
Pranga ish-bosit legjendar të Formula 1, 95-vjeçari u ndalua në aeroport me një armë gjahu në valixhe
Ish-shefi i Formula 1, Bernie Ecclestone, është arrestuar, pasi dyshohet për mbajtje të paligjshme të një arme gjahu.
95-vjeçari britanik raportohet se u ndalua nga policia në Portugali, pasi avioni i tij privat u ul në një aerodrom pranë Lisbonës.
Sipas raportimeve të medias portugezeCorreio da Manhã, Ecclestone u ndalua në Tires Aerodrome, në Cascais, pranë Lisbonës, pasi gjatë një kontrolli iu gjet një armë gjahu në bagazhin e tij.
Mësohet se ndalimi i tij ka ndodhur gjatë një operacioni rutinë të policisë së aeroportit. Deri tani, Policia e Sigurisë Publike e Portugalisë (PSP) nuk ka dhënë një deklaratë zyrtare lidhur me rastin.
Ky nuk do të ishte rasti i parë që Ecclestone përballet me probleme për shkak të armëve.
Në vitin 2022, miliarderi britanik u ndalua në São Paulo të Brazilit, teksa po përgatitej të hipte në avionin e tij privat drejt Zvicrës. Edhe atëherë, autoritetet i gjetën një armë në bagazh.
Ecclestone pranoi në atë kohë se arma ndodhej në bagazhin e tij, por deklaroi se nuk kishte qenë në dijeni se e kishte me vete.
Pas ndalimit, ai u lirua pasi pagoi garancinë dhe u lejua të udhëtonte drejt Zvicrës.
© Top Channel 2001 – 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i
përmbajtjes së kësaj faqeje.
