
Formula 1/ Magji e Antonelli-t në Monza, piloti Italian niset nga vendi i 19-të dhe fiton garën, lë pas Russell dhe Verstappen
Kimi Antonelli ka shkruar një nga historitë më të bukura të këtij sezoni në Formula 1.
Në pistën legjendare të Monzës, piloti italian e nisi garën nga vendi i 19-të, por kjo nuk e pengoi të realizonte një rikthim spektakolar.
Antonelli kaloi njëri pas tjetrit rivalët dhe, pas një gare të jashtëzakonshme, mori flamurin me kuadrate në vendin e parë.
Fitorja u vendos pas një dueli të gjatë me George Russell, me dy pilotët e Mercedes që luftuan fort për triumfin në shtëpinë e Antonelli-t.
Russell u detyrua të kënaqej me vendin e dytë, ndërsa Max Verstappen kompletoi podiumin.
Pas tyre, Lando Norris u rendit i katërti, i ndjekur nga Oscar Piastri në vendin e pestë dhe Lewis Hamilton në të gjashtin.
Gara ishte zhgënjyese për Charles Leclerc. Piloti i Ferrarit u përfshi në një përplasje të fortë pas vetëm katër xhirove, duke e mbyllur shumë shpejt garën përpara tifozëve italianë.
Në anën tjetër, Antonelli shfrytëzoi në maksimum çdo mundësi dhe realizoi një prej rikthimeve më spektakolare të sezonit.
Ky triumf ka një rëndësi të madhe edhe për kampionatin.
Me fitoren në Monza, Antonelli ka rritur diferencën në krye të renditjes ndaj George Russell. Piloti italian tashmë ka 66 pikë më shumë se shoku i tij i skuadrës, duke forcuar pozitat në krye të klasifikimit.
© Top Channel 2001 – 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i
përmbajtjes së kësaj faqeje.
