
Rikthimi i madh i kinematografisë/ Festivali Kombëtar i Filmit Shqiptar edicioni 14, bashkon brezat pas 14 vitesh mungesë
Pas një ndërprerjeje të gjatë prej 14 vitesh, Festivali Kombëtar i Filmit Shqiptar është rikthyer me gjithë shkëlqimin e tij në Tiranë, duke u kthyer në kryeqendrën e artit dhe kulturës në vend.
Kjo ngjarje historike ka bërë bashkë qindra artistë, nga korifejtë e kinemasë shqiptare deri te kineastët e rinj e me talent, duke festuar trashëgiminë dhe të ardhmen e ekranit të madh.
Nata e hapjes solli emocione të shumta dhe momente nostalgjie, ku vëmendja kryesore u përqendrua te vlerësimi i figurave që kanë shkruar historinë e filmografisë sonë. Emra të mëdhenj si Reshat Arbana, Roza Anagnosti, Ibrahim Muçaj, Kristaq Mitro e të tjerë, u nderuan me Çmimet e Karrierës për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në artin shqiptar.
Megjithatë, si çdo event i rëndësishëm, nuk mund të kalonte pa debate. Pas një lapsusi në ceremoninë e hapjes nga organizatorët, ku në vend të fotos së regjisores së njohur Xhanfize Keko u vendos për pak sekonda në ekran fotoja e poetes Natasha Lako, për të cilën u kërkua ndjesë publike nga drejtori artistik i festivalit, z. Ilir Butka. Regjisori i njohur Mevlan Shanaj dhe e shoqja, znj. Natasha Lako, u revoltuan dhe shprehën pakënaqësinë e tyre përmes një statusi ku e cilësonin festivalin “obobo, kjo mynxyrë”, dhe u shprehën gjithashtu të pakënaqur për ndarjen e 16 çmimeve të karrierës.
Pavarësisht polemikave të natyrshme artistike, entuziazmi i publikut dhe pjesëmarrja e komunitetit kinematografik mbeten në nivele rekord.
Festimi i kinemasë vazhdon gjatë të gjitha këtyre ditëve me shfaqje filmash, debate dhe takime mes brezave. Sipari i këtij edicioni jubilar do të ulet më 12 shtator, në natën finale ku do të ndahen edhe çmimet kryesore të konkurrimit.
© Top Channel 2001 – 2026 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i
përmbajtjes së kësaj faqeje.
Lexo edhe këto artikuj të ngjashëm:
- “Do doja që Dhimitrin ta kisha në krah”/ Festivali i 14-të i Filmit, përlotet Roza Anagnosti: Ky çmim është dhe për të
- Shpendi shpëton Cesenën, sulmuesi i Kombëtares shënon golin e tretë radhazi në Serie B
- Video/ Broja përplaset me tifozin pas humbjes, sulmuesi i Kombëtares: Kam qenë jashtë për një vit
