
LIVE/ Situatë kritike në disa fshatra të Fierit, zjarri avancon drejt Levanit. Digjen tre shtëpi dhe një magazinë, evakuohen disa banorë
Zjarri i nisur mesditën e sotme në fshatin Vadhizë të Fierit ka marrë përmasa të mëdha vetëm pak orë pas shpërthimit të vatrës së parë.
Siç raporton korrespondenti i Top Channel Neritan Trifoni, flakët që nisën në fshatin Vadhizë, ka avancuar drejt Levanit, dhe sipas banorëve janë djegur tre shtëpi, një magazinë që prodhon koshere bletësh dhe i janë afruar një biznesi.
I favorizuar nga era e fortë dhe temperaturat e larta, zjarri është përhapur me shpejtësi, duke përshkuar sipërfaqe të mëdha me ullishte, pyje me pisha, shkurre dhe shtëpi.
Në orët e pasdites, flakët iu afruan dy lokaleve pranë liqenit, në zonën e Qafës së Koshovicës. Edhe pse ndërhyrja e forcave zjarrfikëse ka qenë e menjëhershme, era e fortë i ka shpërndarë flakët në një perimetër shumë të gjerë, duke e vështirësuar ndjeshëm ndërhyrjen nga toka.
Një lokal dhe një shtëpi e pabanuar janë djegur në zonën e Qafës së Koshovicës, ndërkohë ka nisur edhe ndërhyrja nga ajri.
Në ndihmë të forcave zjarrfikëse kanë mbërritur edhe dy helikopterë, të cilët kanë ndërhyrë nga ajri për neutralizimin e vatrave më problematike.
Flakët kaluan edhe rrugën nacionale Fier–Levan, duke detyruar policinë të bllokojë përkohësisht qarkullimin në këtë aks, për shkak të rrezikut dhe tymit të dendur.
Zjarri ka vijuar të përparojë duke djegur pyllin e dendur dhe është avancuar me shpejtësi në drejtim të fshatit Peshtan i Vogël.
Për shkak të afrimit të flakëve pranë zonave të banuara, forca të shumta policie kanë nisur evakuimin e banorëve. Rreth 15 familje janë larguar nga banesat e tyre, ndërsa efektivët vijojnë të monitorojnë zonat ku zjarri paraqet rrezik për banesat.
Ndërkohë, janë krijuar edhe disa vatra të tjera, çka e ka bërë situatën edhe më të vështirë për t’u menaxhuar.
Forca të shumta zjarrfikëse nga Fier, Mallakastra, Lushnja Vlora dhe Berati vijojnë të jenë në terren, së bashku me policinë dhe strukturat e tjera të emergjencave, në një betejë të vazhdueshme me flakët.
Operacioni për shuarjen e zjarrit vijon, ndërsa situata mbetet kritike për shkak të erës së fortë, e cila favorizon përhapjen e shpejtë të flakëve drejt zonave të tjera.
© Top Channel 2001 – 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i
përmbajtjes së kësaj faqeje.
Lexo edhe këto artikuj të ngjashëm:
- LIVE/ Situatë kritike në disa fshatra të Fierit, zjarri avancon drejt Levanit. Digjen tre shtëpi dhe një magazinë, rrezikohet edhe një biznes
- Situatë kritike me zjarrin në Himarë, flakët djegin një banesë, rrezikohen edhe shumë shtëpi të tjera
- “Flakët shumë pranë banesave dhe bizneseve”, kreu i Emergjencave Civile për situatën në Fier: Zjarri ka marrë përmasa të jashtëzakonshme
- Zjarri përfshin edhe Himarën, flakët pranë banesave, kërkohet ndihmë e forcave zjarrfikëse nga bashkitë fqinje
- Rasti i parë me Ethet e Nilit në Shqipëri, reagon Ministria e Shëndetësisë: ISHP po monitoron situatën
