
Droni me eksplozivë në aeroportin e Leipzigut, Lavrov kërcënon: Është fillimi i një lufte të vërtetë
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka hedhur poshtë akuzat gjermane për përfshirjen e Moskës në incidentin me një dron të pajisur me eksplozivë në aeroportin e Leipzigut dhe ka paralajmëruar se pretendimet kundër Rusisë mund të çojnë në një përshkallëzim serioz.
“Akuzat kundër Rusisë janë fillimi i një lufte të vërtetë”, deklaroi Lavrov, duke i cilësuar pretendimet e Berlinit si një provokim të nxituar.
Incidenti në aeroportin Leipzig/Halle është kthyer në një çështje të ndjeshme mes Gjermanisë dhe Rusisë. Autoritetet gjermane dyshojnë se droni i zbuluar pranë një avioni transporti ukrainas kishte karakteristika të teknologjisë ruse dhe ishte i ngarkuar me eksplozivë.
Hetimet gjermane kanë çuar deri tani te dy persona të dyshuar për përfshirje në operacion. Njëri prej tyre është një burrë me origjinë ruse dhe pasaportë letoneze, i cili dyshohet se ka koordinuar operacionin dhe se ka kontakte me shërbimet sekrete ruse.
Sipas mediave gjermane, ai kishte hyrë në Gjermani përmes aeroportit të Berlinit dhe më pas kishte udhëtuar drejt Leipzigut me një makinë me qira. Pas incidentit, ai ishte larguar përsëri nga Gjermania.
Hetuesit kanë përdorur edhe prova biologjike për të identifikuar një të dyshuar të dytë. Gjurmë ADN-je u gjetën në një prej dronëve, brenda një ene metalike me eksplozivë, si dhe në një antenë të vendosur pranë aeroportit.
Sipas autoriteteve, antena mund të jetë përdorur për të përforcuar sinjalet e telefonisë celulare që shërbenin për kontrollin e dronëve.
Krahasimi i materialit gjenetik me bazat e të dhënave evropiane çoi hetuesit te një burrë me origjinë bjelloruse, i cili gjithashtu disponon pasaportë ruse. Autoritetet kanë rindërtuar lëvizjet e tij në Gjermani dhe dyshohet se ai kishte hyrë në vend me një vizë turistike italiane.
Pavarësisht këtyre zhvillimeve, autoritetet gjermane mbeten të kujdesshme në lidhje me përfshirjen e mundshme të Rusisë dhe mundësinë për të çuar të dyshuarit përpara drejtësisë.
Moska mohon çdo përfshirje në incident. Ambasada ruse në Berlin e ka cilësuar rastin si një “provokim të nxituar” dhe ka shprehur shqetësim për atë që e quan një valë të re të “histerisë anti-ruse” në Gjermani.
Çështja pritet të rrisë më tej tensionet mes Berlinit dhe Moskës, në një kohë kur Gjermania dhe aleatët e saj po përballen me një sërë akuzash për aktivitete të dyshuara ruse në territorin evropian.
© Top Channel 2001 – 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i
përmbajtjes së kësaj faqeje.
