Lajme Video

Lajme Video

Fluturime direkte mes Luksemburgut dhe Tiranës, ministri Hoxha: Një tjetër kompani ajrore evropiane vjen në Shqipëri

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ferit Hoxha njoftoi në rrjetin social X, vendosjen e fluturimeve direkte midis Luksemburgut dhe Tiranës përmes kompanisë Luxair.

Ministri e konsideroi një lajm të shkëlqyer ardhjen e një tjetër kompanie ajrore evropiane në Shqipëri.

“Duke filluar nga 29 marsi 2027, kjo linjë e re që do të funksionojë gjatë gjithë vitit do të kryejë fluturime dy herë në javë, të hënave dhe të premteve, duke krijuar lidhjen e parë të rregullt ajrore direkte midis Luksemburgut dhe Shqipërisë”,shkruan Hoxha.

Sipas tij, një lidhje e re dhe e mirëpritur mes dy vendeve tona do t’i afrojë edhe më shumë njerëzit, bizneset dhe komunitetet tona.

Më herët, në 21 Prill të këtij viti, Ministri Hoxha pati zhvilluar një vizitë në selinë e Luxair ku në një takim me CEO-n e kompanisë, Gilles Feith, u diskutua pikërisht mundësia e lidhjes Luksemburg – Tiranë përmes fluturimeve direkte.

© Top Channel 2001 – 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i
përmbajtjes së kësaj faqeje.

Read More
Lajme Video

Botërori 2030, finalja do të luhet në Marok? Stadiumi do të ketë 115 mijë vende

Finalja e Kupës së Botës 2030 pritet të zhvillohet në Marok, në një stadium gjigant që po ndërtohet në provincën Benslimane.

Lajmi është bërë publik nga presidenti i Federatës Marokene të Futbollit, Fouzi Lekjaa, i cili deklaroi gjatë një takimi politik se kjo zonë do të ketë nderin të presë finalen e Botërorit.

Ndeshja më e rëndësishme e turneut do të zhvillohej në Stadiumin Hassan II, që aktualisht është në ndërtim dhe parashikohet të ketë një kapacitet prej 115 mijë spektatorësh.

Nëse projekti realizohet sipas planit, stadiumi do të bëhet një nga impiantet më të mëdha në botë, duke i dhënë Marokut një skenë spektakolare për finalen e Kupës së Botës.

© Top Channel 2001 – 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i
përmbajtjes së kësaj faqeje.

Read More
Lajme Video

Zgjedhja e Presidentit të Kosovës, Kurti: Marrëveshja politike nuk mjafton, na duhen edhe numrat

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se marrëveshja politike e arritur mes partive nuk është e mjaftueshme për të shmangur zgjedhjet e reja.

Para nisjes së seancës konstituive të Kuvendit, Kurti tha se marrëveshja duhet të sigurojë edhe numrat e nevojshëm për funksionalizimin e institucioneve dhe, veçanërisht, për zgjedhjen e presidentit.

Sipas tij, për zgjedhjen e presidentit kërkohet prania e dy të tretave të deputetëve në Kuvend. Kurti tha se marrëveshja e deritanishme nuk duket se garanton këtë kuorum. “Për ta zgjedhur presidentin ose presidenten, na duhet që dy të tretat e deputetëve të jenë të pranishëm në Kuvend. Por marrëveshja politike duket se nuk ka qenë e mjaftueshme”, deklaroi Kurti.

Ai tha se për këtë arsye duhet të sigurohet pjesëmarrja e të gjithë deputetëve që mbështesin kandidatin e përbashkët për president, profesor Bekim Sejdiu, ose të sigurohen vota shtesë nga deputetë të tjerë.

Kurti theksoi se synimi i marrëveshjes politike ka qenë pikërisht sigurimi i votave të nevojshme për funksionalizimin e institucioneve dhe shmangien e një procesi të ri zgjedhor.

Megjithatë, ai konfirmoi se deputetët e subjektit të tij do të marrin pjesë në seancën konstituive të Kuvendit, të thirrur nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari. “Meqë kemi marrëveshje politike dhe kryesuesi i seancës, deputeti më i vjetër Avni Dehari, e ka thirrur seancën konstituive, ne i përgjigjemi pozitivisht”, tha Kurti.

© Top Channel 2001 – 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i
përmbajtjes së kësaj faqeje.

Read More
Lajme Video

Kodi për financimin e grave sipërmarrëse, Shqipëria pjesë e nismës me BERZH, vetëm 31.6% e bizneseve menaxhohen nga gratë në vend

31.6% e ndërmarrjeve në Shqipëri menaxhohen nga gratë në Shqipëri, por përfshirja e tyre për të ngritur dhe zgjeruar bizneset mbetet një nga sfidat e zhvillimit ekonomik që Shqipëria mbart.

Por përtej shifrave të përgjithshme, hendeku në aksesin në financim dhe vështirësitë që hasin gratë sipërmarrëse mbeten një pengesë për zhvillimin e plotë të potencialit të tyre ekonomik. Në këtë drejtim, Shqipëria i është bashkuar një nisme globale që synon të krijojë më shumë mundësi financimi për bizneset e drejtuara nga gratë.

“E konsiderojmë këtë një angazhim të rëndësishëm për përfshirjen financiare. Përpjekja mbështetet në tre shtylla: lidership institucional, të dhëna që identifikojnë boshllëqet dhe, mbi të gjitha, veprime konkrete”, tha guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko

“Barazia gjinore nuk është thjesht një qëllim në vetvete. Të dhënat janë thelbësore për të kuptuar boshllëqet dhe për të hartuar strategji që mund të zgjerojnë aksesin e grave në financë. Digjitalizimi është i rëndësishëm, por sipërmarrja e grave është dhe më e rëndësishme. Kjo nismë globale është financuar nga shumë shtete: Danimarka, Gjermania, Suedia, Japonia, SHBA, Emiratet Arabe etj”, u shpreh Francois Malige, Përfaqësues i BERZH.

Kodi për financimin e grave sipërmarrëse synon të mbledhë dhe përdorë më mirë të dhënat e ndara sipas gjinisë, duke identifikuar boshllëqet që gratë sipërmarrëse hasin në aksesin në kredi dhe produkte financiare. Iniciativa në Shqipëri do të udhëhiqet nga Banka e Shqipërisë, me mbështetjen e BERZH.

© Top Channel 2001 – 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i
përmbajtjes së kësaj faqeje.

Read More
Lajme Video

VIDEO/ Tre punonjës të plagosur dhe karburanti i gjithi i shkatërruar, detajet e incidentit që tronditi kryeqytetin. Reagon policia

Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur mëngjesin e sotëm zonën e Brrylit në Tiranë, duke shkaktuar plagosjen e tre punonjësve dhe dëme të konsiderueshme materiale në një karburant.

Sipas të dhënave paraprake, shpërthimi dyshohet se ka ardhur nga një bombol gazi në ambientet e karburantit, ku kryhet furnizimi i automjeteve.

Si pasojë e shpërthimit, një strukturë njëkatëshe është dëmtuar rëndë dhe pjesërisht është shembur. Brenda saj akomodoheshin edhe punonjësit e karburantit.

Në momentin e ngjarjes, në ambientet e karburantit ndodhej edhe një automjet që po furnizohej me gaz. Nuk dihet ende nëse ka persona të tjerë të përfshirë apo të dëmtuar.

Tre punonjësit e plagosur janë transportuar në spital për të marrë ndihmë mjekësore. Gjendja e tyre shëndetësore ende nuk është bërë e ditur.

Pas shuarjes së flakëve, zjarrfikësit kanë nisur pastrimin e rrugës, e cila vijon të jetë e bllokuar për qarkullimin.

Rruga pritet të hapet vetëm pasi të përfundojnë ndërhyrjet dhe të rikthehet situata në gjendje normale, për të garantuar sigurinë e kalimtarëve dhe automjeteve.

Ndërkohë, në zonë po punohet edhe për largimin e pasojave të shpërthimit. Një fadromë është angazhuar për heqjen e inerteve të mbetura pas shkatërrimit të strukturës së karburantit dhe godinës njëkatëshe ku qëndronin punonjësit.

Autoritetet dhe grupet e emergjencës vijojnë punën në vendngjarje, ndërsa pritet të përcaktohen me saktësi rrethanat dhe shkaku i shpërthimit.

Pas incidentit, ka reaguar policia, që në një informacion paraprak shkruan:“Tiranë. Tek “Brryli”, në një karburant, dyshohet se ka shpërthyer një bombul gazi, gjatë kohës që po furnizohej me karburant një automjet.

Si pasojë, janë dëmtuar 3 persona, punonjës të karburantit, të cilët janë dërguar në spital për mjekim, jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e rrethanave të rastit”.

© Top Channel 2001 – 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i
përmbajtjes së kësaj faqeje.

Read More
Lajme Video

Një nga ikonat e muzikës greke/ Kush ishte Giorgos Mazonakis që prej vitesh pushtoi skenën, këngët që shënjuan karrierën e tij

Lajmi për vdekjen e këngëtarit Giorgos Mazonakis në moshën 54-vjeçare shkaktoi tronditje në të gjithë Greqinë.

Interpretuesi i njohur pësoi një atak kardiak dhe ndërroi jetë të mërkurën pasdite (8/9) në spitalin “Elpis”. Sipas informacioneve fillestare, Giorgos Mazonakis mbërriti në Elpis me ambulancën e EKAB. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta ringjallur, ai nuk mundi ta bënte këtë dhe dha frymën e fundit.

Giorgos Mazonakis lindi dhe u rrit në Nikea, Pire, por është me origjinë nga Sitia, Kretë.

Ai u rrit duke dëgjuar këngë klasike popullore nga zëra si Stratos Dionysiou, Yiannis Parios, Marinella, Haris Alexiou, por edhe shumë rock të huaj. Shumë shpejt, në moshën vetëm 15 vjeç, ai e kuptoi se ajo që donte vërtet ishte të bëhej këngëtar profesionist.

Ai këndoi për herë të parë në një klub nate në Patra, ku Universal Music (atëherë Polygram) e zbuloi në verën e vitit 1992. Giorgos Mazonakis, me temperamentin e tij unik, interpretimin e tij të veçantë dhe pikëpamjet e tij pioniere, ndryshoi mënyrën e jetës së natës, me paraqitjet e tij shumë të suksesshme në klubet e natës të njohura në Athinë.

Njëkohësisht, ai kishte bërë shumë paraqitje në të gjithë Greqinë, Qipron, Gjermaninë, Australinë, si dhe në shtete të ndryshme të Amerikës, si: Nju Jorku, Nju Xhersi, Atlantik Siti dhe Çikago. Gjithashtu, një nga hitet e tij më të mëdha u publikua në Itali me rastin e suksesit të këngës “I Miss You” në një reklamë makinash atje.

Në vitin 2002, ai këndoi dy këngë të Stamatis Kraounakis në kolonën zanore të filmit të Nikos Panagiotopoulos “Jam lodhur të vras ​​të dashurit e tu”, “Kamikazi” dhe “Kimeronei Pali”.

Giorgos Mazonakis ishte i njohur për ndryshimet e tij progresive në stil dhe repertor.

Albumi i parë i Giorgos Mazonakis u publikua në vitin 1993, “Mesanykhta kai kato”. Vitin pasardhës, albumi “Me ta matia na to les” e dërgoi atë në krye të top listave me hitet “3 to proy”, “Anikho se mena” dhe “Mi mou tserais”. Në vitin 1996, u publikua kënga “Mou leipeis”. Pasuan shumë këngë dhe albume CD, si “Paidi tis Nykhtas” në vitin 1997, e cila u bë platin, kënga “Thelo na gyresyo” me tekst nga Nikos Vourliotis, etj.

Bashkëpunimet e Giorgos Mazonakis ishin të shumta dhe veçanërisht të rëndësishme. Ai kishte luajtur me Stamatis Gonidis, Goin’ Through, Notis Sfakianakis dhe Mary Linda, e cila këndoi këngën “I Don’t Want to Come Back Again” për albumin e tij “In Front of a Microphone”.

© Top Channel 2001 – 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i
përmbajtjes së kësaj faqeje.

Read More
Lajme Video

Ekzekutohet me armë zjarri 35-vjeçari shqiptar në Itali, autoritetet dyshojnë për “larje hesapesh” nga trafiku i drogës

Një 35-vjeçar shqiptar është gjetur i pajetë në një makinë të fundosur në Padova, Itali. Sipas Prokurorisë së Padovës, viktima është vrarë me armë zjarri.

Sipas mediave italiane, trupi u zbulua mëngjesin e 9 shtatorit, brenda një automjeti tip Fiat Bravo, në Via del Santo.

Hetimet e para mjeko-ligjore kanë evidentuar përdorimin e një arme zjarri. Për momentin, një nga pistat kryesore të hetimit është ajo e një larjeje hesapesh në ambientet kriminale të lidhura me trafikun e drogës, por kjo mbetet një hipotezë që po verifikohet nga hetuesit.

Karabinierët analizuan pamjet e kamerave të sigurisë së një punishteje zdrukthëtarie që ndodhet përballë vendit ku u gjet automjeti.

Njëra prej kamerave, e vendosur në pjesën e jashtme të magazinës, mbulon pjesërisht edhe rrugën. Hetuesit kanë marrë dhe shqyrtuar pamjet, duke u kthyer edhe në ditët e mëparshme, por deri tani ato nuk kanë dhënë elemente të mjaftueshme për të përcaktuar autorët apo dinamikën e ngjarjes.

Në fokus të hetimit është edhe vetë automjeti. Ekspertët do të analizojnë çdo gjurmë biologjike, përfshirë gjurmët e mundshme të gjakut në pjesën e pasagjerëve.

Këto prova mund të ndihmojnë hetuesit të përcaktojnë se ku dhe kur është vrarë 35-vjeçari, si dhe nëse trupi është transportuar më pas në automjet.

Një tjetër element që po shqyrtohet është fakti se sediljet e pasme të makinës ishin të palosura, ndërsa duart e viktimës ishin të lidhura.

Hetimet vijojnë për të rindërtuar lëvizjet e viktimës, për të përcaktuar vendin e krimit dhe për të identifikuar personat përgjegjës për vrasjen.

© Top Channel 2001 – 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i
përmbajtjes së kësaj faqeje.

Read More
Lajme Video

Dita e dytë e bojkotit në Gjykatën e Tiranës, administrata vijon protestën për pagat. Avokatët nuk paraqiten në GJKKO

Duke braktisur gjyqet në Gjykatën e Posaçme, si të avokatëve të tjerë, mbrojtësi Alban Qafa nisi protestën ndaj shkallës së parë, por jo ndaj Apelit.

Megjithëse ndajnë të njëjtën godinë, të dyja gjykatat kanë rregullore të ndryshme. Siç raporton gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, Apeli i Posaçëm i lejon telefonat për avokatët dhe nuk kërkon akreditim për gazetarët, ndërsa Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur bllokimin e tyre.

Përmes bojkotit të çdo gjykimi në themel dhe pa afat, avokatët kërkojnë rishikimin e rregullores. Ndërkohë, në ditën e parë të braktisjes së GJKKO-së, u shtynë 7 seanca. Në Apel, gjyqi ndaj ish-ministrit Lefter Koka u zhvillua.

Kur prej të enjtes nisin procese të rëndësishme, si ai ndaj ish-presidentit Ilir Meta, Erion Veliajt dhe Sali Berishës, është vendosur që edhe këto gjykime të braktisen.

Edhe gazetarët e drejtësisë, nga ana e tyre, nuk kanë pranuar të akreditohen pranë GJKKO-së, pasi në formular kërkohen të dhëna personale.

Bojkoti ishte kryefjalë e ditës edhe për administratën gjyqësore, e cila kërkoi sërish të zhbllokohen pagat e tyre.

Përmes këtij peticioni, të nisur Ministrisë së Financave dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor, administrata kujton se nuk është palë e konfliktit institucional mes palëve dhe se ky konflikt nuk i përket asaj.

“Ne kushtet kur në listëpagesa janë identifikuar zërat që kanë problem pagat e magjistratëve, kërkojmë që Ministria e Financave të ndërhyjë dhe të marrë masat për administratën. Në të kundërt, thuhet në shkresë, do të detyrohemi të marrim masa, deri në mosparaqitjen në vendin e punës.”

Dhe ndërsa nuk ka asgjë të re nga fronti i pagave, të enjten të gjithë gjyqtarët do të mblidhen në Polin e Drejtësisë, ku do të dalin me një vendim të përbashkët.

© Top Channel 2001 – 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i
përmbajtjes së kësaj faqeje.

Read More
Lajme Video

I lidhën duart, e futën në makinë me qese të zezë dhe e hodhën në lumë, detaje nga ekzekutimi i 35-vjeçarit shqiptar në Itali. Zbulohet identiteti

Trupi i pajetë i një shqiptari u gjet në ujërat e lumit Tergola në provincën e Padovës një ditë më parë, ndërsa viktima është identifikuar si Ferdinant Hoti, 35 vjeç.

Hoti u gjet të martën, më 8 shtator, i futur në një qese të zezë në pjesën e pasme të një automjeti tip “Fiat Bravo”, i cili kishte përfunduar në ujërat e lumit.

Ekzaminimet e para mjeko-ligjore kanë konfirmuar se 35-vjeçari ishte vrarë me armë zjarri, ndërsa duart i ishin lidhur.

Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se bëhet fjalë për një ekzekutim dhe pista kryesore e hetimit lidhet me një larje hesapesh të mundshme të lidhur me trafikun e drogës.

Hetimet po kryhen nga Karabinierët e Njësisë Hetimore të Komandës Provinciale të Padovës, në bashkëpunim me Kompaninë e Cittadella-s. Çështja po koordinohet nga prokurorja publike Claudia Brunino.

Identifikimi i viktimës shënon një moment të rëndësishëm në hetim, i cili tashmë është përqendruar në rindërtimin e lëvizjeve të fundit të Hotit, njohjeve të tij dhe personave me të cilët ai ka pasur kontakte në orët para vdekjes.

Ekzaminimet fillestare mjeko-ligjore kanë konfirmuar natyrën e dhunshme të vdekjes. Dyshohet se Hoti është qëlluar nga afër. Kur trupi i tij përfundoi në lumin Tergola, ai ishte tashmë i vdekur.

Trupi dyshohet se ka qëndruar i zhytur për disa orë. Megjithatë, pritet që autopsia të japë të dhëna më të sakta për kohën e vdekjes dhe rrethanat në të cilat ka ndodhur vrasja.

Një nga pyetjet kryesore të hetimit lidhet me vendndodhjen ku u hodh automjeti. Hetuesit po përpiqen të zbulojnë nëse personat që e çuan “Fiat Bravo”-n në lumin Tergola e njihnin zonën apo kanë mbërritur aty rastësisht.

Automjeti u fundos pranë një dige, ku niveli i ujit ishte aq i lartë sa e mbuloi pothuajse tërësisht. Megjithatë, zona ka një rrethrrotullim pranë saj, përshkohet nga një arterie e rëndësishme rrugore, është e ndriçuar edhe gjatë natës dhe monitorohet nga disa kamera sigurie.

Pikërisht pamjet e kamerave mund të jenë një prej provave më të rëndësishme për hetimin.

Karabinierët po përpiqen të rindërtojnë itinerarin e ndjekur nga “Fiat Bravo” përpara se të mbërrinte te ura. Sistemet lokale mundësojnë jo vetëm identifikimin e targave, por edhe regjistrimin e automjeteve që kalojnë në pika të ndryshme.

Hetuesit po verifikojnë nëse një automjet tjetër shfaqet në disa prej këtyre pikave të kontrollit, para ose pas kalimit të “Fiat Bravo”-s. Dyshohet se ky automjet mund të ketë ndjekur ose paraprirë makinën dhe mund të jetë përdorur për largimin e autorëve pas hedhjes së saj në kanal.

Për hetuesit mbetet e vështirë të besohet se në ngjarje ka qenë i përfshirë vetëm një person. Personi ose personat që e kanë çuar automjetin te ura duhet të kenë pasur gjithashtu një mënyrë për t’u larguar shpejt nga zona.

Pamjet e kamerave të sigurisë të bizneseve lokale, përfshirë ato të një punishteje zdrukthëtarie pranë vendit të ngjarjes, po shqyrtohen gjithashtu.

Pamjet e analizuara deri më tani, të cilat i përkasin natës para se të gjendej automjeti, nuk kanë dhënë ende prova përfundimtare. Për këtë arsye, hetimet vijojnë.

Një tjetër mister lidhet me vetë “Fiat Bravo”-n. Automjeti nuk i përkiste viktimës, por ishte i regjistruar në emër të një shtetasi italian, banues në zonën e Venedikut. Sipas raportimeve, ai u ka deklaruar hetuesve se automjeti nuk ishte vjedhur.

© Top Channel 2001 – 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i
përmbajtjes së kësaj faqeje.

Read More
Lajme Video

Albulena Haxhiu zgjidhet kryetare e Kuvendit të Kosovës, merr votëbesimin e 62 deputetëve

Albulena Haxhiu zgjidhet sërish kryetare e Kuvendit të Kosovës.

Pro saj votuan 62 deputetë, 16 kundër, ndërsa abstenim ishin 13 vota. Haxhiu u propozua nga Lëvizja Vetëvendosje.

“LVV për kryetare të Kuvendit të Kosovës e propozon zonjën Albulena Haxhiu. Është arritur një marrëveshje politike me LDK për presidentin, kështu që konsideroj se mund të procedojmë me këtë propozim”, tha deputeti Glauk Konjufca.

Zgjedhja e saj i hap rrugë përmbylljes së procesit të konstituimit të Kuvendit dhe procedimit me hapat e tjerë për formimin e institucioneve të reja.

© Top Channel 2001 – 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i
përmbajtjes së kësaj faqeje.

Read More