Punë në Gjermani

OKB-ja kërkon ndryshimin e hartës së botës: Afrika nuk është aq e vogël sa duket te Mercatori

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara po shqyrton një nismë për ndryshimin e mënyrës se si paraqitet harta e botës, me synimin për të pasqyruar më saktë përmasat reale të kontinenteve, veçanërisht të Afrikës.

Nisma udhëhiqet nga Togo, e mbështetur nga 54 shtetet e tjera anëtare të Bashkimit Afrikan, si dhe nga vende të tjera. Propozimi synon zëvendësimin gradual të hartës tradicionale të Mercatorit me projeksionin “Equal Earth”, i cili paraqet më saktë madhësinë relative të kontinenteve.

Ministri i Jashtëm i Togos, Robert Dussey, e ka cilësuar këtë si një çështje shkencore dhe jo politike.

“Kjo nuk është një çështje politike, por një debat shkencor. Të dhënat shkencore janë të padiskutueshme dhe të gjithë duhet ta pranojmë realitetin”, është shprehur ai, sipas “The Guardian”.Harta e Mercatorit u krijua në vitin 1569 nga kartografi flamand Gerardus Mercator, fillimisht për të lehtësuar navigimin detar. Megjithatë, projeksioni i saj gjeometrik shkakton shtrembërime të konsiderueshme në përmasat e territoreve.

Vendet pranë ekuatorit paraqiten vizualisht më të vogla, ndërsa ato pranë poleve duken shumë më të mëdha se madhësia e tyre reale. Për këtë arsye, Afrika në hartën e Mercatorit mund të duket pothuajse sa Groenlanda, ndërkohë që në realitet kontinenti afrikan është rreth 14 herë më i madh se ishulli.

Fushata ndërkombëtare #CorrectTheMap argumenton se madhësia e Afrikës është aq e madhe sa brenda territorit të saj mund të përfshihen njëkohësisht Shtetet e Bashkuara, Kina, India, Japonia, Meksika dhe pjesa më e madhe e Evropës.

Nisma ka hapur edhe një debat mbi ndikimin që hartat kanë në perceptimin e botës. Ekspertë dhe aktivistë përdorin termin “kolonializëm kartografik” për të përshkruar mënyrën se si, sipas tyre, projeksioni i Mercatorit ka zvogëluar vizualisht vendet e Jugut Global dhe ka zmadhuar ato të Veriut.

Në vend të saj, Togo propozon përdorimin e hartës “Equal Earth”, e krijuar në vitin 2018 dhe e projektuar për të ruajtur më mirë raportet reale të sipërfaqeve të kontinenteve.

Një votë pozitive në OKB nuk do të ishte ligjërisht detyruese, por mund të ketë ndikim në mënyrën se si hartat përdoren në shkolla, aplikacione dixhitale, platforma interneti dhe shërbime publike.

Qeveria togoleze është shprehur optimiste për nismën dhe po planifikon një konferencë ndërkombëtare në Lomé, në bashkëpunim me UNESCO-n, Bashkimin Afrikan dhe kompani të teknologjisë, për të diskutuar zbatimin e mundshëm të standardit të ri të hartografisë.

“Atyre që pyesin ‘pse tani?’, unë u përgjigjem ‘pse jo?’. Është koha për të ndryshuar narrativën dhe për të marrë përgjegjësinë për atë që mund ta rregullojmë vetë”, ka deklaruar ministri i Jashtëm i Togos.

© Top Channel 2001 – 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i
përmbajtjes së kësaj faqeje.


Lexo edhe këto artikuj të ngjashëm:

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *