
Ekskluzive/ Debati për pagat e magjistratëve, Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela thërret mbledhje urgjente, ç’pritet të ndodhë sot
Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela ka thirrur mbledhje urgjente në selinë qendrore të akuzës për çështjen e pagave të bllokuara të magjistratëve.
Burime i thanë gazetares së Top Channel, Anila Hoxha se mbledhja është kërkuar dje, dhe ka nisur sot në orën 10:00, në Tiranë.
Kryeprokurori Çela ka thirrur takimin me shefat e prokurorive në rrethe dhe me Shoqatën e Prokurorëve të Shqipërisë, ndërsa janë ftuar të marrin pjesë edhe anëtarët e KLP, përpara se nga kjo mbledhje të dilet me një qëndrim të përbashkët prej akuzës.
Gjatë ditës së djeshme ka pasur reagim nga Kushtetuesja për pagat e bllokuara të gjyqtarëve dhe prokurorëve, për të cilët dy këshillet kishin llogaritur pagat e reja sipas një formule të kërkuar nga Gjykata Kushtetuese.
Por ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, e bëri të qartë në fundjavë, gjatë një konference, se çështja e pagave zgjidhet me ligj dhe përmes Kuvendit, të cilit më 30 korrik i kaloi projektligji i ri për pagat.
© Top Channel 2001 – 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i
përmbajtjes së kësaj faqeje.
