Lajme Video

Lajme Video

“Krisje” mes Trump dhe Netanyahut, SHBA lejojnë sanksionet ndaj kolonive izraelite

Administrata e Donald Trump nuk ka kundërshtuar nismën e udhëhequr nga Britania e Madhe për vendosjen e sanksioneve të reja ndaj vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar. Lajmi raportohet nga Axios, duke cituar zyrtarë amerikanë dhe diplomatë perëndimorë.

Vendimi i Shtëpisë së Bardhë për të mos penguar nismën britanike, e cila është mbështetur edhe nga 11 vende të tjera perëndimore, shihet si një shenjë e pakënaqësisë së presidentit amerikan Donald Trump ndaj politikës së qeverisë së Benjamin Netanyahu-t në Bregun Perëndimor.

Sanksionet e shpallura nga Britania e Madhe synojnë individë dhe subjekte të përfshira në ndërtimin e vendbanimeve izraelite në territorin e pushtuar. Masat shoqërohen edhe me kufizime ndaj importit të mallrave që vijnë nga këto vendbanime.

Vendimi britanik erdhi pas hapit të qeverisë Netanyahu për të avancuar me një vendbanim të ri në zonën E1, një prej territoreve më të ndjeshme të Bregut Perëndimor. Sipas kritikëve, ndërtimi në këtë zonë mund të ndajë territorialisht Bregun Perëndimor dhe të vështirësojë krijimin e një shteti të ardhshëm palestinez me vazhdimësi territoriale.

12 vende kundër tregtisë me vendbanimet

Përveç Britanisë së Madhe, nismës iu bashkuan Kanadaja, Danimarka, Finlanda, Franca, Islanda, Irlanda, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Spanja dhe Suedia.

Në një deklaratë të përbashkët, këto vende shprehën synimin për të vendosur kufizime kombëtare dhe/ose për të mbështetur masa në nivel evropian ndaj tregtisë së mallrave me vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Ndërtimi i vendbanimeve në zonën E1 ka qenë prej vitesh një çështje e ndjeshme ndërkombëtare. Administratat amerikane, si republikane ashtu edhe demokrate, tradicionalisht kanë kundërshtuar ndërtimet izraelite në këtë zonë, për shkak të ndikimit që ato mund të kenë mbi mundësinë e krijimit të një shteti palestinez.

Qeveria izraelite e Benjamin Netanyahu-t ka reaguar ashpër ndaj vendimit britanik. Në shenjë kundërpërgjigjeje, Izraeli ka njoftuar mbylljen e konsullatës britanike në Jerusalemin Lindor, e cila merret me marrëdhëniet me Autoritetin Palestinez.

Gjithashtu, Tel Avivi ka vendosur të dëbojë diplomatë dhe zyrtarë ushtarakë britanikë të angazhuar në një task-forcë për Gazën, e cila drejtohet nga Shtetet e Bashkuara.

Zhvillimet e fundit tregojnë një përplasje të re diplomatike mes Izraelit dhe aleatëve të tij perëndimorë lidhur me politikën e vendbanimeve në Bregun Perëndimor, ndërsa qëndrimi i administratës Trump ndaj nismës britanike mund të sinjalizojë një qasje më kritike të Uashingtonit ndaj politikave të qeverisë Netanyahu.

© Top Channel 2001 – 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i
përmbajtjes së kësaj faqeje.

Read More
Lajme Video

‘Inzaghi out’/ Tifozët e Al Hilal të zemëruar pas humbjes së parë pas…47 ndeshjesh

Pathyeshmëria e Al Hilal ndërpritet pas 47 ndeshjeve zyrtare. Skuadra e drejtuar nga Simone Inzaghi pësoi humbjen e parë në Arabinë Saudite ne ndeshjen në shtëpi ndaj Neom, sfidë kjo e vlefshme për javën e tretë të sezonit të ri në Saudi Pro League.

Një humbje që vjen pas një serie të gjatë rezultatesh pozitive radhazi; plot 35 fitore dhe 12 barazimeve, por që rindez tensionet rreth trajnerit italiane

Por pavarësisht humbjes, Al Hilal vazhdontë jetë në krye të klasifikimit e megjithatë klima mes tifozëve është e ndezur. Në momentin që doli nga fusha e lojës publiku e duartrokiti skuadrën, por i rezervoi fërshëllima të forta Simone Inzaghit, duke e shoqëruar atë në dhomat e zhveshjes me thirrjen ‘Inzaghi Out’, një frazë që u shndërrua në një hashtag që u bë menjëherë viral në rrjetet sociale.

🚨Al Hilal fans were saying “Inzaghi out” after the club’s loss to Neom SC

Al Hilal are currently 1st in the Saudi Pro League tablepic.twitter.com/Cc1jfPeQVP

— Polymarket Sports (@PolymarketSport)September 7, 2026

Ai që shtoi dozën ishte ish portieri dhe ikona e futbollit saudit, Mohamed Al-Deayea, që sulmoi ashpër Inzaghin.‘Klubi ndërton dhe Inzaghi shkatërron dhe kjo është evidente që nga fundi i sezonit të kaluar-tha Al-Deayea-me një trajner tjetër, rezultatet do të ishin të mrekullueshme’

Raportet mes Inzaghit dhe tifozerisë së Al Hilal, në fakt, u krisën që në sezonin e kaluar për shkak të vendit të dytë në kampionat pas Al Nassr të Cristiano Ronaldos dhe eliminimit në 1/8 e finales së Champions League Aziatike edhe pse erdhi pas vetëm 11 barazimesh e asnjë humbjeje.

Në konferencën për shtyp, Simone Inzaghi që ka një kontratë me pagë 25 milionë euro neto në sezon, nuk kërkoi alibi duke marrë përsipër çdo përgjegjësi dhe duke shfajësuar futbollistët.

‘Përgjegjësia e kësaj humbjeje të dhimbshme që do të më mbajë zgjuar gjithë natën është e gjitha e imja-ishin fjalët e Inzaghit-goli i parë lindi nga një gabim në zonë, i dyti nga markimet e gabuara, do të punojmë për t’u përmirësuar. Këto humbje shërbejnë për të sjellë futbollistët me këmbë në tokë’.

Fjalë të forta përgjegjësie që gjithsesi skicojnë një të ardhmë që është tashmë në provë; një tjetër sezon pa tituj të rëndësishëm mund të mbyllë përpara kohë aventurën arabe të Simone Inzaghit.

© Top Channel 2001 – 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i
përmbajtjes së kësaj faqeje.

Read More
Lajme Video

“Bëhen klipe dasmash”, regjisori Shanaj për kinematografinë shqiptare: Filmat e 40 viteve më parë ende mbeten, përçojnë histori. Sot s’ka talent, por padituri e korrupsion

Prodhimi i filmit shqiptar i viteve të fundit, për regjisorin e njohur Mevlan Shanaj është shumë larg prodhimit të atyre të 30-40 viteve më parë.

Në një intervistë për Top Channel, Shanaj ngre shqetësimin për nivelin artistik të prodhimeve të reja kinematografike, duke kritikuar prirjen për të prodhuar vepra pa vlerë dhe pa qëndrueshmëri artistike.

Shanaj thekson rëndësinë e talentit dhe të ruajtjes së historive e traditave përmes filmit.

“Sot prodhohen filma të paazhornuar me nivelin artistik, që janë bërë dhe nuk kanë mbetur, nëse bën videoklipe…

Unë u thoja studentëve që unë ju mësoj parimin e krijimit të filmit, jo të klipeve për synetlliqe dhe dasma, se këto bëjnë shumica. Pra, krijohen gjëra pa vlerë, të parezistueshme. Këta filma që kanë 30-40 vite rezistojnë dhe publiku i shikon? Sepse në film publiku shikon historinë, i vjen si një legjendë, si një përrallë… si ka qenë tradita, kush kanë qenë paraardhësit, si ishte lufta, si ishte dasma, këto të gjitha tregohen përmes filmit… Por që të bësh një film duhet të kesh talentin, talenti nuk zhvillohet me mediokritet. Në këto vite mendoj se të rinjtë nuk e kanë terrenin për të vlera artistike, por këto janë mbushje”, shprehet ai.

© Top Channel 2001 – 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i
përmbajtjes së kësaj faqeje.

Read More
Lajme Video

“AGIA”, filmi shqiptar përzgjidhet në Festivalin e Varshavës

Filmi shqiptar “AGIA”, me skenar dhe regji të Lorin Terezit, është përzgjedhur në kategorinë 1–2 të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Varshavës, ku do të ketë premierën botërore në edicionin e 42-të të festivalit, që zhvillohet nga 9 deri më 18 tetor 2026.

“AGIA”, i mbështetur financiarisht nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë (QKK) dhe Qendra e Filmit të Malit të Zi (Filmski centar Crne Gore), shënon debutimin e regjisorit të ri Lorin Terezi në filmin artistik me metrazh të gjatë.

Filmi është një bashkëprodhim mes Shqipërisë, Malit të Zi dhe Austrisë, i prodhuar nga Tunnel Film, me producent Florenc Papas, dhe OnFilm Production, me producent Dritan Huqi, në bashkëpunim me Ivan Djurovic, Elly Senger-Weiss dhe Besnik Krapi. Projekti ka marrë gjithashtu mbështetje për zhvillim nga SEE Cinema Network.

I vendosur në Shqipërinë e viteve ’90, në periudhën e rënies së regjimit komunist, filmi ndjek historinë e një gruaje të re që përballet me normat e ngurta të një komuniteti të izoluar dhe kërkon të fitojë hapësirë për jetën, dëshirat dhe zgjedhjet e saj.

Në kastin e “AGIA” janë Luiza Xhuvani, Lulzim Zeqja, Kosovare Krasniqi, Lurni Krasniqi, Afrim Muçaj dhe Luan Jahja.

I themeluar në vitin 1985, Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Varshavës është një festival ndërkombëtar konkurrues, i akredituar nga FIAPF – International Federation of Film Producers Associations.

© Top Channel 2001 – 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i
përmbajtjes së kësaj faqeje.

Read More
Lajme Video

E trishtë/ Vuante prej vitesh nga problemet në zemër, ndahet nga jeta në moshën 22-vjeçare “Miss Austria”

Lucia Sisic, e kurorëzuar Miss Austria 2024, është ndarë nga jeta në moshën vetëm 22-vjeçare.

E reja austriake kishte vuajtur gjatë gjithë jetës nga një problem i lindur në zemër dhe i ishte nënshtruar shtatë ndërhyrjeve kirurgjikale, shkruanBBC.

Lajmi i trishtë u bë i ditur nga Mission Austria, organizata që zhvillon konkurset Miss Austria dhe Mister Austria, përmes një postimi në rrjetet sociale.

“Me tronditje të madhe dhe pikëllim të thellë kemi mësuar për ndarjen nga jeta të Miss Austria 2024, Lucia Sisic”,thuhej në mesazhin e publikuar nga organizata.

Sisic u shpall Miss Austria në vitin 2024 dhe vijonte të mbante kurorën, pasi ende nuk është zhvilluar një konkurs i ri për zgjedhjen e pasueses së saj.

Mission Austria e përshkroi 22-vjeçaren si “një vajzë të re të mrekullueshme”, ndërsa shprehu ngushëllimet për familjen, miqtë dhe të gjithë personat e afërt me të.

“Lucia do të mbetet gjithmonë pjesë e familjes sonë Miss Austria”, thuhej në mesazhin e nënshkruar nga drejtuesja e Mission Austria, Kerstin Rigger, dhe bashkëshorti i saj, Jörg.

Lucia Sisic nuk e kishte fshehur betejën e saj të gjatë me problemet e zemrës. Në vitin 2024, ajo publikoi në Instagram një mesazh falënderimi për ekipin mjekësor pediatrik që ishte kujdesur për të gjatë fëmijërisë.

Ajo kishte treguar se falë mjekëve dhe stafit shëndetësor, të cilët sipas saj i kishin shpëtuar jetën në disa raste, kishte mundur të kapërcente momente të vështira dhe të jetonte një jetë të plotë.

Në një intervistë për median austriake Heute në vitin 2024, Sisic kishte rrëfyer se ndërhyrjen e parë kirurgjikale e kishte kryer menjëherë pas lindjes.

Problemet shëndetësore kishin ndikuar edhe në fëmijërinë e saj. Ajo kishte treguar se nuk mund të merrte pjesë në disa aktivitete sportive dhe se fëmijëria e saj kishte qenë ndryshe nga ajo e bashkëmoshatarëve.

“Fëmijëria ime ishte thjesht ndryshe, por kjo më bëri edhe më të fortë”, kishte deklaruar ajo.

© Top Channel 2001 – 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i
përmbajtjes së kësaj faqeje.

Read More
Lajme Video

Mbrëmje kampionësh në Top Channel, sot Napoli-Arsenal. “Studio Champions League” para dhe pas ndeshjes

Një tjetër mbrëmje e madhe e Champions League vjen sonte në ekranin e Top Channel.

Në fushë, Napoli dhe Arsenal përballen në një nga sfidat më të forta të mbrëmjes, ndërsa për publikun shqiptar kjo përballje do të transmetohet ekskluzivisht dhe falas në Top Channel.

Por spektakli nis shumë më herët sesa minuta e parë e ndeshjes. Në orën 20:00 starton për herë të parë “Studio Champions League”, emisioni i ri që do të shoqërojë mbrëmjet e Champions League në Top Channel.

Në drejtimin e Eduard Manushit, studioja mbledh në panel emra të rëndësishëm të futbollit shqiptar: Alban Bushi, trajneri i Kombëtares U21, Redi Jupi, opinionist dhe ish-futbollist i Kombëtares, si dhe Igli Tare, ish-lojtari i Kombëtares, ish-drejtori sportiv i Lazios dhe ish-drejtori i Milanit.

I ftuar special në këtë premierë do të jetë edhe kapiteni legjendar i Kombëtares shqiptare, Altin Lala. Nga formacionet dhe taktikat, te protagonistët dhe pritshmëritë për duelin Napoli-Arsenal, gjithçka do të analizohet në studion e Top Channel përpara startit të ndeshjes.

Dhe mbrëmja nuk përfundon me vërshëllimën e fundit. Pas ndeshjes, “Studio Champions League” rikthehet me analizën e plotë postndeshje, komentet e protagonistëve, momentet më të rëndësishme dhe diskutimet për atë që ndodhi në fushë, deri në mesnatë.

Champions League, sonte vetëm në Top Channel. Nga ora 20:00, “Studio Champions League”. Më pas, Napoli-Arsenal dhe analiza deri në mesnatë.

© Top Channel 2001 – 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i
përmbajtjes së kësaj faqeje.

Read More
Lajme Video

Protestë për qiratë e tokave, banorët kërcënojnë bllokimin e vendburimeve nëse nuk arrihet marrëveshja

Dhjetëra banorë të zonës naftëmbajtëse Patos-Marinzë janë mbledhur mëngjesin e sotëm para zyrave të kompanisë Bankers Petroleum, duke kërkuar për të disatën herë respektimin e kontratave dhe kryerjen e pagesave për tokat që kanë dhënë me qira.

Sipas banorëve, tokat e tyre përbëjnë një nga burimet e vetme të të ardhurave për familjet e kësaj zone, ndërsa prej kohësh ata pretendojnë se kompania nuk po respekton detyrimet e përcaktuara në kontratat e lidhura me pronarët e tokave.

Nga ana tjetër, kompania ka pretenduar se AKBN nuk njeh disa prej shpenzimeve që lidhen me tokat, ndërsa banorëve u është kërkuar gjithashtu ndryshimi i kontratave dhe çmimit të qirasë së tokës.

Gjatë ditës së sotme, përfaqësues të banorëve zhvilluan një takim me drejtues të kompanisë Bankers Petroleum, por palët nuk kanë arritur një marrëveshje.

Në këto kushte banorët thonë se do të bllokojnë një sektor të aktivitetit të kompanisë, ndërsa më pas nuk do të lejojnë punëtorët e Bankers Petroleum të futen në tokat që pronarët ua kanë dhënë me qira.

© Top Channel 2001 – 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i
përmbajtjes së kësaj faqeje.

Read More
Lajme Video

Përplasja në protestë, Iris Luarasi: Aktivistja që më ofendoi u shoqërua për incidentin me makinën e deputetes Ilva Gjuzi

Deputetja Iris Luarasi ka reaguar sot në rrjetet e saj sociale lidhur me pretendimet se aktivistja që e ofendoi dhe ushtroi dhunë verbale ndaj saj një nate më parë ishte shoqëruar në polici pas një denoncimi të bërë prej deputetes.

Luarasi i cilëson këto pretendime “fake news”, duke sqaruar se shoqërimi i aktivistes nuk kishte lidhje me të, por me një tjetër incident, atë të sulmit ndaj automjetit privat të deputetes Ilva Gjuzi dhe dëmtimit të pasqyrës së makinës së saj.

Nga ana tjetër, Policia ka bërë të ditur se protestuesja Arvina Lleshi është proceduar në gjendje të lirë.

Në reagimin e saj, Luarasi deklaron gjithashtu se deri më tani nuk ka ndërmarrë asnjë hap ligjor ndaj personave që, sipas saj, e denigruan një ditë më parë, ndërsa kundërshton edhe përdorimin e imazhit të saj të montuar mbi trupin e një gruaje tjetër.

FAKE NEWS DHE MANIPULIM I SHËMTUAR. Protestuesja është shoqëruar në komisariat lidhur me sulmin ndaj automjetit privat të deputetes Ilva Gjuzi dhe dëmtimin e pasqyrës së tij dhe s’ka lidhje fare me mua.

Deri më tani nuk kam ndërmarrë asnjë hap ligjor ndaj personave që më denigruan dje. Ata që përdorin manipulimin dhe lajmet e rreme nuk i shërbejnë protestës: e bëjnë pis atë.

Përdorimi i fytyrës sime mbi trupin e një gruaje tjetër është poshtërim publik dhe dhunë digjitale ndaj një gruaje. Kur kësaj i shtohet edhe një lajm i rremë, nuk kemi më as informim, as satirë dhe as gazetari. Gazetaria kërkon të vërtetën, kurse qelbësirllëku ushqehet me gënjeshtrën. Mos i ngatërroni. Dhe qelbësirllëku nuk quhet gazetari.

© Top Channel 2001 – 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i
përmbajtjes së kësaj faqeje.

Read More
Lajme Video

Gafa e tij ndëshkoi Interin, portieri Martinez: Marr përsipër përgjegjësinë, nga gabimet nxjerr mësime

Josep Martinez flet hapur pas gafës së madhe të bërë në ndeshjen me Realin e Madridit në Santiago Bernabeu që e dënoi Interin. Portieri spanjoll u bë protagonist negativ në atë ndeshje te pësimi i golit të dytë nga Los Blancos, por më vonë e fitoi pjesërisht faljen me disa ndërhyrje që e mbajtën skuadrën e Chivut në lojë deri në sekondën e fundit.

Një ditë pas kësaj përballjeje, portieri spanjoll i kampionëve të Italisë iu drejtua rrjeteve sociale duke marrë përsipër përgjegjësinë për gabimin e rëndë të kryer në mbrëmjen e së martës.

‘Marr përsipër përgjegjësinë e gabimit tim të goli i dytë, nuk mund t’i lejojmë vetes të pësojmë gola në atë mënyrë, kur përballesh me një skuadër si Reali i Madridit, që nuk t’i fal gabimet-shkruante Josep Martinez në një postim të tij në Instagram-nuk ka asnjë rrugëtim që të mos ketë rrëzime dhe gabime, si në futboll dhe në jetë. Ringritja pas një momenti vështirësie si ajo e djeshmja të formon një personalitet të fortë që të shërben për të mbrojtur këto ngjyra’

Martinez e mbylli postimin e tij me një mesazh për skuadrën për paraqitjen e bërë në fushën e lojës.

‘Të gjithëve na erdhi keq sepse besoj se skuadra dje bëri një paraqitje të shkëlqyer dhe meritonte të sillte diçka pozitive në Milano. Merren mësime, rritesh, përpiqesh për t’u përmirësuar dhe vetëm shikon përpara. Por gjithnjë të gjithë së bashku. Forca Inter’-e mbyllte postimin e tij portieri i Interit.

A post shared by Josep Martinez Riera (@josep.mtz1)

© Top Channel 2001 – 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i
përmbajtjes së kësaj faqeje.

Read More
Lajme Video

Testi PISA 2025, Shqipëria në krye të rajonit, Rama: Dëftesë e jashtëzakonshme, kemi lënë pas edhe disa vende që sot janë në BE

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për rezultatet e Shqipërisë në testin ndërkombëtar PISA 2025, duke i cilësuar ato si një “dëftesë të jashtëzakonshme” për vendin.

Në një transmetim live në Facebook, Rama vlerësoi përmirësimin e ndjeshëm të nxënësve shqiptarë në matematikë, shkencë dhe lexim, duke theksuar se Shqipëria tashmë renditet e para në rajon në disa prej këtyre fushave. Rama u shpreh se ky rezultat është një vlerësim jo vetëm për qeverinë dhe Ministrinë e Arsimit, por edhe për mësuesit, drejtuesit e shkollave dhe nxënësit.

“Mirëmëngjesi! Ka ditë që shkohet në punë me ndjesinë që kjo është detyra. Ka ditë që shkohet në punë me ndonjë mendim që e përcakton atë ditë si rezultat i një çështjeje që është në tryezë dhe ka ditë si kjo që shkohet në punë me një kënaqësi shumë të madhe, por shumë të madhe. Sepse dje kemi marrë një rezultat, një dëftesë për të cilën kemi punuar shumë fort dhe jo një e dy ditë, po kemi punuar shumë fort për një vit të tërë për të adresuar realisht aty ku duhej të gjitha pikat e nevojshme.

Shqipëria dje ka marrë një dëftesë të jashtëzakonshme, sepse është një dëftesë që i takon atyre që janë drita e syve të prindërve të këtij vendi, nxënësve tanë. Kemi dalë si asnjëherë më mirë në testin PISA 2025, një test i cili përcakton nivelin e të nxënit për fëmijët e arsimit parauniversitar në matematikë, shkencë dhe lexim. Dhe jo vetëm kemi bërë një përparim të jashtëzakonshëm pas atij momenti çoroditjeje që shkaktoi Covidi, edhe ku të gjitha vendet në fakt ranë dhe ne patëm një rënie të ndjeshme, e cila, si të thuash, na dha një shuplakë pas një periudhe të mëparshme rritjeje të butë, por konstante dhe sot jemi faktikisht të parët në rajon. Të parët në rajon, duke zënë vendin që kemi ambicie të zëmë në çdo drejtim dhe në çdo sektor, por që në këtë rast i bën një nder shumë të madh, një nder shumë të madh jo qeverisë thjesht, por i bën një nder shumë të madh në radhë të parë të gjithë atyre që kanë në duar fëmijët tanë.

I bën një nder shumë të madh edhe drejtuesve të shkollave, natyrisht gjithmonë pas mësuesve. Kemi bërë një punë kolosale milingonash me drejtuesit e shkollave. Shkolla e drejtorëve është një histori e qartë suksesi, i bën një nder shumë të madh patjetër edhe vendit si i tillë, sepse krijon një lehtësi psikologjike edhe për prindërit.

Prindërit e mbytur nga balta, prindërit e mbytur nga jargët e gjithfarë lloj vemjesh në kanalet sociale, që nuk lënë orë e minutë pa jashtënxjerrë helm për çdo gjë në këtë vend dhe që natyrisht ngarkojnë psikologjikisht gjithë popullatën.

Është një rezultat fantastik edhe është një rezultat inkurajues, i jashtëzakonshëm. Është një rezultat që flet për punën shumë të mirë të bërë edhe nga Ministria e Arsimit, për punën e bërë nga ministrat e arsimit njëri pas tjetrit dhe ndjehem jashtëzakonisht mirë. Është një histori koti, thotë kjo Eda Merkula. Një histori koti. Një histori koti që Shqipëria del e para në rajon në një test të së ardhmes, në testin për dijet e fëmijëve tanë në shkencë, në matematikë dhe në lexim. Një histori koti.

Ajo është merita e atyre nxënësve, thotë kjo tjetra, që e kanë marrë vetë rezultatin. S’ke pse mburresh. Në fakt, jo. Në fakt, jo. Nxënësit kanë pasur historikisht mes tyre ata më të mirët, ata më të dobëtit, por sikur të ishte meritë thjesht dhe vetëm e tyre, nuk do të ndryshonin rezultate. Do ishte gjithmonë po ashtu.

Çfarë ke bërë për Shqipërinë, thotë, ke 12 vjet? Urdhëro. Po flas sot, tani për një rezultat fantastik. Një nga ato rezultate që ndërtohen vit pas viti, muaj pas muaji, javë pas jave, ditë pas dite, që nuk bëjnë lajm, që nuk bëjnë zhurmë, që nuk krijojnë kushtet për të ngacmuar vëmendjen tënde në rrjetet sociale bashkë me Fatmirin. Bashkë me Fatmirin që thotë: je bërë qesharak. Patjetër, patjetër. Është shumë qesharake kjo që po them, që Shqipëria ka dalë e para në testin më të rëndësishëm për fëmijët tanë, për nxënësit tanë, testin PISA 2025. E para në rajon. Dakord? Se ne matemi me rajonin në radhë të parë dhe pastaj me të tjerët. Ndërkohë që po ju them dhe tjetrën, që jo vetëm kemi bërë një kërcim të jashtëzakonshëm pikësh, por kemi gjithashtu lënë pas edhe disa vende, disa vende që sot janë në Bashkimin Europian.

Dëgjove, Fatmir, se ti qenke insistues në atë marrëzinë tënde. Si po gënjej unë, çfarë po gënjej? Unë po them një të vërtetë që është thënë botërisht dje në shpalljen e rezultateve dhe ti mund të hysh edhe t’i verifikosh, por ti nuk je i interesuar për këtë. Unë e di, edhe s’ke pse je interesuar, sepse ti je i zhytur në helmin e kanaleve sociale dhe më vjen shumë keq. Më vjen shumë keq për ty.

Ndërkohë që më vjen shumë mirë për të gjithë mësuesit, më vjen shumë mirë për të gjithë drejtuesit e shkollave, më vjen jashtëzakonisht mirë për prindërit që tanimë kanë një arsye të marrin frymë lirisht pas gjithë torturës që heqin në këto kanalet sociale, ku çfarë nuk dëgjojnë e çfarë nuk shohin e çfarë nuk u thuhet për fatin e fëmijëve në këtë vend, i cili më të mirën e ka vetëm përpara dhe i cili është një vend që përparon çdo ditë, duan s’duan ata që s’duan. Tani mbërrita, vazhdojmë punën”,shprehet Rama në transmetimin live në “Facebook”.

© Top Channel 2001 – 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i
përmbajtjes së kësaj faqeje.

Read More