
Testi PISA 2025, Shqipëria në krye të rajonit, Rama: Dëftesë e jashtëzakonshme, kemi lënë pas edhe disa vende që sot janë në BE
Kryeministri Edi Rama ka reaguar për rezultatet e Shqipërisë në testin ndërkombëtar PISA 2025, duke i cilësuar ato si një “dëftesë të jashtëzakonshme” për vendin.
Në një transmetim live në Facebook, Rama vlerësoi përmirësimin e ndjeshëm të nxënësve shqiptarë në matematikë, shkencë dhe lexim, duke theksuar se Shqipëria tashmë renditet e para në rajon në disa prej këtyre fushave. Rama u shpreh se ky rezultat është një vlerësim jo vetëm për qeverinë dhe Ministrinë e Arsimit, por edhe për mësuesit, drejtuesit e shkollave dhe nxënësit.
“Mirëmëngjesi! Ka ditë që shkohet në punë me ndjesinë që kjo është detyra. Ka ditë që shkohet në punë me ndonjë mendim që e përcakton atë ditë si rezultat i një çështjeje që është në tryezë dhe ka ditë si kjo që shkohet në punë me një kënaqësi shumë të madhe, por shumë të madhe. Sepse dje kemi marrë një rezultat, një dëftesë për të cilën kemi punuar shumë fort dhe jo një e dy ditë, po kemi punuar shumë fort për një vit të tërë për të adresuar realisht aty ku duhej të gjitha pikat e nevojshme.
Shqipëria dje ka marrë një dëftesë të jashtëzakonshme, sepse është një dëftesë që i takon atyre që janë drita e syve të prindërve të këtij vendi, nxënësve tanë. Kemi dalë si asnjëherë më mirë në testin PISA 2025, një test i cili përcakton nivelin e të nxënit për fëmijët e arsimit parauniversitar në matematikë, shkencë dhe lexim. Dhe jo vetëm kemi bërë një përparim të jashtëzakonshëm pas atij momenti çoroditjeje që shkaktoi Covidi, edhe ku të gjitha vendet në fakt ranë dhe ne patëm një rënie të ndjeshme, e cila, si të thuash, na dha një shuplakë pas një periudhe të mëparshme rritjeje të butë, por konstante dhe sot jemi faktikisht të parët në rajon. Të parët në rajon, duke zënë vendin që kemi ambicie të zëmë në çdo drejtim dhe në çdo sektor, por që në këtë rast i bën një nder shumë të madh, një nder shumë të madh jo qeverisë thjesht, por i bën një nder shumë të madh në radhë të parë të gjithë atyre që kanë në duar fëmijët tanë.
I bën një nder shumë të madh edhe drejtuesve të shkollave, natyrisht gjithmonë pas mësuesve. Kemi bërë një punë kolosale milingonash me drejtuesit e shkollave. Shkolla e drejtorëve është një histori e qartë suksesi, i bën një nder shumë të madh patjetër edhe vendit si i tillë, sepse krijon një lehtësi psikologjike edhe për prindërit.
Prindërit e mbytur nga balta, prindërit e mbytur nga jargët e gjithfarë lloj vemjesh në kanalet sociale, që nuk lënë orë e minutë pa jashtënxjerrë helm për çdo gjë në këtë vend dhe që natyrisht ngarkojnë psikologjikisht gjithë popullatën.
Është një rezultat fantastik edhe është një rezultat inkurajues, i jashtëzakonshëm. Është një rezultat që flet për punën shumë të mirë të bërë edhe nga Ministria e Arsimit, për punën e bërë nga ministrat e arsimit njëri pas tjetrit dhe ndjehem jashtëzakonisht mirë. Është një histori koti, thotë kjo Eda Merkula. Një histori koti. Një histori koti që Shqipëria del e para në rajon në një test të së ardhmes, në testin për dijet e fëmijëve tanë në shkencë, në matematikë dhe në lexim. Një histori koti.
Ajo është merita e atyre nxënësve, thotë kjo tjetra, që e kanë marrë vetë rezultatin. S’ke pse mburresh. Në fakt, jo. Në fakt, jo. Nxënësit kanë pasur historikisht mes tyre ata më të mirët, ata më të dobëtit, por sikur të ishte meritë thjesht dhe vetëm e tyre, nuk do të ndryshonin rezultate. Do ishte gjithmonë po ashtu.
Çfarë ke bërë për Shqipërinë, thotë, ke 12 vjet? Urdhëro. Po flas sot, tani për një rezultat fantastik. Një nga ato rezultate që ndërtohen vit pas viti, muaj pas muaji, javë pas jave, ditë pas dite, që nuk bëjnë lajm, që nuk bëjnë zhurmë, që nuk krijojnë kushtet për të ngacmuar vëmendjen tënde në rrjetet sociale bashkë me Fatmirin. Bashkë me Fatmirin që thotë: je bërë qesharak. Patjetër, patjetër. Është shumë qesharake kjo që po them, që Shqipëria ka dalë e para në testin më të rëndësishëm për fëmijët tanë, për nxënësit tanë, testin PISA 2025. E para në rajon. Dakord? Se ne matemi me rajonin në radhë të parë dhe pastaj me të tjerët. Ndërkohë që po ju them dhe tjetrën, që jo vetëm kemi bërë një kërcim të jashtëzakonshëm pikësh, por kemi gjithashtu lënë pas edhe disa vende, disa vende që sot janë në Bashkimin Europian.
Dëgjove, Fatmir, se ti qenke insistues në atë marrëzinë tënde. Si po gënjej unë, çfarë po gënjej? Unë po them një të vërtetë që është thënë botërisht dje në shpalljen e rezultateve dhe ti mund të hysh edhe t’i verifikosh, por ti nuk je i interesuar për këtë. Unë e di, edhe s’ke pse je interesuar, sepse ti je i zhytur në helmin e kanaleve sociale dhe më vjen shumë keq. Më vjen shumë keq për ty.
Ndërkohë që më vjen shumë mirë për të gjithë mësuesit, më vjen shumë mirë për të gjithë drejtuesit e shkollave, më vjen jashtëzakonisht mirë për prindërit që tanimë kanë një arsye të marrin frymë lirisht pas gjithë torturës që heqin në këto kanalet sociale, ku çfarë nuk dëgjojnë e çfarë nuk shohin e çfarë nuk u thuhet për fatin e fëmijëve në këtë vend, i cili më të mirën e ka vetëm përpara dhe i cili është një vend që përparon çdo ditë, duan s’duan ata që s’duan. Tani mbërrita, vazhdojmë punën”,shprehet Rama në transmetimin live në “Facebook”.
© Top Channel 2001 – 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i
përmbajtjes së kësaj faqeje.
Lexo edhe këto artikuj të ngjashëm:
- Seit mehr als 100 Tagen wird in Albanien unter dem Banner des Flamingos protestiert – Albanien
- Seit mehr als 100 Tagen wird in Albanien unter dem Banner des Flamingos protestiert – Europa
- Ish-banori i BBV rrëfen për ‘Shqipëria Live’ betejën me sëmundjen e rëndë: Mendova më të keqen, u mbylla në dhomë dhe…
