për t’u mburrur, por unë jam nga politikanët që nuk është përfolur 20 vite për afera korruptive, po 0. Dhe këtë ia kam thënë edhe Kryeministrit të Shqipërisë, po ua deklaroj të gjithë qytetarëve shqiptarë: nëse një i afërm i imi, nëse një person i imi, kushdo qoftë, abuzon, jo të ma provojë, i kam thënë Kryeministrit, por të dyshohet ndaj meje apo bashkëpunëtorëve të mi të afërt, jo iki, por hedh çelësat e largohem. Ky është standardi që duhet të vendosim, ndryshe ne nuk rrisim besimin te qytetarët.

© Top Channel 2001 – 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i
përmbajtjes së kësaj faqeje.

Read More
Lajme Video

Analiza/ Filip Çakuli: Republika popullore e protestës

Dua ta theksoj që në fillim, se jam përkrahës e mbështetës i çdo lloj proteste, jo vetëm me dhjetra, qindra e mijëra pjesëmarrës, po qoftë dhe një protestues i vetëm. Sepse është një nga mrekullitë e demokracisë. Por, nuk mund të pajtohem me dhunën, me anarshinë dhe banalitetin, që nuk dëshmon qytetari, po rrugaçeri. Më nxiti për të hedhur këto shënime akti i një vajze të re, ndaj një zonje të nderuar, me fyerje, me sharje dhe me akuza, si hajdute. Zonja dinjitoze nuk ktheu përgjigje. Po të isha unë, do t’ia kisha treguar, sa i vlen lëkura…

Ku sovrani matet me decibel, opozita me vezë dhe demokracia me rrugë të bllokuara Shqipëria është demokraci.Dhe prova më e madhe se është demokraci është se, sa herë bëhet një protestë, pjesa tjetër e qytetit nuk lejohet të lëvizë. Sepse demokracia jonë funksionon thjesht:

Unë kam të drejtë të protestoj.Ti ke të drejtë të presësh në trafik.Unë kam të drejtë të bllokoj rrugën.Ti ke të drejtë të fikësh motorin.Unë kam të drejtë të ulëras.Ti ke të drejtë të dëgjosh.Barazi e plotë!

Tirana ka shesh para Kryeministrisë. Ka bulevard. Ka sheshin “Skënderbej”. Por këto nuk mjaftojnë.Protestuesi shqiptar nuk kërkon shesh. Kërkon kryqëzim.Sepse çfarë proteste është ajo ku qytetari kalon normalisht me makinë?Duhet bllokuar rruga. Ndryshe Rama mund të mos e marrë vesh që je zemëruar.Në fakt, Rama mund të jetë në zyrë duke pirë kafe, ndërsa ti ke bllokuar një hidraulik nga Kombinati, një infermiere që po shkon në turn dhe një nënë që po merr fëmijën nga kopshti.Qeveria vazhdon punën. Qytetari dënohet. Revolucion perfekt!Po policia?Policia është aty. Sheh. Vëzhgon. Kujdeset që protesta të zhvillohet normalisht. Pra që bllokimi të vazhdojë pa u bllokuar.

Polici sheh qytetarin që nuk kalon dhe protestuesin që nuk e lë të kalojë dhe, me sa duket, mendon:— Të dy kanë të drejta. Vetëm njëri ka rrugën.Në këtë pikë qytetari mund t’i drejtohet policit:— Zotëri, dua të kaloj.— Nuk mundesh, ka protestë.— Po unë protestoj kundër bllokimit të rrugës.Këtu sistemi pëson kolaps. Sepse kemi protestues kundër protestuesit. Kush ka përparësi?Kodi Rrugor nuk e ka parashikuar.Pastaj fillon demokracia ushqimore.Vezë! Domate! Miell!

Deputeti del nga Kuvendi dhe nuk e di nëse po shkon në shtëpi apo po hyn në sallatë.Një vezë nga e majta. Një domate nga e djathta. Pak miell nga qendra. Edhe dy kastravecë dhe kemi reformën zgjedhore.

Kjo është faza më e lartë e debatit politik shqiptar:Kur mbarojnë argumentet, hapet frigoriferi.Deputeti thotë:— Kam mandat nga zgjedhësit!Protestuesi:— Prit se kam edhe gjashtë vezë!Dhe fiton ai që ka kutinë më të madhe.Monteskjeja foli për ndarjen e pushteteve. Ne kemi bërë një përmirësim:Legjislativin, ekzekutivin dhe bulmetin.Pastaj vjen kultura qytetare. Turma nis në kor:“Edi Rama, të q… robtë!”

Në mes të Tiranës. Me gra. Me të moshuar. Me fëmijë.Ndonjë prind mund t’i ketë thënë fëmijës para se të dalë nga shtëpia:— Mos thuaj fjalë të pista se është turp!Pastaj e merr për dore dhe e çon në protestë:— Tani dëgjo xhaxhallarët si bëhet demokracia.Fëmija kthehet në shtëpi me një edukim të plotë qytetar.Të nesërmen në shkollë mësuesja e pyet:— Çfarë mësove dje për demokracinë?— Mësova robtë e Kryeministrit.Edukimi qytetar, kapitulli VII.Pastaj vjen kryevepra: “Edi Rama, o legen, gjithë Shqipëria të urren!”“Gjithë Shqipëria”?!

Këtu ndalemi. Sepse sapo ndodhi një mrekulli statistikore. INSTAT-i mund të mbyllet.Nuk duhen më anketa. Nuk duhen zgjedhje. Nuk duhen sondazhe.Mjaftojnë një mikrofon, një altoparlant dhe 500 veta që bërtasin fort.Dhe u krye: Shqipëria foli!Po ai shqiptari në Shkodër që nuk është aty?E urren.Ai në Korçë?Edhe ai.Ai në Vlorë që po ha peshk dhe s’e ka mendjen fare te protesta?E urren patjetër.Po ai që e voton Ramën?Edhe ai e urren.Nuk e di akoma, por protesta ia ka sqaruar.Madje protestuesi nuk përfaqëson vetëm ata që janë gjallë.Me pak entuziazëm mund të deklarojë:“Të gjithë shqiptarët, brenda dhe jashtë vendit, të gjallë dhe të vdekur, kërkojnë largimin e qeverisë!”Kjo puna e të folurit në emër të popullit është magjepsëse.Del një zotëri me mikrofon:“POPULLI KËRKON!”Cili popull?— Populli!Sa veta?— I gjithë populli!Po kush të autorizoi?— Populli!Ku?— Këtu!Po këtu janë 2 mijë veta.— Janë përfaqësuesit e popullit!Kush i zgjodhi?— Vetë populli!Kur?— Mos provoko!Këtu mbyllet teoria politike.Në fakt, protestuesi mund të flasë me plot të drejtë në emër të vetes: “Unë dua që Rama të ikë.”Shumë mirë.Mund të flasë edhe bashkë me të tjerët: “Ne duam që Rama të ikë.”Shkëlqyeshëm.Por kur thotë: “SHQIPËRIA DO QË RAMA TË IKË!”, atëherë ka bërë një hap të vogël nga protestuesi dhe një hap të madh drejt pronarit të Shqipërisë.Madje as për familjen e vet nuk mund të jetë gjithmonë kaq i sigurt.Mund të bërtasë: — Familja ime e urren Ramën!Dhe nga shtëpia t’i telefonojë gruaja:— Fol për vete, se unë e votova!

Demokracia ka një defekt të tmerrshëm: Edhe ai që nuk mendon si ti është qytetar. Edhe ai që nuk proteston është popull. Edhe ai që voton kundër teje është shqiptar.Madje skandal i vërtetë edhe ai që voton Ramën ka pasaportë shqiptare.Kjo e komplikon shumë revolucionin.Sepse do të ishte shumë më praktike sikur “popull” të quheshin vetëm ata që janë në protestë.Të tjerët mund t’i quanim: “popull teknik”.Prandaj propozoj që protestat e ardhshme të organizohen me rregulla të qarta.Në hyrje të shpërndahen: një pankartë, një bilbil, dy vezë, një domate, dhe një certifikatë:“Mbajtësi i këtij dokumenti autorizohet të flasë në emër të 2.4 milionë shqiptarëve.”Për protestuesit më aktivë mund të jepet edhe licenca premium:“Lejohet bllokimi i kryqëzimeve, sharja kolektive dhe përdorimi i produkteve bujqësore kundër deputetëve.”Ndërsa policia të pajiset me një tabelë të madhe: “QYTETARË, MOS U SHQETËSONI. RRUGA ËSHTË E BLLOKUAR NË EMËR TË LIRISË SUAJ.”

Sepse protesta është e shenjtë në demokraci. Por demokracia nuk është: Unë protestoj, prandaj ti hesht.Nuk është: Unë jam 5 mijë veta, prandaj jam 2.4 milionë.Dhe sidomos nuk është: Unë kam mikrofonin, prandaj jam populli.Se po qe kështu, nuk na duhen më zgjedhje. Blejmë një palë altoparlantë më të fuqishëm. Dhe kush bërtet më fort… merr qeverinë.

© Top Channel 2001 – 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i
përmbajtjes së kësaj faqeje.

Read More
Lajme Video

“Nga 3.7 e 6.5 milionë që i kanë, gjyqtarët i duan pagat deri 9.9 milionë”, ministri Malaj reagon pasi u kallëzua në SPAK: Zbatova ligjin, janë 40 milionë euro shtesë në vit

Pas kallëzimit penal të depozituar në SPAK ndaj tij, sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Financave dhe drejtuesve të 16 degëve të Thesarit, ministri i Financave, Petrit Malaj, ka reaguar duke mbrojtur qëndrimin e institucionit për pagesat e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Njëzet nëpunës autorizues të gjykatave në vend, së bashku me kryetarët e Unionit të Gjyqtarëve, Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve dhe Shoqatës së Prokurorëve, kanë depozituar më 8 shtator kallëzim penal në SPAK, duke kërkuar hetimin e Malajt, Gentian Kërit dhe përgjegjësve të degëve të Thesarit për bllokimin e pagave për muajin gusht.

Në reagimin e tij, Malaj e konsideron situatën si një përshkallëzim të konfliktit mes pushtetit gjyqësor dhe ekzekutivit, ndërsa thotë se Ministria e Financave ka vepruar në përputhje me ligjin.

“Të kallëzohesh sepse po zbaton ligjin, nga garantët e barazisë para ligjit!”, shkruan ministri.

Sipas Malajt, arsyeja e bllokimit lidhet me faktin se Ministria e Financave ka refuzuar të ekzekutojë shtesat e kërkuara të pagave pa një vendim të ri të Parlamentit.

“Ne kemi refuzuar të hapim dyert e thesarit të shtetit për të nxjerrë që aty pa vendim të parlamentit një volum të konsiderueshëm parash, si shtesë rroge për gjyqtarët dhe prokurorët”, shprehet ai.

Ministri thekson se qeveria dhe përfaqësues të Parlamentit kanë deklaruar publikisht se nuk do të pengohet zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pagat e magjistratëve.

Sipas tij, çështja pritet të adresohet më 17 shtator, kur parashikohet miratimi i ligjit që do t’i japë Ministrisë së Financave kompetencat administrative për veprimin në këtë drejtim.

“Askush nuk do të pengojë adresimin e çështjes së pagave sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Kjo do të ndodhë më 17 shtator, kur të miratohet ligji që i jep Ministrisë së Financave të drejtën administrative të veprimit”, deklaron Malaj.

Ai shprehet se, pavarësisht kësaj, përfaqësuesit e pushtetit gjyqësor kanë zgjedhur të përshkallëzojnë përplasjen përmes kallëzimit penal.

Të kallëzohesh sepse po zbaton ligjin, nga garantët e barazisë para ligjit!

Sot, në Ministrinë e Financave u depozitua një kallëzim penal për mua si titullar i institucionit, Sekretarin e Përgjithshëm dhe drejtorët e thesarit në të gjithë Shqipërinë.

Arsyeja: Kemi refuzuar të hapim dyert e thesarit të shtetit për të nxjerrë që aty pa vendim të parlamentit një volum të konsiderueshëm parash, si shtesë rroge për gjyqtarët dhe prokurorët.

Nuk dua të bëj asnjë polemikë me askënd dhe as të risqaroj pozicionin e Ministrisë së Financave, ndërkohë që është thënë publikisht nga qeveria shqiptare dhe përfaqësuesit e Parlamentit, se askush nuk do të pengojë adresimin e çështjes së pagave sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Kjo do të ndodhë më 17 shtator, kur të miratohet ligji që i jep Ministrisë së Financave të drejtën administrative të veprimit.

Por, kjo nuk i ka penguar përfaqësuesit e pushtetit gjyqësor që të përshkallëzojnë konfliktin me ekzekutivin duke nënshkruar një kallëzim penal që do ta marrë me siguri historia.

Ndërkohë unë sot dua t’u bëj me dije qytetarëve sa kushton kërkesa e kallzuesve të nderuar, sipas shkallës së pagave:

Gjyqtar i Grupit të III në GJKKO

Efekti total në buxhetin e shtetit me këto kërkesa është 40 milionë euro shtesë, çdo vit. Por nuk mbyllet këtu.

Magjistratët kërkojnë rishikim të pagave për periudhën 2023-2026 me një efekt në buxhetin e shtetit 125 milionë euro.

Ndërkohë u them drejtoreve të Thesarit në të gjithë Shqipërinë dhe Sekretarit të Përgjithshëm, që sot u kallëzuan së bashku me mua, se duhet të vazhdojnë ta kryejnë detyrën e tyre me qetësi dhe pa u intimiduar, duke ruajtur gjithmonë me rigorozitet financat e shtetit, të udhëhequr nga ligji.

© Top Channel 2001 – 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i
përmbajtjes së kësaj faqeje.

Read More
Lajme Video

Vrau shqiptarin dhe e dogji brenda makinës, merr kthesë krimi makabër, familja në agoni pas detajeve të reja

Përgjegjësia e Cristiano Mossalit për vrasjen e shqiptarit Nexhat Ramës konsiderohet e sigurt, ndërsa ajo që mbetet për t’u përcaktuar është nëse krimi ishte i paramenduar, siç ka pretenduar gjatë gjithë kohës Prokuroria, apo jo.

Ky është ndryshimithelbësorqë pritet të përcaktojë edhe dënimin përfundimtar të 56-vjeçarit nga Capriolo, pasi vendimi është apeluar. Në shkallën e parë, Gjykata e Krimeve të Rënda e dënoi Mossalin me 27 vite burg, ndërsa Gjykata e Apelit e uli dënimin në 14 vite, duke vlerësuar se paramendimi nuk ishte provuar në mënyrë të mjaftueshme.

Mossali, mekanik makinash nga Capriolo, ndodhet në burg që prej fillimit të shtatorit, katër vite më parë. Ai akuzohet për vrasjen e Nexhat Ramës në servisin e tij të riparimit të automjeteve dhe më pas për djegien e trupit dhe të makinës së viktimës në një zonë rurale, jo shumë larg banesës së tij.

Tashmë, 56-vjeçari do të duhet të presë muajt në vijim për të mësuar se sa kohë do të duhet të qëndrojë ende në burg dhe nëse dënimi përfundimtar do të jetë ai i vendosur nga Gjykata e Apelit apo do të rikthehet në fuqi dënimi më i rëndë i shkallës së parë.

Në qendër të çështjes mbetet pikërisht pyetja nëse Mossali e kishte planifikuar më parë vrasjen apo bëhet fjalë për një krim pa paramendim. Një përcaktim që sjell një diferencë të konsiderueshme në dënim: nga 27 vite burg në shkallën e parë, në 14 vite sipas vendimit të Apelit.

© Top Channel 2001 – 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i
përmbajtjes së kësaj faqeje.

Read More
Lajme Video

Shpërthen kaosi në gjyqin për grabitjen e Donnarummës, i dyshuari kërcënon policët

Tension dhe momente kaotike gjatë procesit gjyqësor për grabitjen në shtëpinë e portierit italian Gianluigi Donnarumma.

Ilyas Kherbouch, personi i dyshuar si një prej organizatorëve kryesorë të grabitjes, është përplasur verbalisht me efektivët e policisë gjatë seancës. Situata nisi kur policët i kërkuan njërit prej vëllezërve të të pandehurit, i cili ndodhej në sallën e gjyqit, të mos komunikonte me të. Kërkesa shkaktoi një debat dhe një prej efektivëve i kërkoi vëllait të largohej nga salla.

Në atë moment, Kherbouch reagoi ashpër ndaj policëve, duke i fyer dhe kërcënuar. Situata u përshkallëzua më tej dhe në sallën e gjyqit hynë 11 efektivë policie për të larguar një prej vëllezërve të të pandehurit. Por edhe pas ndërhyrjes së tyre, Kherbouch vijoi me ofendimet dhe kërcënimet, duke sfiduar efektivët dhe duke u thënë se nuk kishte frikë prej tyre, edhe nëse do të ishin me mijëra.

Në fund, ai i kërkoi vëllait të largohej nga salla, ndërsa vazhdoi përplasjen verbale me policët. Ngjarja ka shtuar tensionin në një proces që lidhet me grabitjen e banesës së Donnarummës, ku portieri dhe partnerja e tij u përballën me një situatë të rëndë gjatë grabitjes.

© Top Channel 2001 – 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i
përmbajtjes së kësaj faqeje.

Read More